Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër call centër mashtrimi, ku në pranga janë vënë 4 persona, ndërsa 49 punonjës janë proceduar penalisht.
Operacioni i koduar “Hold on” u zhvillua në bulevardin “Gjergj Fishta”, ndërsa të arrestuarit janë organizatorët dhe drejtuesit e kësaj veprimtarie.
Personat që u vunë në pranga janë: Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Eljo Dyrmishi dhe Marjo Myftari.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
“Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve. Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë”, sqaron policia.
Njoftimi:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Hold on”.
Zbulohet një call center në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku kryhej mashtrim kompjuterik.
Arrestohen në flagrancë 4 organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie.
Procedohen penalisht 49 punonjës, të cilët që u kapën në flagrancë, në këtë ambient.
Sekuestrohen 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, se kati i dytë i një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta”, ishte call center ku kryhej mashtrim kompjuterik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Hold on”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve.
Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al












