Autopsitë e kryera mbi trupat e viktimave italiane të tragjedisë së Crans-Montana, kanë hedhur dritë mbi rrethana të reja që forcojnë dyshimet se disa prej të rinjve mund të kishin shpëtuar nëse nuk do të ishin bllokuar nga kushtet në ambientin ku shpërtheu zjarri.
Sipas të dhënave mjeko-ligjore, viktimat nuk kishin konsumuar alkool në mënyrë të konsiderueshme dhe në momentin kur flakët përfshinë diskotekën “Le Constellation”, ato ishin të vetëdijshme dhe në gjendje të largoheshin. Megjithatë, sipas hetuesve, largimi i tyre u bë i pamundur për shkak të daljes së emergjencës së mbyllur.
Kjo del nga autopsitë e kryera mbi trupat e Achille Barosi, Chiara Costanzo, Giovanni Tamburi, Riccardo Minghetti, Sofia Prosperi dhe Emanuele Galeppini.
Tragjedia, e ndodhur natën mes 31 dhjetorit dhe 1 janarit, la pas 41 viktima dhe 115 të plagosur, mes tyre edhe shtetas italianë. Raporti i autopsive pritet t’i dorëzohet prokurorit Stefano Opilio në Romë, i cili po heton paralelisht me autoritetet zvicerane për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë e ngjarjes.
Aktualisht, në Itali, pronarët e lokalit, Jacques dhe Jessica Moretti janë nën hetim për vrasje nga pakujdesia në rrethana të shumëfishta, lëndime dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Por hetimet pritet të zgjerohen, pas pritjes së materialeve nga prokuroria e Sionit, e cila po ndjek një procedim më të gjerë me 14 të dyshuar.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore rezulton se shkaqet kryesore të vdekjes kanë qenë djegiet dhe sidomos asfiksia nga monoksidi i karbonit.
Ndërkohë, në Zvicër, hetimet kanë zbuluar se fillimisht janë kryer vetëm dy autopsi, ndërsa për pjesën tjetër të viktimave janë bërë ekzaminime të mëvonshme, madje në disa raste pas kërkesave për zhvarrim nga familjarët. Në disa certifikata vdekjeje nuk ishte përcaktuar qartë shkaku i vdekjes, një element kyç për procesin penal.
Tre ditë pas tragjedisë, trupat u ishin dorëzuar familjeve, ndërsa më pas u urdhërua autopsia vetëm për një pjesë të viktimave, duke vonuar hetimet mjeko-ligjore.
Në Itali, ndërkohë, hetimi ndaj çiftit Moretti është ashpërsuar. Akuza e re lidhet me një faturë të dyshuar të falsifikuar për materialin akustik të përdorur në tavanin e lokalit, i cili dyshohet se ka favorizuar përhapjen e flakëve pasi u ndez nga elementë piroteknikë të përdorur gjatë shërbimit.
Sipas prokurorisë, dokumenti përmban mospërputhje serioze dhe dyshohet se është i falsifikuar.
Hetuesit kanë marrë në shqyrtim edhe biseda të brendshme të Jessica Moretti, ku ajo jepte udhëzime për organizimin e spektakleve me fishekzjarrë në ambientin e lokalit. Në një prej mesazheve, ajo paralajmëronte për rrezikun e shkumës akustike në rast kontakti me qirinj shkëndijues, çka sipas hetuesve tregon dijeni për rrezikun e materialeve të përdorura.
Avokatët e familjeve të viktimave po kërkojnë që akuza të rëndohet në “vrasje me dashje eventuale”, e cila parashikon dënime shumë më të rënda, deri në 20 vite burg.
© Panorama.al












