Lëvizja brenda lëvizjes

Apr 24, 2024 | 8:37
SHPËRNDAJE

1200px-Genc_Pollo-e1569348544252-570x410-1GENC POLLO

Pesë vjet më parë një grup grash dinjitoze e kurajoze nismuan lëvizjen GUD (Gratë e Unazës për Dinjitet) brenda lëvizjes së banorëve të Astirit kundër “rrugës së florinjtë” me çmime të dhjetëfishuara, me kompani “false-amerikane” si dhe shembjeve arbitrare të banesave.

Ndërsa ato protestonin para Drejtorisë së Policisë Tiranë për lirimin e aktivistëve të arrestuar, ambasadori BB, shef i Prezencës së OSBE-së, i cili rastësisht po kalonte aty, u tregoi gishtin e mesit. I paprovokuar!

Në atë moment u ngjiz lëvizja GUD-i. Një ndër aksionet e saj ishte shfaqja me pankarta e thirrje “shame on you” (turp të kesh) në tetor 2019 gjatë një konference të OSBE me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate, z. Gremminger, në hotel “Sheraton” Tiranë. Gremminger i kishte propozuar Këshillit të Përhershëm të OSBE-së shkarkimin e BB, por ky i fundit kishte miq në ministrinë e vet dhe kërkesa nuk gjeti miratim të menjëhershëm. Gjithsesi, BB pas pak muajsh u largua nga posti në Tiranë e u nxor në pension të parakohshëm.

Ky episod tashmë i harruar mu kujtua tek pashë këto ditë Erion Veliajn në një eveniment të organizuar nga bashkia. BB i OSBE duket si një engjëll po ta krahasosh me kryetarin e bashkisë. BB vetëm një herë ofendoi dhe u detyrua të kërkojë ndjesë publike.

Veliaj është autor i një liste të gjatë fyerjesh ndaj atyre që e kanë kundërshtuar dhe ndjesëkërkesa për të është shfaqje e huaj. Por kjo është pako gjë krahasuar me skandalin e bashkisë.

Veliaj është nën hetim me urdhër gjykate për vepra penale, të cilat janë direkt nën përgjegjësinë e tij; jo vetëm kemi të provuar gjyqësisht një shkallëzim ekstrem të korrupsionit ku ofiqari nuk kënaqet me ryshfet, por vjedh për vete 100% të fondit buxhetor duke kontraktuar kompaninë private të tij.

Drejtorët e Veliajt kanë zbuar me metoda mizore dhjetëra familje nga banesat me sebepin se janë të dëmtuara nga tërmeti e duhet të shemben edhe kur teknikisht nuk ishte rasti. Motivi real ishte se tenderin e rindërtimit e kishte marrë kompania private e tyre ‘5D’. Policia Bashkiake ka ushtruar rregullisht dhunë të tepruar fizike kundër fshatarëve që shesin fruta-perime vetëm e vetëm që kompania private e drejtorëve të merrte monopolin e këtij tregu në Tiranë.

Skandaloz, por edhe domethënës është refuzimi antiligjor i Veliajt për të dhënë llogari në Këshillin Bashkiak edhe pse aty ai ka shumicën dhe këshilltarët socialistë sillen si bagëti pa ndërgjegje.

Prandaj ai e meriton si askush tjetër që në çdo eveniment publik të përballet me protestues që thërrasin “shame on you” dhe i tregojnë afishe ku ironikisht mbi fytyrën e tij bie shuplaka e ‘Majftit’ të dikurshëm. Le t’ia bëjnë këtë edhe nëse Veliaj shfaqet me ndonjë ndërkombëtar. Kjo do të ishte mënyrë dinjitoze për t’u treguar vendin cinikëve me çfarëdo pasaporte. Mënyrë shumë më e mirë sesa kritika qaramane ndaj ambasadave, që me të drejtë apelojnë kundër dhunës ekstreme.

Autori: ish-ministër e deputet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura