Ditët e fundit të Nako Spirut/ Djali i Mehmet Shehut sjell debatet në Byro e bisedat me Liri Belishovën: S’ka vetëvrasje, vetëm vrasje! Pse komunistët shqiptarë më kujtojnë mafien!

Sep 20, 2021 | 16:40
SHPËRNDAJE

“Në këtë botë nuk ka vetëvrasje, ka vetëm vrasje”. Këto fjalë të Jevtushenkos do të citonte Liri Belishova 70 vjet pas vetëvrasjes së të shoqit, Nako Spirus, një nga figurat kryesore të Partisë Komuniste.

Në librin “Liri Belishova dhe koha e saj”, botim i “UET Press”, Bashkim Shehu tregon si u eliminua Nako Spiru kur ishte vetëm 29 vjeç.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Në një bisedë me Bashkim Shehun, ajo rrëfen ditët e fundit të të shoqit, teka po përballej me një presion të jashtëzakonshëm për shkak të qëndrimit të tij “të rezervuar” ndaj jugosllavëve.

bashkim shehu Ditët e fundit të Nako Spirut

I vendosur përballë akuzave, në një mbledhje që nuk i jepte kohë të përgatitej, Spiru do të tërhiqte këmbëzën e pistoletës. Vdiq pas dy orësh, u varros me nderime, duke e raportuar vetëvrasjen si një aksident, por shumë shpejt do të shpallej si “armik”.

BASHKIM SHEHU

pjimage - 2021-09-02T143039.522

Gjithsesi, në këto vite, “antijugosllav” është anatema më e rëndë për një komunist shqiptar. Dhe, ashtu si në Plenumin e Beratit, jugosllavët shprehin pakënaqësi ndaj shqiptarëve duke ngulmuar se këta nuk po bëjnë aq sa duhet. Procesi i aneksimit ka filluar sidomos në fushën e ekonomisë dhe jugosllavët akuzojnë kryetarin e Komisionit të Planit, Nako Spirun: “Kur analizohen marrëdhëniet mes nesh”, thotë në nëntor 1947 Savo Zllatiç, përfaqësuesi jugosllav i radhës, “ne nuk mund të mos vërejmë një rol të çuditshëm që lot Nako Spiru. Neve na duket se shoku Nako Spiru dëshiron në këtë gjë orientimin antijugosllav dhe është mbrojtësi i këtij orientimi”.

MBLEDHJA E BYROSË POLITIKE 

Mbledhja e Byrosë Politike thirret për më 18 nëntor 1947, pak ditë mbas takimit Hoxha-Xoxe-Zllatiç, në të cilin ky i fundit, në emër të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, paraqet akuzat e cituara më lart. Në këtë mbledhje mungon Bedri Spahiu, ngaqë Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe kanë vendosur të mos jetë i pranishëm: që nga përjashtimi i Sejfulla Malëshovës, ai ka mbajtur një qëndrim disi të tërhequr, prandaj “mendonim se a ishte Bedriu dakord me vijën tonë?”, do të thoshte mbas ndonjë muaji Enver Hoxha. Pra, mbledhja pritet të jetë e atillë që, ndonëse kundër çdo rregulli, në të duhet të shkojnë jo të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, po vetëm ata që konsiderohen të sigurt se do të jenë dakord me Enver Hoxhën.

Pasi është lexuar teksti i bisedimeve me përfaqësuesin jugosllav (ndër të tjera: “Neve na duket se shoku Nako Spiru dëshiron në këtë gjë orientimin antijugosllav dhe është mbrojtësi i këtij orientimi”), Enver Hoxha thotë që “duhet të shikojmë se mos ka gisht armiku”. Koçi Xoxe akuzon me emër Nako Spirun. Kur i vjen radha të flasë, Nako Spiru përgjigjet se “nuk mund të them se nuk kam bërë gabime, mund të kem bërë, por […] nuk ka asnjë qëllim”. Dhe kërkon shtyrjen e mbledhjes për të nesërmen, që të ketë kohë të përgatitet. Pandi Kristo e kundërshton. Nako Spiru e përsërit kërkesën. Enver Hoxha e kundërshton. Dhe Nako Spiru përsëri ngulmon që mbledhja të shtyhet për të nesërmen. Më së fundi, u vendos që mbledhja të vazhdojë të nesërmen mbrëma. Të nesërmen, më 19 nëntor, në orën 8 e 20, mbledhja rifillon dhe fjalën e merr Nako Spiru, po sërishmi thotë se nuk është i përgatitur dhe kërkon një shtyrje prej katër-pesë ditësh. Atëherë ndërhyn Enver Hoxha dhe u tregon të tjerëve se Nako Spiru i ka vajtur paradite dhe ia ka kërkuar tashmë këtë shtyrje, me arsyetimin se thënia e jugosllavëve për një rol të çuditshëm nënkuptonte që ai ka tradhtuar dhe prandaj, ngaqë ishte një akuzë shumë e rëndë, kishte nevojë të përgatitej siç duhej.

“A mendoni ju se unë kam tradhtuar?”, e ka pyetur Nako Spiru atë paradite. Enver Hoxha nuk pranoi shtyrje, ndërsa për çështjen tjetër, nëse ka tradhtuar, nuk i është përgjigjur as po as jo, vetëm i ka thënë se do ta zgjidhnin diskutimet mbi atë çka nënkuptojnë jugosllavët. (Pra, ajo që thonë jugosllavët nuk mund të vihet në diskutim. Këtë e ka pranuar edhe vetë Nako Spiru në mbledhjen e mbrëmshme: “Kur Komiteti Central jugosllav i shtron, ka baza”. Mund të diskutohet vetëm për të interpretuar fjalët e jugosllavëve. Dhe, ai që përcakton kuptimin e fjalëve, ai e ka pushtetin, siç thotë Vezaku Rrumbullaku te Liza në botën e çudirave.

Bedri Spahiu: “Byroja Politike është vendi i çudirave […] është trualli i luftës për pushtet”). Dhe Enver Hoxha përsëri e kundërshton kërkesën për një shtyrje katër-pesë ditë, duke theksuar se Nako Spiru i njeh mirë çështjet dhe s’ka nevojë të përgatitet. Nako Spiru ngulmon me kërkesën e tij. Enver Hoxha kundërshton. Koçi Xoxe e mbështet Enver Hoxhën dhe thotë se “kërkesa për përgatitje do të thotë mbrojtje”. (Pra, kur të akuzon Byroja Politike, ose ata që janë përmbi Byronë Politike, s’duhet të mbrohesh, vetëm duhet të jesh dakord me akuzën, sepse s’ke rrugë tjetër, sepse, po të mbrohesh, del kundër Byrosë Politike, që po të akuzon, dhe, dashur padashur, e ke rënduar veten. Shkurt, kjo situatë i ngjan Silogjizmit të krokodilit).

Pandi Kristo: “Shtyrja është që ai të shpëtojë”.

Enver Hoxha dhe Nako Spiru
Enver Hoxha dhe Nako Spiru

Të gjithë anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, Tuk Jakova, Gogo Nushi, Kristo Themelko, Hysni Kapo, janë të një mendimi: të flasë tani. Kristo Themelko thotë se Nako Spiru nuk e ka zakon të kërkojë afate. Nako Spiru thotë se nuk është në gjendje të flasë. Pandi Kristo thotë se ai di të flasë, por nuk do që të flasë, “ai ka një qëllim”. Nako Spiru kundërshton dhe e ngre zërin, i nervozuar nga ajo që ka thënë Pandi Kristo. Enver Hoxha i thotë që ta ulë zërin. Nako Spiro sërishmi ngulmon që t’i jepen katër-pesë ditë afat. Koçi Xoxe thotë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Parti, se mospranimi i Nako Spirut për të folur është ngjarja më e madhe në Parti.

Tuk Jakova: qëllimi që të përgatitesh për t’u mbrojtur “është një plus negativ” (!!). Nako Spiru sërishmi ngulmon me kërkesën e tij. Të gjithë shprehen sërishmi kundër. Kristo Themelko thotë se këtë qëndrim të Nako Spirut nuk duhet ta mbajë asnjë komunist.

Koçi Xoxe: “Nakoja do që të fshehë të vërtetën”.

Enver Hoxha thotë që mund t’i jepen 24 orë. Nako Spiru sërishmi kërkon katër-pesë ditë, për të tetëmbëdhjetën herë në këtë mbledhje, sipas procesverbalit të saj. Të gjithë janë dakord me Enver Hoxhën. Mbledhja mbyllet në ora 9 e 30, për t’u rihapur të nesërmen në 8 të mbrëmjes. “Të gjithë m’u vërsulën si ujq”, i thotë Nako Spiru në shtëpi Liri Belishovës. Të nesërmen, më datë 20 nëntor, Nako Spiru i vete Enver Hoxhës për t’i kërkuar shtyrjen e mbledhjes, po Enver Hoxha refuzon. Shkon edhe tek i ngarkuari me punë i Bashkimit Sovjetik, por ky as që pranon ta presë.

Atë ditë, Nako Spiru i thotë Lirisë: “Nuk më mbetet veçse t’ia heq vetes”. Liria qan dhe atëherë ai përpiqet ta qetësojë, “vërtet e besove ti?”, i thotë dhe i shpjegon se ajo që i doli nga goja ishte thjesht një shprehje e figurshme.

LIRI BELISHOVA DHE NAKO SPURI
LIRI BELISHOVA DHE NAKO SPURI

Në mbrëmje, pak minuta para orës 8, ora kur duhet të fillojë mbledhja, Nako Spiru vret veten. Është njëzetenëntë vjeç. Dekada më pas, duke folur për këtë ngjarje, Liri Belishova do t’i referohet poetit Evgeni Jevtushenko:

“Në këtë botë nuk ka vetëvrasje, ka vetëm vrasje”. Dhe s’ka rëndësi, pra, kush e tërhoqi këmbëzën e armës. Kështu do shprehet ajo për këtë ngjarje mbas shtatëdhjetë vjetësh. Ndërsa tani ajo nxiton të vejë në spital, ku ndodhet i shoqi, ende gjallë. Nuk e lejojnë të hyjë në dhomën e spitalit ku, përveç mjekëve, është vetëm miku i tij, Mehmet Shehu.

Pritja e saj përballë një dere, përtej së cilës ndodhet i shoqi në ahtin e vdekjes, vazhdon thuajse dy orë. Dikur, ajo dëgjon rënkimin e tij të thekshëm dhe vërsulet te dera, po dera në atë çast hapet dhe del Mehmet Shehu, që i thotë se Nako Spiru ka vdekur. Nako Spiru varroset me të gjitha nderimet që i takojnë një udhëheqësi. Është një rivënie në skenë e trajtimit të Mustafa Gjinishit mbas vdekjes, por këtë herë shpallja “tradhtar” mbas vdekjes nuk do vonojë aq sa në rastin e Mustafa Gjinishit. Liri Belishova është njëzetenjëvjeçare kur i ndodh kjo rroposje e menjëhershme.

Ajo i ka mësuar nga i shoqi zhvillimet e asaj mbledhjeje që përshkrova më sipër dhe i ka përjetuar plotësisht. Në njëfarë mënyre, ka qenë e pranishme në atë mbledhje, si prani e një njeriu pa zë dhe të pafuqishëm për të reaguar, si dyzim i padukshëm i të shoqit, sikurse, në të njëjtën mënyrë, ka qenë e pranishme edhe në çastin që ai ia hoqi jetën vetes. “Komunistët shqiptarë më kujtojnë mafien”, më thotë.

Po sa e ka kuptuar në atë kohë çfarë po ndodhte? “Njeriu bëhet gënjeshtar edhe me veten: ato që mendon tani, i duket sikur i ka menduar edhe dikur”, më thotë.

VIJON NESER…

LEXO EDHE:

 “Enveri është copë mishi me dy sy!”- Djali i Mehmet Shehut zbulon prapaskenat e vrasjes së Nako Spirus, burrit të Liri Belishovës (PJESA 3)

 “Ishim si të droguar”- Djali i Mehmet Shehut libër për Liri Belishovën: Çfarë më tha kur e takova pas burgut! Moska për të ishte si Meka! Drama e gruas së parë në Byronë Politike (PJESA 2)

 “Duhej një kurban i rëndësishëm! Liri Belishova pësoi dy rënie”- Bashkim Shehu: Pse shkrova një libër për gruan e parë të Byrosë Politike! (Pjesa 1)

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/