Bashkim Shehu zbulon çfarë tha Enver Hoxha në Plenumin e Beratit: Dushan Mugosha më bëri sekretar, më ra nga qielli! Nisi si simpati, por një dashuri…

Sep 22, 2021 | 14:47
SHPËRNDAJE

Plenumi i Beratit, i nëntorit 1944, u duk se shënoi djegien përfundimtare të figurës së Enver Hoxhës. Ai vetë e pranonte se ishte një fillestar në punë organizative dhe se ngarkimi i detyrës si sekretar politik nga ana e Dushan Mugoshës ishte tepër e rëndë për të.

bashkim shehu enveri jugosllavet pleniumi i beratit

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Në librin “Liri Belishova dhe koha e saj”, botim i “UET press”, Bashkim Shehu, duke rrëfyer jetën e një prej grave më të pushtetshme të viteve të para të regjimit komunist, ndalet edhe në këtë moment, kur krerët më të lartë të PKSH-së vunë Enver Hoxhën me shpatulla për muri.

Të gjithë ishin të mendimit se strukturat e partisë nuk kishin funksionuar asnjëherë dhe se gjithçka ishin në duart e emisarëve jugosllavë Dushan Mugosha-Aliu dhe Miladin Popoviç.

Përmes rrëfimeve të Belishovës dhe dokumenteve të kohës, Shehu tregon se ç’ndodhi në Plenumin II të K.Q., Berat, 23-27 nëntor 1944, si rrezikohej Enver Hoxha dhe si shpëtoi falë ndërhyrjes së jugosllavëve.

BASHKIM SHEHU

Portreti është i pandashëm nga sfondi. Historia e jetës së Liri Belishovës, me ngjitjet e saj në pushtet dhe me rëniet e saj, nuk mund të kuptohet shkëputurazi nga historia e komunizmit shqiptar në periudhat përkatëse, madje do të thosha se nuk mund të kuptohet jashtë një konteksti më të gjerë, atij të zhvendosjeve tektonike të komunizmit botëror në këto periudha. Le të kthehemi te procesverbalet e Plenumit të Beratit, ndonëse Liri Belishova nuk ka qenë e pranishme.

Krahas denoncimit të praktikave terroriste, aty theksohet sërish e sërish se forumet partiake kanë qenë thjesht fiktive, çka do të thotë se Partia Komuniste Shqiptare në të vërtetë nuk ka ekzistuar si organizatë, në të vërtetë kanë qenë një entitet i zbrazët, apo i mjegullt, një fiksion leksikor i artikuluar në shërbim të pushtetit arbitrar të një klike, e cila drejtohej tekefundit nga emisarët jugosllavë.

Sejfulla Malëshova: “Artikulli në ‘Ylli Çlirimtar’ tregon sikur çdo gjë e ka bërë Enveri. […] Në këtë artikull, Enveri është konsideruar si strumbullar i sukseseve, kurse ai në të vërtetë është sinteza e gabimeve tona. Karakteristik është propozimi i Bacës, i cili në parullën për Enverin, si Komandant i Përgjithshëm, [kërkoi] të shkruanim edhe fjalën gjeni ose gjenial”).

Madje, theksohet nga disa prej diskutuesve se është një kult i ngritur artificialisht, kritika që nuk hasin asnjë kundërshtim. E megjithatë, kulti i Enver Hoxhës ngrihet edhe më lart paskëtaj. Nga të gjitha citimet e mësipërme, veçanërisht nga ato ku flitet për gjendjen e Partisë dhe për shkaktarët e asaj gjendjeje, të krijohet përshtypja se ky plenum shënon vdekjen politike të Enver Hoxhës.

Enver Hoxha dhe Dushan Mugosha- Aliu

E njëjta përshtypje të krijohet edhe nga autokritika e tij, që pason fjalën e Velimir Stojniçit. Po riprodhoj disa fragmente: “Do të më kishte pëlqyer që këto që po them t’i thoshja para se të fliste shoku Velo [Velimir Stojniçi], për të vetmen arsye se mos kuptohet që jam influencuar nga fjalët e Velos në këtë autokritikë që po bëj. […] Përgjegjëse kryesore e punës së shkuar është Byroja dhe i pari jam unë. […] Unë isha vetëm simpatizant [i Grupit Komunist të Korçës], nuk isha anëtar. Kur u formua Partia dhe u gjenda në Komitetin Qendror, këtu hyra me propozimin e Koços [Koço Tashko, kryetar i Grupit Komunist të Korçës]. Unë s’kisha eksperiencë ose kisha më pak se të tjerët. […] Kur u formua Partia, besimi për ata dy shokë, Miladinin dhe Dushanin, qe i madh, se unë qeshë pa eksperiencë dhe pa pikëpamje organizative e politike të qarta. […] Gjatë kësaj kohe, edhe unë kam luajtur një rol, por kurdoherë pranë ka qenë Aliu. Që nga ajo kohë, lindi jo një simpati, por një dashuri për të dhe, çdo gjë që thoshte Aliu, për mua qe një gjë e mirë, e mbaruar. […] Si u bë që unë qëndrova pranë Aliut? Këtë s’e di. Por fakti është që unë qëndrova. […] Shokët folën si u zgjodh Komiteti Qendror, si u zgjodh edhe Byroja. Do të theksoj zgjedhjen time si sekretar politik. Aliu s’kishte besim tek asnjeri veç meje. Unë nuk di për vendimin që u mor për këtë, por di që Aliu e mbrojti tezën që unë të isha sekretar politik. […] Kjo gjë më ra si nga qielli, prandaj u thashë që nuk e bëja dot. […] Pa realizuar mirë funksionin e sekretarit politik, unë pashë në vija të përgjithshme se kjo qe një gjë e madhe për mua, pse unë e njihja veten. […] E shoh edhe tash se s’mund të jap në atë vend atë që duhet […] Unë e shihja popullarizimin se ishte artificial dhe nuk më dukej i arsyeshëm. […] Për sa i përket vijës politike, unë mendoja si mendonte Aliu, asnjë presje më tepër”.

Domethënë, pa qenë anëtar i asnjërit prej grupeve komuniste, Enver Hoxha bëhet anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe pastaj Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror. E para, sipas të thënave të propozuesit Koço Tashko, dekada më pas në biseda me të burgosur të tjerë, ndodhi për hir të ekuilibrit fetar, për shkak, pra, të prejardhjes myslimane të Enver Hoxhës. E dyta, siç më thotë Liri Belishova gjatë njërit prej bashkëbisedimeve tona, ndodhi ngaqë propozuesi Ali ose Miladin e parapëlqeu qysh në krye Enver Hoxhën për arsye se ky i fundit “s’kishte të kaluar revolucionare” dhe, prandaj, ishte “kandidati i bindur”. Edhe një herë: “Si u bë që unë qëndrova pranë Aliut? Këtë s’e di”, thotë Enver Hoxha. Përgjigjen e ka dhënë pak më sipër: “Unë isha vetëm simpatizant”…

Miladin Popoviç, Liri Gega dhe Enver Hoxha

Në autokritikën e tij, Enver Hoxha tingëllon i përunjur, me një mea culpa si askush tjetër në këtë plenum, a thua pret ndëshkimin më të rëndë dhe po kërkon mëshirë. Po le të shohim disa fragmente nga fjala e Velimir Stojniçit, për të kuptuar çfarë po ndodh përnjëmend në këtë plenum, çfarë po ndodh me atë forcë politike që po merr pushtetin dhe tekefundit me vetë Shqipërinë:

“Nga diskutimet del se shokët ende s’i kanë kuptuar detyrat qind për qind. Pse? S’i kanë kuptuar se nuk kanë bërë autokritikën e tyre. […] Unë mendoj se diskutimet s’janë në rregull dhe s’kanë dhënë rezultatet e duhura. […] Unë jam dakord me ju që të shikonit punën e Miladinit e të Dushanit, […] por nuk jam dakord me ju që keni diskutuar për ta pa e lidhur punën e tyre me punën tuaj. […] Unë jam dakord me Sejfullain, që thotë se Partia ka marrë rrugën e degjenerimit në një bandë kriminelësh. […] Pa Jugosllavinë, ju nuk mund ta mbani pushtetin […] Perspektiva e Jugosllavisë është perspektiva e krejt Ballkanit […] Emri i Titos ka dalë nga kuadri i Jugosllavisë. Ai është simbol i çlirimit të popujve nga reaksioni e fashizmi. Këtë më së miri duhet ta kuptojë populli juaj. […] Të shkruhet në shtypin tuaj më shumë për Jugosllavinë”.

Këto pak fjali përmbajnë krejt thelbin e fjalës së emisarit jugosllav. Në to mund të shohim katër aspekte themelore. Së pari, emisari jugosllav është në një pozitë ex cathedra, të atillë madje që i jep urdhra partisë shqiptare. Së dyti, e akuzon partinë shqiptare për krime tepër të rënda. Së treti, synon të ushqejë ndjenjën e fajësisë, duke theksuar se autokritika ende është e pamjaftueshme. Së katërti, dhe çka është më e rëndësishmja, ndonëse nga njëra anë i pranon ato që kanë thënë parafolësit kundër emisarëve jugosllavë, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, nga ana tjetër e sanksionon Jugosllavinë si të vetmin shpëtim për shqiptarët. Kjo e fundit nuk është kurrsesi kontradiktore:

Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha kritikohen jo si përçues të diktatit jugosllav, po si mishërues të një praktike organizative që duhet të ndryshojë thellësisht. Ngaqë komunistët shqiptarë po marrin pushtetin, tashetutje nuk mund të punohet me metodat e mëparshme dhe, njëkohësisht, varësia e tyre nga Jugosllavia, ku gjithashtu komunistët po marrin pushtetin, duhet të jetë edhe më e madhe, duhet të thellohet, për të qenë edhe varësi shtetërore (“Pa Jugosllavinë, ju nuk mund ta mbani pushtetin”). Domethënëse është që Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të kthyer në vendin e tyre, jo vetëm që nuk pësuan gjë, po edhe u shpërblyen me poste të rëndësishme, në struktura partiake që kishin punë me shqiptarët e Jugosllavisë.

Po Enver Hoxhën, çfarë e shpëtoi në Plenumin e Beratit? Pse nuk pati të njëjtin fat sikurse Liri Gega dhe Ramadan Çitaku?

Gjatë burgut, në një prej bisedave që dukeshin si një bisedë e vetme dhe e përjetshme, pa fillim e pa fund, kam dëgjuar se shumica e Byrosë Politike që doli nga Plenumi i Beratit donte ta hiqte Enver Hoxhën nga funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm, por jugosllavët nuk i lejuan, duke thënë se nuk është koha e përshtatshme: çlironi një herë vendin, u thanë, konsolidohuni në pushtet, bëni Kongresin e Partisë dhe atëherë vini në krye cilin të doni! Ka shumë gjasa të jetë e vërtetë. Pa jugosllavët, Enver Hoxha në atë plenum ishte i mbaruar. Kështu, ai mbeti Sekretar i Përgjithshëm dhe u bë Kryeministër, ministër i Punëve të Jashtme dhe ministër i Mbrojtjes, duke pasur në varësi edhe Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit, siç quhej asokohe policia politike, pak më vonë e quajtur “Sigurimi i Shtetit”. Ndërkaq, figura e Enver Hoxhës u ruajt jo thjesht për fasadë. Autoriteti i tij mbetet i pacenuar edhe në Byronë Politike.

Përkufizimi i Byrosë Politike sipas Bedri Spahiut, kur e kam takuar në pranverën e vitit 1991, në kohën që sapo ishte kthyer në Tiranë mbas dhjetëra vjetësh burgu dhe internimi: “Byroja Politike është vendi i çudirave. Çdo anëtar i saj është një vozë ku vlojnë ndjenja, pasione, marrira, ambicie, sepse Byroja Politike është trualli i luftës për pushtet”. Dhe, duke u mbështetur fort mbi këtë truall, Enver Hoxha fillon t’i spastrojë hap pas hapi, një nga një, ata që kanë dashur ta heqin në Plenumin e Beratit, dhe në çdo hap gjen mbështetjen e atyre që do t’i spastrojë në hapin e ardhshëm.

VIJON NESER…

LEXO EDHE:  “Emri i Hoxhës edhe te lista e gjellëve!”- Autokritika e Enverit në Plenumin e Beratit, si e shpëtuan jugosllavët! Djali i Mehmet Shehut sjell rrëfimet e njerëzve më të rëndësishëm të PK: Dushani me Miladinin marrin….

Ditët e fundit të Nako Spirut/ Djali i Mehmet Shehut sjell debatet në Byro e bisedat me Liri Belishovën: S’ka vetëvrasje, vetëm vrasje! Pse komunistët shqiptarë më kujtojnë mafien! (PJESA 4)

 “Enveri është copë mishi me dy sy!”- Djali i Mehmet Shehut zbulon prapaskenat e vrasjes së Nako Spirus, burrit të Liri Belishovës (PJESA 3)

 “Ishim si të droguar”- Djali i Mehmet Shehut libër për Liri Belishovën: Çfarë më tha kur e takova pas burgut! Moska për të ishte si Meka! Drama e gruas së parë në Byronë Politike (PJESA 2)

 “Duhej një kurban i rëndësishëm! Liri Belishova pësoi dy rënie”- Bashkim Shehu: Pse shkrova një libër për gruan e parë të Byrosë Politike! (Pjesa 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura