NGA GAQO APOSTOLI
Komisioni Europian/KE publikoi raportin tronditës për zbatimin e ligjit në Shqipëri, i cili krijon dhe ushqen një koherencë me ritmin e protestave ditore të shqiptarëve, që tashmë janë të pandalshme jo vetëm në Tiranë, por thuajse çdo ditë ato po zhvillohen edhe në tërë Shqipërinë, si edhe në tërë qytetet dhe kryeqytetet e Europës, Amerikës dhe Kanadasë e më tej, ku inspirohen dhe organizohen kryesisht nga diaspora shqiptare.
Në këtë raport stigmatizohet refuzimi i heqjes së imunitetit nga parlamenti shqiptar të ish zv.kryeministres Balluku, veprimtari që konsiderohet tepër shqetësuese. Mos heqja e imunitetit, si edhe propozimi i grupit parlamentar të PS për mos pezullimin e zyrtarëve, apo edhe sulmet ndaj magjistratëve konsiderohen tepër shqetësuese në këtë raport, i cili, sigurisht që do të jetë një ushqyes kryesor i protestave të sotme, të nesërme dhe në vijim deri në fazat finale të tyre.
Protestat shqiptare kundër qeverisjes së sotme po shfaqen edhe në tërë shtypin e median kryesore botërore si BBC, ‘Reuters’, CNN dhe së fundmi, ato po shpërthejnë në institucionet më të larta të Bashkimit Europian, duke përfshirë edhe shtypin e median kryesore të këtyre shteteve si Britani e Madhe, Francë, Austri, Itali, Holandë, Belgjikë, Rumani etj. Tashmë, edhe propaganda ditore e protestave po pasurohet me elementë shtesë të hajdutërisë qeverisëse ministrore të pafundme, që nuk ka të mbaruar, të kryesuar nga Kryeministri Rama.
Leitmotivi i Protestave të derisotme ende konsiston dukshëm në thirrjet “Rama jepe dorëheqjen!” dhe “Rama në Burg, Berisha në Burg”, ku përfshihet edhe një thirrje për fundin e klasës politike shqiptare. Karakteristikë kryesore e rritjes së shpejtë të kësaj propagande popullore është “pasurimi me emra të rinj” të ministrave socialistë dhe të drejtorëve të institucioneve të larta shtetërore, të cilët nuk arrijnë t’i vënë dot fre pangopësisë së tyre në hajdutërinë e tyre makabre, duke rënduar më tej varfërimin absolut të shqiptarëve, duke grabitur drejtpërdrejt paratë e tyre, si edhe përmes proceseve spekulative të tenderave, përdorimit të paskrupullt të milionave e miliardave parave të drogës dhe të krimit, që janë shndruar e vazhdojnë të shndërrohen me shpejtësi “brick neck speed” në qindra kulla betoni të tipit qiellgërvishtës, resorte oligarkësh etj.
Hajdutëritë ministrore, të shtrira pafund edhe në rrjetin e oligarkëve, drejtorëve apo deri edhe të patronazhistëve në fushën e falsiteteve të të ashtuquajturve ‘Investitorë Strategjikë’, apo edhe të hajdutërisë së hapur në të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”, që ka të bëjë me një grabitje finale të popullit shqiptar. Të dy këto ligje, janë shënjestruar nga protestat popullore për t’i shfuqizuar këto ligje, duke treguar një maturi qytetare të protestave të derisotme.
Grabitja qeverisëse prej 4,2 milion për të ashtuquajturën mbrojtje të imazhit të Shqipërisë për anulimin e koncertit të reperit të famshëm Kaney West, i shquar edhe për bindjet e tij hitleriane, ka sensibilizuar edhe qeveritë e shteteve europiane, të cilat nuk i kanë kursyer kritikat ndaj Ramës, ku veçanërisht qarqe të caktuara shqiptare, në këtë rast i kanë kujtuar Edi Ramës edhe bindjet fashiste të shpallura në rininë e tij të hershme. Me këtë rast u nxor në skenën e korrupsionit binomi i kahershëm bashkiak Rama & Gonxhe, kësaj here për dhënien e superpagesës ministrore skandaloze 4,2 milion Euro pa as një kriter ligjor, për të cilën protestat e përditshme qytetare, kërkojnë zgjidhje imediate nga institucionet e larta të drejtësisë.
Mbështetja e protestave shqiptare nga europarlamentarët dhe zv.presidenti i Parlamentit Europian, fjalimet e vërteta të tyre në Sheshin e Protestave, si edhe intervistat në shtyp edhe media, e ndezën më tej zjarrin e protestave. Protesta e zhvilluar nga grupe shqiptarësh dhe vendas në Bruksel, kolaudoi më me saktësi qëndrimet e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila i bëri thirrje qeverisë Shqiptare që të trajtojë me seriozitet shqetësimet e ngritura nga qytetarët në protesta. Ndër të tjera, Marta Kos, ka nënvizuar se “kemi rënë dakord të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura dhe Investimet Strategjike”.
Kjo tregon se në thelb të protestave qytetare duhet të vazhdojë të mishërohet në veprimtarinë e tyre të përditshme shkrirja pa kufi e dashurisë për Zonat e Mbrojtura dhe kujdesi e mbrojtja njerëzore për të ashtuquajturat Investimet Strategjike, të cilat janë burim i dukshëm i hajdutërisë dhe spekulimit shtetëror. Zhvillimi dhe mbështetja e protestave shqiptare do të jetë vazhdimisht në rritje dhe, me ritme gjithëpërfshirëse, gjithnjë e më të larta, të cilat do të frymëzohen nga mrekullitë e botës, por nga ana tjetër, këto protesta do të vazhdojnë ta mrekullojnë tërë botën.
Një model i tillë frymëzimi është mbështetja e divës së këngës botërore, Dua Lipës, e cila ndërkombëtarizoi protestat qytetare, duke e dërguar fokusin e mediave botërore në Shqipëri, si “France 24”, Europan Democrats, ‘Rai’, ‘TG1’ etj.. Duke folur ne podcastin e saj, ajo tha se ndan shqetësimet e protestuesve për mungesën e transparencës së qeverisë shqiptare për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik. Në programin informative kryesor TG1 sintetizoi se “Dua Lipa qëndron në krah të flamingove”.
European Democrats konkluduan se: “Edi Rama nuk mund të përballojë më të injorojë atë që kërkon populli shqiptar.” Ndjekësit e saj që e e falënderuan me mesazhe të ngrohta dhe të panumërta, e ftuan që të bëhej “Zëri i Shqiptarëve!”.
/GazetaPanorama
© Panorama.al












