“Mbretëresha e shahut”, Judit Polgar refuzon kandidaturën për presidente të Hungarisë

Jul 20, 2026 | 22:50

“Mbretëresha e shahut”, Judit Polgar, ka njoftuar mbrëmjen e sotme se nuk pranon të kandidojë për postin e presidentes së Hungarisë, një ditë pasi kryeministri Peter Magyar deklaroi se do t’i kërkonte asaj të merrte përsipër këtë detyrë ceremoniale.

judit_polgar_mk

Në një postim në Facebook, 49-vjeçarja Polgar tha se ndihet “mirënjohëse” për faktin që iu bë një propozim i tillë.

“Megjithatë, nuk ndiej se kam forcën e mjaftueshme për të marrë përsipër përgjegjësinë historike për të bashkuar një komb të ndarë dhe për këtë arsye nuk jam në gjendje ta pranoj këtë kërkesë”, shkroi ajo.

Polgar, e konsideruar si shahistja më e madhe femër e të gjitha kohërave, është e vetmja grua që ka arritur ndonjëherë të renditet mes 10 shahistëve më të mirë në botë.

Parlamenti hungarez do të zgjedhë një president të ri pas largimit të Tamás Sulyok, i cili do të qëndrojë në detyrë deri në hyrjen në fuqi të një Kushtetute të re të vendit ose për një periudhë maksimale prej pesë vitesh.

“Presidenti i Republikës duhet të jetë një person që ruan unitetin e kombit dhe respektimin e Kushtetutës”, deklaroi më herët kryeministri Magyar gjatë një seance në parlament.

© Panorama.al

Te lidhura