Presidenti amerikan Donald Trump ka garantuar sot se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet në Shtetet e Bashkuara, dy ditë pasi kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, diskutoi mundësinë ligjore të ndalimit të liderit izraelit gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator.
“Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet, në asnjë mënyrë, ndërsa ndodhet në SHBA”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, teksa vlerësoi rolin e kryeministrit izraelit në luftën kundër Iranit.
Presidenti amerikan nuk bëri asnjë referencë të drejtpërdrejtë ndaj kryebashkiakut të Nju Jorkut.
Deklaratat e Trump erdhën pasi Mamdani tha në një intervistë të publikuar të shtunën nga “New York Times” se “vendi i kryeministrit Netanyahu është në Hagë”.
Sipas tij, Netanyahu është “një kriminel lufte ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”.
Netanyahu udhëton tradicionalisht drejt Nju Jorkut çdo shtator për takimin vjetor të liderëve botërorë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër-arrest për kryeministrin izraelit, duke e akuzuar për krime të dyshuara lufte gjatë konfliktit në Gaza. Izraeli ka kundërshtuar juridiksionin e kësaj gjykate dhe ka mohuar akuzat për kryerjen e krimeve të luftës.
© Panorama.al













