Premtimi i Samaras për kursimet: Janë të fundit

Aug 31, 2012 | 14:30
SHPËRNDAJE

Antonis Samaras, kryeministri i Greqisë

Kryeministri grek arrin marrëveshje me Zvicrën për taksimin e parave.

Kryeministri grek, Antonis Samaras, ka pranuar para popullit se premtimi për të mos marrë më masa kursimi ishte i detyrueshëm të thuhej dhe se paketa e masave për mbledhjen e 11.5 miliardë eurosh do të jetë e fundit e kursimeve. Samaras premtoi se për 2 vjet Greqia do të ketë ndryshuar. Deklarata u bë nga Komiteti Politik i partisë së tij. Kryeministri grek pohoi se masat që po merren janë të dhimbshme, por janë të pashmangshme. Samaras tha se çdo sakrificë po bëhej për të rikthyer besueshmërinë e Greqisë në tregje dhe te investitorët, pasi pa të vendi nuk do përfitonte këstin e radhës prej 31.5 miliardë eurosh nga paketa e dytë e ndihmës prej kreditorëve ndërkombëtarë. “Kemi ndryshuar klimën që ekzistonte për ne në Europë dhe besojmë se nëse gjithçka shkon mirë, Greqia për dy vjet do të ndryshojë. Premtuam se do të bëjmë gjithçka që vendi të qëndrojë në euro dhe do t’i mbajmë zotimet tona. Duhet të lëvizim shpejt dhe me vendosmëri”, theksoi Samaras. Ai shtoi se pjesë e fitimit të besimit të partnerëve europianë ishte dhe operacioni kundër emigracionit të paligjshëm, për të vërtetuar se Greqia do të jetë mburoja e Europës. Kryeministri grek ka diskutuar vendimet e tij të “dhimbshme” edhe me kryetaren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Legarde. Ajo e mirëpriti vendimin e qeverisë greke dhe mësoi edhe rezultatet e takimit mes Samaras dhe Merkel në Berlin, mbi krizën në Greqi dhe më gjerë në eurozonë, por veçanërisht kursimin e 11.5 miliardë eurove për periudhën 2012-2013. Gjatë shtatorit Samaras pritet të takojë në Frankfurt edhe kreun e Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, si dhe kryetarin e Këshillit Europian, Herman van Rompuj, i cili para se të vizitojë Athinën më 7 shtator, do të kryejë vizita në Berlin dhe Paris për konsulta me krerët e këtyre shteteve. Ndërkohë, një nga arritjet më të mëdha për qeverinë greke, ishte bindja e Bankës së Zvicrës për të nënshkruar një marrëveshje mbi taksimin e depozitave të shtetasve grekë atje. Marrëveshja pritet të nënshkruhet muajin e ardhshëm dhe taksa mund të shkojë deri në 30 për qind të shumës së depozituar.

Qëndrimi i Francës
Ministri francez i Financave, Pierre Moskovisi, tha se qëndrimi i Gjermanisë për Greqinë po afrohet me atë të Francës, duke e quajtur këtë një zhvillim pozitiv. “Takimi mes Kancelares gjermane Merkel dhe Presidentit francez Holande ishte relativisht i dobishëm”, tha ai duke shtuar se: “Largimi i një vendi anëtar të eurozonës përbën një kërcënim për të gjithë grupin. Dalja e Greqisë është shokuese”.

Frika e Kinës
Kina i ka bërë thirrje Greqisë, Spanjës dhe Italisë për të përqafuar shkurtimet në buxhet dhe për të sistemuar financat e tyre, pasi shprehu shqetësimin mbi ndikimin që mund të ketë zgjerimi i krizës në eurozonë. Kryeministri kinez, Uen Jiabao, ka shprehur i alarmuar shqetësimin mbi problemet e borxheve të eurozonës gjatë takimit dje me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ajo vizitoi Pekinin me synim rritjen e tregtisë. Kina kërkon zgjidhje të shpejtë, sepse Europa është tregu i saj më i madh i eksportit dhe Pekini mban miliarda dollarë në bono europiane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura