Dëgjesë publike për ish-burgun e Spaçit

May 1, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA MIMOZA DAJÇI MIMOZA DAJÇI

Më 02 maj 2024, Qeveria Shqiptare do të mbajë një “Dëgjesë publike për plan menaxhimin e ish-burgut të Spaçit”. Nuk e di nëse do të zbatohen vendimet e saj, por qysh prej vitit 1990, kur burgu i Spaçit u kthye në Muze i Kategorisë së Dytë, akoma nuk kemi parë investime të rëndësishme. Në vitin 2018 për herë të parë me gazetarët e TV – BBC vizitova ish-burgun famëkeq të Spaçit. Si një ndër autoret shqiptare që pas vitit 1992 kam pasqyruar me realitet jetën në diktaturë për gratë, burrat, fëmijët, internimet, vrasjet, burgosjet, zhdukjet në masë qysh pas rënies së komunizmit në Shqipëri 1992 dhe si mbesë e një ishtë pushkatuari e të zhdukuri pa gjyq nga komunizmi në vitin 1944 u ftova për një bashkëpunim me BBC.

Pra, ishte përzgjedhur edhe emri im. U ndjeva mirë. Vjeshtën e 2018 u takova me ta në Tiranë. Nisur nga kjo, gazetarët e BBC filluan hulumtimet rreth këtyre ngjarjeve dhe morën kontakte me të afërm të viktimave. U befasova, por ky bashkëpunim më ngjalli shpresën e fundit. Aq më tepër që është amaneti i tim eti dhe obligimi im personal. E pashë si dritë jeshile në horizont, jo vetëm për gjetjen e eshtrave të xhaxhait tim, që kemi shumë vite që po i kërkojmë, por edhe të shumë ushtarakëve të tjerë të lartë, që u pushkatuan po atë natë të ftohtë dimri me xhaxhain tim nga forcat sllavo-komuniste me në krye Shefqet Peçin. Kjo masakër vëllavrasëse urdhëruar direkt nga diktatori Hoxha, si edhe shumë masakra të tjera që kanë ndodhur në Gjirokastër, Malësi e madhe, Tepelenë, rrëzë Malit të Dajtit, etj., ndodhi më 15 nëntor të vitit 1944 në Prizren. Përpjekjet për gjetjen e eshtrave të xhaxhait tim nga ana ime dhe e babait tim nuk kanë reshtur kurrë. Ato kanë qenë të pandërprera e të vazhdueshme si me kontakte në Shqipëri, Kosovë, me kërkime nëpër institucionet përkatëse, gjykatë por pa sukses.

Në librin me titull “Lidhja e Prizrenit” me autorë shkrimtarët Tom Mriaj e Klajd Kapinova, të pushkatuarit pa gjyq të masakrës – nëntor 1944 në Prizren i kanë quajtur heronj, sepse kundërshtuan regjimin e nuk u bënë bashkëpunëtorë të tij. Emrat e tyre janë: Kolonel Fuat Dibra, Kolonel Asllan Vela, Nënkryetar Sadik Shkupi, Major Hasha, Kapiten Hajdar Planeja, Kapiten Rasim Dajçi, Kapiten Hysni Rudi, Kapiten Gjon Destanishta, Kapiten Mark Thani, Toger Musli Dobruna, Nëntoger Qazim Gostivari e Aspirant Reshit Kaçaniku. Emrin e Rasim Dajçit si i pushkatuar pa gjyq më 15 nëntor të vitit 1944 në Prizren nga forcat sllavo-komuniste me në krye Shefqet Peçin e kam parë edhe tek botimet krijuese të shkrimtares së njohur Eglantina Mandia.

Arrestimi e pushkatimi i tyre pati jehonë të madhe, fotografitë e tyre si antikomunistë e armiq të popullit u vendosën në çdo cep e shtyllë elektriku në Prizren, por megjithë vrasjet që kryenin serbët e komunistët shqiptarë, nuk mundën të arrinin qëllimin për të frikësuar popullin e Kosovës e për ta mposhtur atë. U arrestuan natën në të gdhirë të 15 nëntorit të vitit 1944, të dorëzuar për pushkatim nga regjimi i Enver Hoxhës. Rasimi Dajçi kishte kryer Shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz” në Tiranë, dega arkitekturë, më pas Akademinë e Lartë Ushtarake dhe u caktua në detyrë, ruajtjen e rendit në Prizren. Ishte një i ri inteligjent, rrogëtar i kohës, patriot, atdhetar i flaktë, e donte jetën e lirinë e vendit. Nuk kishte as një vit që ishte martuar kur e arrestuan, natën vonë. Nuk la fëmijë, ne jemi për atë fëmijët e tij, e që personalisht ruaj për atë kujtimet më të mira nga im atë e gjyshërit e mi. Sipas bisedave të grumbulluara, në momentin e pushkatimit skuadra e pushkatimit e pati pyetur Rasimin: “A do të bashkëpunosh me ne, apo do të vritesh si antikomunist”? Dhe ai prerazi i ishte përgjigjur: “Unë do të vdes si antikomunist e me ju nuk bashkëpunoj kurrë”. Mbi trupin e tij e ushtarakëve të tjerë të lartë vërshuan breshëritë e plumbave. Fillimisht i arrestuan, i torturuan në një shtëpi-burg në Prizren, më pas i pushkatojnë pa gjyq.

Gjatë qëndrimit tim të shkurtër në Shqipëri, pata rast që me grupin e gazetarëve të huaj të udhëtoja edhe drejt burgut famëkeq të Spaçit. Aty pashë tmerret pa fund, që kanë përjetuar ish-të burgosurit politikë të Shqipërisë, male të thepisura, shkëmborë e pa asnjë shans “arratisje” që andej. Minierën, galeri e kapanone torturash, varre masive. Ish-burgu komunist i Shqipërisë, ku bie në sy izolimi gjeografik i zonës, rrethuar nga të katërta anët me male të lartë. Ndërtuar në vitin 1968 rrotull një miniere të vjetër, shfrytëzuar në vitet ‘30 nga italianët për nxjerrjen e bakrit e piritit. Burgu i Spaçit njihet si burgu i terrorit, frikës e shtypjes dhe si një metaforë e goditur e persekucionit komunist, sepse të dënuarit politikë që dërgoheshin aty, ishin kthyer në skllevër pune pranë asaj miniere e nuk gëzonin asnjë lloj etike jetese. Në vitet ‘70 kur burgu punonte me kapacitet të plotë, numri i të burgosurve arriti deri në 1400. Jeta, kushtet mizerabël të punës dhe torturat pa fund bënë që të linin jetën aty mijëra djem nënash, të cilët hynin aty në moshë të re, e dilnin të moshuar, të sëmurë rëndë apo nuk dilnin fare, e personeli i burgut nuk u jepte as trupat familjeve, sikur ata të mos ishin qenie njerëzore.

Të afërmit e të burgosurve që vinin për t’i vizituar e bënin rrugën në këmbë 7 km nga Repsi në Spaç, sepse kamionët e minierës e kishin të ndaluar t’i merrnin. Një pjesë e mirë e të dënuarve politikë në burgun e Spaçit ishin intelektualë të klasit të parë, klerikë të nderuar, shkrimtarë, ekonomistë, fshatarë, qytetarë e djem të thjeshtë nënash e motrash të vuajtura. Kishte edhe shumë shqiptarë nga Kosova. Në tunelet e nëndheshme gjetën vdekjen qindra njerëz, trupat e të cilëve nuk u jepeshin familjeve deri sa të vdekur të kryenin dënimin e plotë. Më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit e Spaçit të lodhur nga puna e rëndë, ushqimi i pakët e dhuna fizike shpërthyen në një revoltë masive, e cila zgjati tri ditë. Të burgosurit në kampin e braktisur nga policët dhe rojet brohorisnin kundër diktaturës komuniste, kundër ideologjisë marksiste, e pro demokracisë. Nëpër dhomat e fjetjes e të torturave pashë e fotografova shumë vizatime e piktura nga vetë të dënuarit deri edhe në tavanet e mureve, si televizorë, libra, zogj, lule, simbole të paqes, jetës, të Amerikës etj…

Atje u artikulua për herë të pare shprehja: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Një prej gjesteve simbolike e më domethënëse që shënoi edhe kulmin e revoltës ishte ngritja e flamurit kombëtar pa yllin e kuq komunist mbi tarracën e njërës prej fjetoreve. Flamuri u improvuzua me mjete rrethanore nga vetë të burgosurit. Revolta e 21 majit 1973 u shtyp egërsisht nga autoritetet, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake. Mijëra krime e kalvare vuajtjesh të gjatë kanë parë e dëgjuar malet e lartë të Spaçit, Oroshit, Mirditës, Repsit, Qafë-Barit, Ballshit, Tepelenës, Lushnjës etj. nga kamxhiku i hekurt i xhelatëve shqiptarë, prandaj i takon qeverisë të lëvrojë fonde e kineastëve tanë për të realizuar filma e dokumentarë për të njohur bota e brezat e ardhshëm të kaluarën e errët të vendit tonë. Të mos harrojmë Shqipërinë-burg, ndarë nga bota e qytetëruar për afro gjysmë shekulli, izoluar e gjitha nën klonin e kuq. Ku “njeriu po hante njeriun” burri denonconte gruan, e gruaja burrin.

Shumë fonde dalin aty nga qeveria apo biznese për show vallëzimi e humori, por le të kthehet paksa vëmendja tek kjo faqe e historisë që na i ka vënë “Detyrë Shtëpie” bota e huaj apo OKB, për të Drejtat e Mohuara të Njeriut. Miniera e Spaçit, atë kohë po shfrytëzohej nga një kompani turke, e cila e kishte marrë me koncesion për 10 vite për të ngritur aty fabrikën e pasurimit të bakrit. Unë aty takova nga afër banorët e zonës, dëgjova histori të tmerrshme për periudhën gjatë komunizmit. Takova edhe vajzën mirditore, ish-studenten e Universitetit “LaSapinza” në Romë, që kishte përfunduar studimet për diplomaci, por punonte si menaxhere pranë firmës turke, Griselda Loku, e cila ka folur edhe në Parlamentin shqiptar mbi fatin e të ardhmen e bujqësisë e blegtorisë së vendit.

Shumë fonde dalin aty nga qeveria apo biznese për show vallëzimi e humori, por le të kthehet paksa vëmendja te kjo faqe e historisë që na i ka vënë “Detyrë Shtëpie” bota e huaj, OKB, për të Drejtat e Mohuara të Njeriut. Shqipëria është vendi që ka kaluar diktaturën më të egër në Europë, flitet se shumë dosje janë zhdukur, i ka prishur koha, shpresoj që dosjet e babait e xhaxhait tim të gjenden. Cilido që ka vënë dorë mbi këto dokumente tepër sekrete e serioze të popullit tonë, duke abuzuar apo i zhdukur duhet të dalë përpara drejtësisë si një krim i dytë që i bëhet vendit tonë. Pasi nëse krimi nuk ndëshkohet, ka mundësi të përsëritet.

Gjithashtu në Tiranë u takova edhe me miken time të mirë, ish-të persekutuar politike nga regjimi komunist në Shqipëri, Rozana Gjergji, i ati i saj, patrioti, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Kolec Cima, u dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor e vuajti dënimin në burgun e Spaçit. Rozana, në fëmijërinë e saj si shahiste e artiste e vogël ka interpretuar tek filmi “Dy herë mat”. Sot ajo është shahiste e trajnere me famë botërore, avokate e aftë, bashkëshorte dhe nënë e mrekullueshme për tre fëmijët e saj. Në ish-burgun e Spaçit po hapen edhe ekspozita interaktive, që u shërbejnë brezave, historisë, por përderisa të mbijetuarit e këtij burgu, burgjeve të tjera politike dhe Kampeve të Përqendrimit shqiptarë akoma nuk janë shlyer financiarisht nga shteti mendoj se asgjë nuk po bëhet në këtë drejtim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura