Blinken thotë se do të bashkëpunojë me Kongresin për të reaguar ndaj GJNP-së

May 21, 2024 | 23:38
SHPËRNDAJE

Administrata e Presidentit Joe Biden është e gatshme të punojë me Kongresin për të reaguar ndaj kërkesës së prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për urdhër-arreste ndaj udhëheqësve izraelitë për luftën në Gazë, tha të martën Sekretari i Shtetit Antony Blinken, mes thirrjeve republikane që SHBA të vendosë masa ndaj zyrtarëve të gjykatës.

blinken1

Duke folur në një seancë të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, zoti Blinken e quajti masën “thellësisht të gabuar” dhe tha se ajo do të ndërlikonte perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje për pengjet dhe një armëpushim në konfliktin e Izraelit me grupin militant palestinez Hamas.

Prokurori i GJNP-së, Karim Khan tha të hënën se kishte baza të arsyeshme për të besuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, Sekretari i Mbrojtjes i Izraelit dhe tre udhëheqës të Hamasit “mbajnë përgjegjësi penale” për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Si Presidenti demokrat Biden ashtu edhe kundërshtarët e tij politikë kanë kritikuar ashpër njoftimin e prokurorit Khan, duke argumentuar se gjykata nuk ka juridiksion mbi konfliktin e Gazës dhe duke ngritur shqetësime mbi procesin.

Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të gjykatës, por kanë mbështetur çështje penale të ngritura prej saj në të kaluarën, përfshirë vendimin e saj vitin e kaluar për të lëshuar një urdhër-arresti për presidentin rus Vladimir Putin lidhur me luftën në Ukrainë.

“Ne do të donim të punojmë me Kongresin, me këtë komision për të dhënë përgjigjen e duhur” ndaj veprimit të GJNP-së, tha zoti Blinken të martën.

Ai nuk dha hollësi lidhur me përmbajtjen e mundshme të përgjigjes ndaj veprimit të GJNP-së.

Në një seancë tjetër, senatori republikan Lindsey Graham i tha Sekretarit Blinken se shpreson që të punojë me administratën për të shprehur kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj prokurorit të GJNP-së.

“Shpresoj që të vendosim sanksione kundër GJNP-së për këtë veprim të turpshëm, jo vetëm për të ndihmuar miqtë tanë në Izrael, por për të mbrojtur veten në të ardhmen”, tha Senatori Graham.

Anëtarët republikanë të Kongresit kanë paralajmëruar në të kaluarën se do të hartojnë një legjislacion për të vendosur sanksione ndaj GJNP-së, por projekt-ligjet duhet të miratohen nga Senati me shumicë demokrate dhe të nënshkruhen nga Presidentit Joe Biden, për të hyrë në fuqi.

Në vitin 2020, administrata e Presidentit të atëhershëm Donald Trump akuzoi GJNP-në për shkelje të sovranitetit kombëtar të SHBA-së, kur Gjykata autorizoi një hetim për krimet e luftës të kryera në Afganistan. Shtetet e Bashkuara vunë në shënjestër personelin e gjykatës, përfshirë prokurorin e atëhershëm Fatou Bensouda, me ngrirje të pasurive dhe ndalime udhëtimi./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura