Edhe teoritë e konspiracionit janë demokratizuar në Shqipëri

Apr 30, 2024 | 11:52
SHPËRNDAJE

NGA BEN ANDONI Ben Andoni1

Cilido që ka njëfarë moshe e mban mend të ashtuquajturin “Çeku i bardhë” në agun e demokracisë shqiptare. Teoria e konspiracionit, artikuluar si ide prej të ndjerit Gramoz Pashkos, njërit prej protagonistëve të ndryshimeve demokratike dhe modifikuar nga PDistët, do t’i kushtonte vendit një frymë shkatërrimi, që përcillte gati një patologji kombëtare. Fabrika, institucione, ndërmarrje, fusha, pemëtore dhe plantacione do të digjeshin e shpërdoroheshin me justifikimin se Çeku do t’i zëvendësonte dhe ne do të teleportoheshim kombëtarisht në El Dorado! Teoritë e konspiracionit të post ‘90-tës do të ndiqnin njëratjetrën, por në të gjitha më së shumti do të ishin politikanët si protagonistë të vetëm. Berisha ka plan me “amerikanët”… “Rama do të drejtojë “NATO-n”. Kulmi do të arrinte në periudhën e COVID-19.

Kësaj kohe i përkasin edhe një sërë studimesh rajonale, përfshi këtu një vrojtim nga organizata “Grupi Këshillues i Politikave të Ballkanit në Evropë”, që i renditi qytetarët e Shqipërisë si popullatën më të cenuar nga dezinformimi mbi virusin (A2 CNN, 2022). Teorikisht, teoritë e konspiracionit janë më së shpeshti të karakterit politik dhe ato shpjegohen edhe po më shpesh me provat e pamjaftueshme. Në Shqipëri zënë vend jo thjesht nga analfabetizmi funksional, por edhe nga një shoqëri tejet e ndrydhur dhe e etur për thashetheme. Studiuesit Douglas & Sutton (2011) konkluduan se besimi në komplote lidhet me të menduarit e ulët analitik, inteligjencën e ulët, paranojën dhe makiavelizmin. Teoria e konspiracionit, sipas përkufizimit, është besimi se individë apo grupe të ndryshme “po veprojnë në mënyrë të fshehtë për të arritur një qëllim keqdashës”. Rasti i Shqipërisë e përshfaq si fenomen ngaqë ato gëlojnë shpesh dhe, për faktin se njerëzit janë gjithnjë e më shumë konfuzë me vetë demokracinë.

“Dëshmitë e mbledhura sugjerojnë se besime të tilla lindin nga puset e thella të mosbesimit shoqëror, cinizmit, polarizimit dhe ndjenjave të tjetërsimit” (Douglas et al.2013). “Si e tillë, spikatja e teorive konspirative në një shoqëri është më shumë një simptomë sesa një shkak i sfidave të fundit ndaj demokracisë”, citohet Scott Radnitz në artikullin e tij: ‘Why Democracy Fuels Conspiracy Theories’ (“Pse Demokracia i ushqen Teoritë e Konspiracionit”).

Po rasti ynë është i mbathur dhe nga paradokset politike, që e mbushin serbatorin e makinës së konspiracionit. Siç vëren politologu Afrim Krasniqi: “Vetëm në vende parademokratike si Shqipëria mund të ndodhë që kryetarët e partive që sapo humbin zgjedhjet, të votëbesohen në shumicë absolute për mandate të tjera drejtuese”. Pyetja që del rëndom është se çfarë rezultati do të merrnin të njëjtët kryetarë nëse do të ishin fitues në zgjedhjet parlamentare? “E kemi një përgjigje: Rama më 2009 mori mbi 93% të votave në parti, kur humbi zgjedhjet parlamentare dhe rreth 94% të votave, kur fitoi zgjedhjet parlamentare. Në PD, zoti Basha mori mbi 91% të votave të militantëve vetëm një muaj pasi arriti rezultatin më të ulët historik të PD, vetëm 28% të votave kombëtare”, saktëson drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike.

Më thukët në temën tonë, prej gati muajsh, javësh dhe ditësh na thuhet se SPAK-u ka mbështetjen totale amerikane dhe një numër i madh njerëzish të medias dinë “më saktësi” se kur do ‘të arrestohet’ Ilir Meta; çfarë do ndodhë me Berishën; dhe si po përfundon Rama, që ia kanë prerë biletën në SHBA. Të tjerë zëra, lëshuar nga persona që nuk skuqen, kumtojnë prej vitesh arrestimet e aty-për-aty të tre personazheve të lartpërmendur prej vitesh e vitesh të tëra. Kuptohet që boshllëkun e lënë pas lajmeve të tilla, e merr përsipër ta mbushin teoritë konspirative, që mbillen aq shumë lehtë ndër ne. Ja disa syresh: Meta ka paguar dhe fakti është se nuk e përdori SPAK-un në Konventë, ndaj kuptohet edhe heshtja e SPAK, që është futur në thes(!); Rama dhe pushteti i tij e zotëron të gjithë politikën e SPAK-ut; Berisha ka bërë pakt me Ramën dhe do t’i shpëtojë burgut… duke qëndruar në arrest. Po i lemë të patrazuar ata, që e vendosin me siguri matematike shqipen në panteonin e gjuhëve dhe fillesat e çdo gjuhe të folur dhe të vdekur të botës, ashtu si ithtarët e historisë, që na bëjnë pa asnjë argument të saktë si popullin më të vjetër…

Por, teoritë e konspiracionit, sidomos ato që përhapen në mënyrë virale, mund të kenë pasoja të rënda. Në shkencë njihet rasti i mohimit të AIDS-it përmes teorive konspirative që shkaktoi mbi 300 mijë vdekje nga SIDA në Afrikën e Jugut; ato të kronikës politike: QAnon që çoi në sulmin e Capitol-it të SHBA-ve dhe… Historia përmend edhe faktin se terroristët Anders Breivik dhe Timothy McVeigh u ndikuan fuqishëm nga teoritë konspirative. Ne, shqiptarët, mbrujtur nga teoritë e ndryshme që gëluan në 1997 desh e shkretuam vendin dhe e çuam në zgrip, paçka se gjashtë vite më parë, e kishim rrjepur në mënyrën më të hidhur. Pak vite më parë, njerëzit zbarkuan masivisht në një qytet të jugut për të shkuar në Gjermani! Paradoksalisht, ‘thashethemi’, që u mundua të kundërshtohej edhe nga ambasada e Republikës Federative Gjermane, doli se nuk ishte thjesht konspiracion. Pak muaj më vonë, shqiptarët do të zbarkonin masivisht drejt Gjermanisë. Teori konspiracioni apo jo?! A është prirja drejt botës së thashethemnajës? Ah, për këtë jemi kampionë të padiskutueshëm dhe e kemi treguar sidomos në këtë kohë. Rasti i fundi tregoi se gjërat janë ndërkallur shumë në dekadat e fundit dhe konspiracionet nuk janë shpesh pa burim. Vaksinat dhe përballja me kompanitë prodhuese, si dhe pasojat te të vaksinuarit po i ushqejnë jo pak njerëzit.

Një studiues amerikan i shkencave politike Michael Barkun i ka ndarë teoritë e konspiracionit në tri kategori mirëfilli të dallueshme: ngjarje (si psh., vrasja e Kenedit ose 11 shtatori), sistematike (masonët, WEF etj.) ose superkonspiracion (psh., QAnon, “Son of the Godhead” e Icke). Respektivisht në kushtet shqiptare, viti 1997; Familjet e Bllokut dhe pinjollët e tyre, etj..

Si e tillë, spikatja e teorive konspirative në shoqëritë e sotme është më shumë një simptomë, sesa shkak i sfidave të fundit ndaj demokracisë. Megjithatë, përtej funksionit të tyre si shprehje e imagjinatës së qytetarëve për keqdrejtimet dhe abuzimet më të këqija të pushtetit, teoritë e konspiracionit shërbejnë për qëllime që po i bëjnë ato deri diku të dobishme si retorikë politike (Radnitz, 2022). Të mjafton të dëgjon sot diskursin e politikanëve dhe kupton nga “i vjen fuqia e jashtëzakonshme” Edi Ramës, që thotë më mirë ne sesa ata; apo pse “opozita është kaq e përçarë”, me aq armiq sa kanë sjellë. Ndërkohë konspiracionet edhe pse konsiderohen si më shumë simptomatike sjellin probleme jo të pakta sociale, duke e degraduar besimin në institucionet demokratike dhe duke përkeqësuar dobësitë e demokracisë (Barkun, 2013). Akuzat që i bëhen sot opozitës për individë, që kanë lidhje me UDB-në; individë publikë që pohojnë filtrimin në pushtet të spiunëve të Sigurimit; akuzave ndaj maxhorancës që ka blerë dhe faktorin e huaj, disa herë e kalojnë imagjinatën. Përmendja e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm janë sot të dukshëm dhe të habit retorika, që i shkon më së shumti komunizmit. Të mjafton të shikosh aktivitetet e fundit të PD-së dhe PL-së.

Veçse, pikëpamja e teorive të konspiracionit si një monopol i autokratëve është e vjetruar. Në shekullin XXI, teoritë e konspiracionit duket se po demokratizohen. Teksa dikur promovimi i teorive konspirative mund të dobësohej, paradoksalisht në demokraci nxitja e konspiracionit ndonjëherë nuk sjell izolim, por shpërblime elektorale. Vetë konkurrenca, që është një nga parimet e politikës demokratike, përbën në vetvete një kontribuues të retorikës konspirative. Nxirja me të gjitha mënyrat e opozitës i shërbeu Ramës të dinte ‘saktësisht’ edhe sa deputetë do merrte në zgjedhjet e fundit (!), apo që i dha opozitës argument për të thënë se manipulimi ishte i gjallë dhe i hapur dhe se shteti ishte pro. Pa mundësi për të provuar jo pak herë shkeljet e dukshme, si në rastin e opozitës, teoritë e konspiracionit, në një farë mënyre po ndihmojnë për të shkuar në atë që ndodh me pushtetin dhe që për ditë e më shumë po bjerr vetë përfytyrimin për demokracinë. Veçse, si e tillë, kjo e fundit po demokratizon dhe vetë teoritë konspiracioniste.

(Homo Albanicus)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura