Ruajna Zot nga poetët, jo të vërtetët…!

May 18, 2024 | 10:35
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Më 15 maj 2024, në qyte tin Hadlova, rreth mesditës u qëllua me armë në drejtim të trupit të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico! Ai u plagos dhe u dërgua urgjentisht në një spital të Bratislavës, në gjendje të rëndë e jo pa rreziqe për jetën! Me sinqeritet, edhe unë jam nga ata prej shumë mijërash njerëzish nga Sllovakia e bota, që i urova shërim të shpejtë e të plotë! Kur u njoftua se atentatori ishte një poet 71-vjeçar, mediokër, me 3 përmbledhje me poezi dhe majtist, jo nga dora e të shkruarit, por nga bindja, anshmëria dhe vota partiake, menjëherë mendova me vete faktin se kam poetë plot shokë e shoqe, miq e mikesha, shumica “të majtë”!

Pastaj, fillova ta ul dozën e frikës e të paragjykimit e të shtoj dozën e humorit! Këta poetët shqiptarë, me të cilët kam miqësi e lidhje, nuk janë si poeti 71 vjeçar sllovak, kokëshkretë e ca torollak. Këta poetët shqiptarë, sidomos ato femra, që kam mikesha e miq unë janë zemërbutë. Ata qajnë si fëmijë, kur padashur vrasin një mizë a flutur! Apo, kur shikojnë një rrëkezë lotësh në sytë e gruas dhe të dashurës. Ose, kur ato nuk u falin një buzëqeshje e një të puthur…!

Disa, edhe kur shkelin mbi gjethet e rrëzuara nga erërat e vjeshtës. Prandaj, edhe kur zemërohen, e shumta, mund të sulmojnë me fjalë e vargje, me poezi e jo me plumba! Megjithatë, duke e shtuar dozën e humorit, e këshillova veten: beso e kontrollo! Kur të pishë kafe me miq të poezisë, sidomos ato femra, kontrolloi me vëmendje edhe në çanta. Ndërsa poetët meshkuj, këto muajt e verës, kur nuk veshin xhupa e xhaketa, nuk kanë ku t’i fshehin armët e ftohta e të zjarrit! Gjithsesi, në një status në “Facebook”, me humor miqësor e si prozator, shkrova fare shkurt: “Ruajna, Zot nga poetët”! Nënkuptohet, nga ata jo të vërtetët!

Sidomos, kur janë edhe komunisto-socialistë fanatikë”! Pas urimit për kryeministrin sllovak, prej vitesh vend anëtar në BE e mstandarde më të larta se Shqipëria jonë, përjetova një lëmsh pyetjesh dhe ndjesish. Së pari, u shqetësova për “kryeministrin tim”, edhe pse këtu nuk guxon kush me i prek një qime floku sa të jenë Taulant Balla, ministër i Rendit dhe sa të ketë mbështetjen sorosiano-amerikane Altin Dumani dhe SPAK! Por, edhe sa të kemi këtë “popull të majtë” kafenesh, qebabtoresh, sufllaqesh, byrektoresh, telenovelash turke, “pordhësh” nga prapa e nga goja si dhe mitingjesh patriotizmi fjalaresk, ndërsa Shqipëria i mplaket dhe mpaket para syve apo nën hundë, duke i ikur bijtë e bijat me qindra përditë për në vende të Perëndimit, në shumicë me qeveri të qendrës së djathtë!?

Edhe më rëndë, kur vazhdon të mos kuptojë dhe pranojë aspak se prej 80 vitesh apo 67 vitesh nga “e majta” allashqiptare i është nxirë jeta dhe Shqipëria shumicës së shqiptarëve!? Edhe më keq: kur beson mashtrimin e trashë të Edi Ramës me shokë e shoqe dhe bëhet papagall i tij, duke gajasur edhe të shurdhrit se 67 vjet qeverisje nga partia e tij e zemrës dhe votës qenkan të barabartë apo njësoj si me 13 vitet e PD-së dhe partive aleate të saj “të së djathtës”! Apo, që beson mashtrimin tjetër që nuk viktimizon as një fëmijë 2-3 vjeç se fajtori më i madh dhe e keqja më e madhe për këtë vend është Sali Berisha me vetëm 13 vjet qeverisje!? Për më tepër, prej 11 vitesh “i vdekur” politikisht, prej rreth 3 vitesh i shpallur “non grata” nga njerëzit e Xhorxh Sorosit në DASH si dhe me miliona, prona e femra dhuruar McGonigalit.

Së fundi, prej afro 5 muajsh i burgosur dhe izoluar nga Edi Rama, nëpërmjet firmave të Altin Dumanit, Irenës me tri mbiemra e me disa dosje në Greqi, Arben Krajës, prokurorit të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë!? Megjithatë, edhe me më shumë sinqeritet se për kryeministrin sllovak urova: “Ruajna Zot për sot e shumë mot kryeministrin tonë, edhe pse prej 10 vitesh e kemi mbi kokë dhe me rrogë shumë të lartë na e ha bukën e gojës fare kot!” Pastaj, ndjeva një dozë të lehtë gëzimi dhe kënaqësie e jo keqardhjeje e zilie se na e kaloi edhe Sllovakia! E ngushëllova veten se ne ia kemi kaluar Sllovakisë me “vetëvrasje” kryeministrore, me miratim e “urdhër zeusor”, rreth 43 vjet më herët…

Për më shumë këto vitet e fundit ia kemi kaluar edhe me plot të këqija të tjera, duke qenë edhe para saj ndoshta kampionë apo nënkampionë në Evropë! E mbylla po me një urim gjerë përfshirës horizontalisht e vertikalisht: le ta hetojnë me paanësi dhe drejtësi këtë atentat specialistë e prokurorë në kryeqytetin e vet dhe të mos na rëntë mbi kokë neve një e keqe e rëndë si kjo, sa nuk jemi akoma vend anëtar i BE- së dhe për sa kohë SPAK është i përmbytur nga dengje me dosje, përfshirë edhe nga ato për të kaluarën e disave prej ekipit të vet, si Irena me tre mbiemra e që “i mungon” vetëm zemra…!? Apo si Arben Kraja, ishprokuror edhe i kohës së Enverit, që ka besimin e plotë të Ulsi Manjës e të Edi Ramës, ngjashëm me të atit e të amës?! Apo si?

Pa vënë në dyshim dhe diskutim aftësitë dhe përvojën e hetuesve dhe të prokurorëve sllovakë, më shkoi ndërmend edhe se në kuadrin e bashkëpunimit institucional, po të kërkojnë ndihmë nga Bratislava, Edi Rama, me vetëndjerjen si lider përtej rajonal, e urdhëron menjëherë Dumanin të dërgojë nga SPAK-u shqiptar një apo dy nga specialistët e vet më të mirë! Ndoshta ajo Irena me 3 mbiemra dhe Arben Kraja me përvojë “vrasjesh” kryeministrore nga koha e Enver Hoxhës, janë më të përshtatshmit e më të vlefshmit për këtë rast…?

Tani me seriozitet të plotë! Përfundimi i hetimeve mund të nxjerrë një tufë me arsye apo shkaqe të këtij atentati. Mes tyre nuk mund të mos shikohen edhe rritja dhe shtrirja e ndikimit rus apo putinist edhe në Sllovaki, si në shumicën e ish- vendeve socialiste të Evropës Lindore e Qendrore e të Ballkanit; bajatizimi i Ficos si kryeministër, burim korrupsioni, zhgënjimesh, pakënaqësish, kritikash edhe mes të vetëve…. Të mirëkuptohemi: Edi Rama prej të paktën 7 vitesh e ka mbush kupën dhe meriton të ikë sa më parë ku të dojë, qoftë edhe tek “baba Sorosi” e miqtë e tjerë, Yuri Kim, McGonigal, Escobar…, në Amerikë; tek sivëlla Vuçiçi në Serbi…! Apo tek ndonjë mik, sheik në Arabi…?! Pse jo, edhe tek ish-zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj në Zvicër…?

Por, urrejtja ndaj Ramës dhe ikja e tij, meqenëse “nuk i kupton” as në shqip e as në një gjuhë tjetër që njeh, fjalën, traditën, praktikën e rëndomtë ndërkombëtare e më të rrallë shqiptare, “dorëheqje”, mund të shprehen dhe bëhen me protesta shumë masive qytetare, popullore e me vota të lira e të ndershme e jo si në Sllovaki, me plumba…!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura