KQZ miraton mandatin për kryebashkiakët e Dibrës, Vorës e Rrogozhinës! Ja pse nuk u mor vendim për tre të zgjedhurit e tjerë

Mar 9, 2022 | 12:24
SHPËRNDAJE

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar mandatet e kryetarëve të Bashkive të Dibrës, Vorës dhe Rrogozhinës të dalë nga zgjedhjet e 6 marsit.

kryebashkiaket

Partia Socialiste u shpall fituese në të tre këto bashkitë, ku në Dibër u zgjodh Rahim Spahiu, në Vorë Blerim Shera ndërsa në Rrogozhinë, Edison Memolla.

Për tre kryebashkiakët e tjerë, po vijon ende verifikimi nga administrata e KQZ-së për të parë nëse në rezultate janë përfshirë të gjitha qendrat e votimit.

REZULTATET NË ZGJEDHJET E 6 MARSIT

Blerim Shera fitoi garën për postin e kryebashkiakut të Vorës me 7530 vota. Ai la pas kandidatin e Partisë Demokratike, Ymer Markun, i cili mori 687 vota dhe kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Lulzim Vranën, i cili mori 2589 vota.

Edison Memolla arriti të marrë 5401 vota në zgjedhjet e bashkisë së Rrogozhinës, ndërsa në vendin e dytë e të tretë u renditën Ferdinand Saraçi i PD-së me 1959 vota, dhe i treti Hekuran Xhani i ‘Shtëpisë së Lirisë’ së Sali Berishës me 1594 vota.

Rahim Spahiu fitoi bindshëm në garën e bashkisë së Dibrës me 13.995 vota duke lënë pas kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Premtim Kryemadhin me 4.478 vota dhe në vendin e tretë, kandidatin e PD-së, Luan Haka i cili numëron 4.437 vota.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura