Bisedë me mikun tim ateist!

Apr 27, 2024 | 11:00
SHPËRNDAJE

NGA ARIAN GALDINI LRE arian galdini

I sha në një bisedë të kënd shme me një mik shumë të mirë, goxha të ditur dhe ateist. “Nuk ka Zot, miku im – më thotë ai. – Zotin e krijoi njeriu për shkak të frikës nga vdekja. Krijuam një Krijues për të mos vrarë njëri-tjetrin. Paniku dhe frika nga vdekja mund të na shtinin të vetasgjësoheshim që në gjenezë. Ndaj edhe të diturit bënë kompromis me frikën e tyre dhe injorancën e të shumtëve, duke vendosur që të krijojnë një Krijues, për të pasur kuptim edhe vendosja e rregullave të lojës. Shpëtuam. Sepse krijimi i Krijuesit ishte shkaku arbitrar për vendosjen e rregullave të lojës, e më tutje u mësuam me to, e mund të japim edhe jetën për to pa pasur nevojë për Krijuesin.

Prandaj edhe iluministët francezë na bënë thirrje t’i rikthehemi arsyes. Njerëzimi e kishte kuptuar rëndësinë e rregullave të lojës, kështu që mund edhe ta nxirrte Krijuesin nga loja, duke mbajtur veç rregullat”. Shumë interesante kjo mënyrë të menduari e mikut tim. Më zhyti në mendime. Ai vazhdoi më pas duke më qesharakëzuar çdo festë fetare, të çdo feje. “Festat janë rituale që i vlejnë turmës për lavazh truri. Ritualet në bashkësi janë si frymëmarrja për njeriun. Pa rituale vdes bashkësia, vdes edhe feja. Kemi krijuar Krijuesin, e fill pas tij krijuam edhe legjendat rreth tij. Dhe besojmë e festojmë mbi legjenda të pabesueshme, për t’u siguruar se Zoti ekziston. Sa më të pabesueshme legjendat, aq edhe më e besueshme bëhet ekzistenca e Zotit”.

Loja e paradokseve. U mendova gjatë mbi çdo fjalë të mikut tim. U mendova thellë. E them se vdekja dhe Zoti nuk kanë asnjë lidhje bashkë. Kur ne të vdekshmit e kemi mundësinë të imagjinojmë të pavdekshmen dhe të pafundmen, atëherë logjikisht kjo nënkupton se ajo ekziston. E sigurt është se të kufizuarit e kanë plotësisht të pamundur të imagjinojnë të pakufizueshmen, nëse ajo nuk ekziston.

Do të pyesnim natyralisht, po si mundemi ne të imagjinojmë Përbindësha e Bukuri që nuk i kemi parë kurrë?

Si mundemi ne me imagjinatën tonë të bëjmë shpikje e zbulime të jashtëzakonshme? Epo ndoshta ekzistojnë…

Ndoshta të gjitha fantazitë tona ekzistojnë. Në dimensione të tjera. Ne mundemi t’i shohim vetëm nëpërmjet ëndrrave, delireve, marrëzive, skizofrenisë, dhuntive, talenteve, gjenialitetit etj..

Edhe Zotin ne mundemi ta gjejmë vetëm nëse e kërkojmë nëpërmjet Besimit. E Besimi nuk është siguri. Asnjëherë nuk mundet të jetë siguri. Besimi është shteg, udhë, kërkim. Sigurinë e gjejmë vetëm nëse mbërrijmë në destinacion. Destinacioni ynë që na takon me Zotin, kalon detyrimisht nga vdekja. E vdekja është si mbyllja e syve. Ndodh e quhet mbyllje sysh.

Por simbolikisht është mbyllje sysh për një udhëtim ndërdimensional. Do të ishte më i frikshëm udhëtimi ndërdimensional me sy hapur, sesa vdekja. Mjafton të kujtojmë Përbindëshat e Bukuritë që kanë parë mendjet e njeriut nëpër fantazi, delire e çmenduri, për të kuptuar sesi do të ishte një udhëtim ndërdimensional me sy hapur… Vdekja është lehtësim, është dremitje për këtë shtegtim ndërdimensional që na pret të gjithëve pashmangshmërisht.

Spartanët je tonin me vdekjen. Trimëria e tyre duhet të ketë buruar nga vetëdijësimi natyral për lehtësimin që na sjell vdekja. Ndaj edhe them se vdekja nuk ka pikë lidhje me Zotin. Ajo vetëm sa na lehtëson përshkimin e kalimit tonë drejt Tij. Ndaj edhe unë mendoj se bëjmë mirë që kemi fuqinë e feve dhe besimeve fetare ndër ne që na ushqejnë nevojën për Zotin në rastin më të mirë, e kujtesën rituale për Të, në rastin më të keq. Bëjmë shumë mirë. Po ç’vlerë kanë dyshimet e arroganca jonë për t’i dhënë vetes autoritetin për të përcaktuar ‘ngjarjet e besimit’ si të pavërteta? Ushqejmë vetautorizim për të zhbërë ‘ngjarjet e besimit’…

Harrojmë se ne vetë jemi plot pavërtetësi brenda nesh. A nuk kemi ne një identitet të fshehur brenda nesh, e një krejt tjetër jashtë nesh? A nuk e projektojmë ne identitetin tonë jashtë nesh, plot kujdes e rafinim? Pse të tjerët jashtë nesh duhet të besojnë që ne jemi të vërtetë?

Me identitetin jashtë nesh, ne kemi krijuar dikë tjetër që bashkëjeton me ne e që na bën të besueshëm për të tjerët… Atëherë pse një ngjarje e besimit duhet dyshuar për vërtetësinë apo natyrën e saj hyjnore, thjesht dhe vetëm se ne nuk e kemi parë të ndodhë? Po a nuk jemi ne, ata që besojmë te ‘ngjarjet moderne’, të cilat i shohim të ndodhin çdo ditë? Po, ne jemi. Ne besojmë te Christiano Ronaldo dhe Lionel Messi, sepse i shohim. Por harrojmë se ata, që të jenë aq magjepsës për sytë tanë, kanë ekipe të tëra që i krijojnë. Pra, ata nuk janë. Janë të tjerë që i krijojnë. Ne besojmë tek Madona, Al Pacino, De Niro…

I shohim, u vlerësojmë talentet. I adhurojmë, i besojmë. Harrojmë se për ta është një industri e tërë që punon. Besojmë tek Sali Berisha, Edi Rama, Lulzim Basha, etj., etj… Dhe harrojmë se ajo çka ata janë në të vërtetë është krejt ndryshe nga ajo që ne njohim. Pra, ne besojmë tek e pavërteta që të tjerë kanë krijuar për ne. Atëherë, pse kaq dyshues tek ngjarjet e besimit? Pse te ngjarjet e besimit, ne e ngremë dyshimin sa një mal për të zbuluar se kush na e ka krijuar këtë të pavërtetë, ndërkohë që çdo ditë besojmë lumenj me të pavërteta? Mos ndoshta ngjarjet e besimit janë pasqyra e ndërgjegjes ku ne shohim veten? Them se po.

Them se te ngjarjet e besimit neve rrezikojmë të grishtim ndërgjegjet tona, ndaj edhe i dyshojmë ose anashkalojmë. Harmonia jonë e hipokrizisë na çon në absurditete të pafundme përditësore, ndërsa përpiqemi të gjejmë pakuptueshmëri dhe mosvërtetësi tek ngjarjet hyjnore. Jemi të trishtë në paradokset ku jetojmë. Kjo është arsyeja pse unë i dua këto besimet fetare. I dua sepse ma grishtin ndërgjegjen. Nuk kam asnjë frikë të përballem me ndërgjegjen time. Kësisoj, ripërsëris: Zoti është Krijuesi ynë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura