Vatutin Bala, njeri, mik, intelektual…që nuk harrohet!

May 9, 2024 | 8:18
SHPËRNDAJE

Xhevat MustafaXHEVAT MUSTAFA

Rreth 3 vjet më parë, në moshën 75 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta e nga familja, në SHBA, ku jetonte familjarisht prej shumë vitesh Vatutin Bala.

Ai u lind  më 20.08.1946, në Gjirokastër, ku babai i tij, Halil Bala, shërbente si oficer, diplomuar në një shkollë të lartë ushtarake në Itali. Më vonë familja Bala u transferua në Vlorë, Elbasan, Tiranë…Edhe pse në detyra, edhe gjatë viteve të LANÇL  dhe pas çlirimit ishte treguar tejet korrekt, funksionar i ndershëm dhe me atdhetari të sinqertë, përsëri Halili nuk i shpëtoi listës së pafund të “armiqve të partisë e të pushtetit popullor”, që shtohej sa herë Enver Hoxhës i tekej për të sajuar “grupe armiqësore” dhe “rreziqe nga imperializmi amerikan”!?

Në vitin 1953 ai arrestohet dhe dënohet, bazuar vetëm tek diplomimi në Itali,  me akuzën si ish oficer i Italisë fashiste. Në këto kushte familja, gruaja me tre fëmijët kthehet në Shkodër, në qytetin e tyre të origjinës e ku kishin plot të afërm familjarë e miq. Vatutini kreu me mesatare të larta shkollën fillore, 7 vjeçare dhe të mesme. Këto e ndihmuan që autoritetet e arsimit në Shkodër “të mbyllnin një sy” për biografinë dhe t’i jepnin të drejtën e studimit për në fakultetin e  zooteknisë në Institutin Bujqësor të Kamzës.

Edhe këtu diplomohet me rezultate të larta. Në fillim për disa vite u emërua dhe punoi  në qytetin e Lezhës. Më vonë, për spikatjen si specialist i aftë dhe me rezultate të dukshme në punë, u transferua në Institutin e Kërkimeve Veterinare në Tiranë.  Edhe gjatë viteve të punës në këtë institucion shkencor Vatutini spikati si specialist i aftë, kërkues dhe këmbëngulës, korrekt dhe i përgjegjshëm si dhe me perspektivë për karrierë shkencore në këtë fushë.

Qysh nga fillimi i vitit 1991, pakënaqësia e brendshme e përmbajtur për një kohë të gjatë e me vështirësi përbrenda ndaj regjimit komunist, enverian, e shtyu të afrohej me bindje e zemër me Partinë Demokratike. Pas 22 marsit 1992 u emërua  si specialist në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kalimi në këtë institucion ishte njëherazi një vlerësim dhe besim i madh e një përgjegjësi  e lartë që quheshin justifikuar me pjekuri dhe punë sa më cilësore…Për t’u aftësuar me të veçantat dhe “sekretet” e diplomacisë dhe pjekur si diplomat e ndihmuan ndjeshëm edhe specializimet në SHBA, Japoni dhe në vende të Evropës. Në periudhën 1996-1999 shërbeu si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Slloveni. Figura, puna dhe korrektesa e tij në detyrë e jashtë saj u vlerësuan si në Tiranë, në MPJ, ashtu edhe në Slloveni, nga autoritetet drejtuese të diplomacisë së këtij vendi dhe nga homologë të vendeve të tjera, me të cilët krijoi njohje dhe pati bashkëpunim reciprok korrekt.

Me përfundimin e mandatit, i mbetur për disa muaj i papunë dhe për arsye shëndetësore, emigroi familjarisht në SHBA. Këtu Vatutini punoi si nëpunës në një bankë, ndërsa bashkëshortja, Mimoza, si mjeke.  Kudo ku punoi Vatutini u shqua dhe u vlerësua si një intelektual i vërtetë, me njohuri të shumta në fushat me të cilat e lidhën jeta, puna, detyrat, karriera… Si i tillë ai u bë dhe mbeti shembull edhe për dy vajzat e tij, për nipërit dhe mbesat që la pas e që e kujtojnë vazhdimisht me dashuri e respekt.

Me ikjen e parakohshme nga jeta, më 20 prill 2021, Vatutini la një boshllëk të ndjeshëm sidomos në familjen e tij, për vëllain dhe motrën, por edhe në rrethin miqësor e shoqëror. Të gjithë që e njohën nga afër e kujtojnë dhe do ta kujtojnë gjithmonë për thjeshtësinë, çiltërsinë, dashurinë dhe përkujdesjen që kishte për njerëzit. Por, edhe për fjalët e mira dhe këshillat e vlefshme, për gatishmërinë dhe përkushtimin për t’i ndihmuar në lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve dhe të halleve. Njëkohësisht, Vatutini fitoi shumë miq, shokë, respekt dhe simpati edhe për sensin e humorit, frut i gërshetimit të atij tradicional shkodran dhe gjenetik, individual.

Por, si intelektual dhe diplomat edhe për bisedat me nivel e kulturë të lartë, për  thellësinë dhe qartësinë e mendimit; për pozitivitetin dhe optimizmin që e karakterizonte, edhe në situatat më të vështira… Të gjithë ata që e kanë njohur do ta kujtojnë gjatë si një mik të vërtetë, si koleg që mbartte mirësi, si një njeri të zgjuar e inteligjent, të thjeshtë e modest! Por, edhe si një specialist, intelektual, zyrtar…, që nuk dinte të fryhej e mburrej vend e pa vend me vlerat dhe postet, me meritat dhe nderet që kishte marrë e që u kishte bërë të tjerëve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura