Requiem për një ikonë elitare nga universi i shkencës

Apr 27, 2024 | 9:07
SHPËRNDAJE

NGA DR. EDUARD A. SKUFI EDUARD A. SKUFI

Retrospektiva e kujtimeve inspiruan këtë refleksion me disa momente principale, por edhe me vlera didaktike, animuar nga bashkëpunimi me dr. A. Aronin rreth një dekadë. Eksperienca precioze që përfitova prej tij më inspiroi gjatë gjithë karrierës. Mbase mjeku oftalmolog nga më të kompletuarit, në të gjitha zhanret e subspecialiteteve oftalmologjike. Megjithatë, kjo figurë me vlera të veçanta akademike dhe humane ose përmendet formalisht, ose mbetet “e harruar”. Ky “grief” më mundon në etikë, si obligacion moral ndaj emrit të tij. Sepse shfigurimi i historisë reale, sidomos në shkencë, nuk është vetëm çështje mentaliteti, por më tepër çështje kulture dhe civilizimi. Këtu merr inspirim ky memorial respekti dhe mirënjohjeje për Doc. Andrea Aronin. Për njeriun që fliste me veprat e tij, atë paradigmë që kombinoi filozofinë e okulistikës klasike me atë moderne.

Takimi im i parë me dr. Aronin ishte në vitin 1979, mes një paneli në klinikën e Okulistikës, ku ndodhesha për specializim, në diskutimin mbi depistimin e të metave të refraksionit dhe ambliopisë tek fëmijët

“Ndryshe një plan teorik, ndryshe aktualiteti praktik. Prindërit i sjellin fëmijët për ekzaminim kur ambliopia është instaluar plotësisht. Kjo nuk varet vetëm nga mjeku, por edhe nga niveli i përgjithshëm shëndetësor e kultural”, – theksoi dr. Aroni. Aty unë pashë një Aron tjetër të trishtuar, melankolik, me buzëqeshje të vrarë por krenar, ndryshe nga kontakti i parë që kisha nga viti ‘72-‘73, kur isha student dhe doktori drejtonte kursin e Okulistikës për grupin tonë dhe ku unë kisha marr impresionet e prezantimit. Para pak vitesh ishte transferuar si okulist në spitalin e Beratit, për “mëkatin” e vetëm se kishte bashkëshorten polake. Ai sakrifikoi karrierën akademike për të ruajtur unitetin familjar, duke shprehur karakter dhe etikë të veçantë…

Në janar 1980, kur unë fillova profesionin si okulist në spitalin e Vlorës, për disa raste me diskordancë diagnostike klinike, duhej një mendim i tretë kompetent dhe këtë mendim e gjeta tek dr. Aroni. Kështu, sa herë më jepej mundësia, veçanërisht mbas shërbimit si mjek roje megjithëse i lodhur dhe i pa gjumë, bashkë me të sëmurët ndodhesha pranë tij. Konsultoja dhe operonim së bashku, në një kualifikim atipik. Impenjimi shkencor nuk përbën komoditet, thoshte, por kredit profesional. Nuk mund të harroj një rast të komplikuar në janarin e vitit 1984.

Një vajzë në moshë fëmijërore pësoi një traumë të rëndë okulare në njërin sy dhe mbas disa ditësh iu shfaqën simptomat reaktive inflamatore në syrin tjetër, patologji që identifikohet si “oftalmia simpatike”. Kjo u komplikua me glaukomë sekondare agresive dhe u shoqërua me humbje të shikimit. Kështu, një fëmijë inocent, për kapricio të fatit jetonte një dramë të vërtetë. Nën një terapi intensive, mbasi prita që “stormi oftalmik” të qetësohej, iu drejtova dr. Aronit. Mbas konsultës në një shikim të menduar më tha: “Doktor ke të drejtë, rast mjaft i vështirë, për më tepër në një sy të vetëm. Interventi kirurgjikal mbetet e vetmja zgjidhje. Një minutë ta fotografojë, kjo ikonë do të mbetet theksoi ai, duke indikuar karakterin e tij akademik. Dhe kështu filluam operacionin, preferuam trabekulektominë nën mbrojtjen e antibiotikëve dhe kortizonit. Interventi përfundoi me sukses. “Shpresoj që apertura e krijuar të mbetet e hapur, të filtrojë”, – theksoi Aroni. “Këtë rast ‘pikant’ dhe unik duhet ta publikosh”, – më sugjeroi duke dalë nga salla për në holl!…

I kam të gjalla konsideratat e tij mbas leksionit mbi “retinopatinë diabetike dhe rolin e terapisë me laser”, mbajtur në majin e vitit 1983 nga shefja e klinikës oftalmologjike të “Hotel Dieu”, dr. D. Chauvaud. “Doktoresha mirë i thotë – theksoi ai – por mjeshtëri është ta bësh mjekësinë efikase në çfarëdo kushtesh”… Një ditë të bukur qershori 1983, bashkë me pacientin V. K., një intelektual të cilin e mundonte ptoza palpebrale në njërin sy, vendosëm të marrim mendimin e dr. Aronit. Në spital u përshëndeta me kryeinfermieren, që më drejtoi në dhomën e doktorit. U futa, por ai nuk më dëgjoi, i zhytur në fantazinë shkencore, mbi një manual të fizikës optike aplikative. Në një dorë mbante një model syri artificial dhe në dorën tjetër kalibrin dhe një lenteje kontakti. Rreth tij mbi tavolinë ndodheshin të shpërndara libra, nga literatura e Duke Elder, J. Rosenthal, M. Gerard dhe F. Beltrenena. Të mbetej impresioni i një instituti kërkimor shkencor. Pas pak sikur u zgjua, m’u drejtua mua: “Doktor, pardon nuk të dëgjova. Përpiqem këtu në mënyrë artizanale për prodhimin e lenteve tona të kontaktit. Monotonia e rutinës më vret”.

Mandej bisedova për rastin me ptozë, e vizituam dhe vendosëm ta operojmë… Të lodhur, por edhe të kënaqur, u larguam nga spitali. Duke shëtitur buzë lumit të Osumit dhe urës së Goricës, dr. Aroni hoqi syzet dhe më tha: “Urat janë të çuditshme, bashkojnë dhe ndajnë, por duhet të fokusosh mbi sensin pozitiv… Dhe mikpritja është si një urë bashkimi, shkojmë nga shtëpia të pimë një gotë verë”. Kaluam një drekë të këndshme, në një dekor klasik, nën tingujt e diskut të virtuozit Shopen. Mandej në bisedë, theksoi se kishte kërkuar nga dikasteri të hapet një qendër për prodhimin e lenteve të kontaktit në Durrës, duke më propozuar si bashkëpunëtor. Unë do të përpiqem sa të mundem për rinovimin në okulistikë, por duke ruajtur integritetin dhe dinjitetin… Ai vërtet kishte një transparencë të veçantë në mendime, por jo rrallë të duhesh të ishe i koncentruar për ta ‘përkthyer’, pasi ishte lakonik dhe me një buzëqeshje fliste nën kopertinë… Me insistimin e tij më inspiroi të aplikoja për herë të parë goniotrepanacionin me kapak skleral. Ai udhëhiqej nga principet e një lideri vizionar, që promovonte novacionin, ishte “pedant” dhe nuk bënte favore…

Në fund të janarit 1985, Vlora e mirëpriti dr. Aronin me një ditë të bukur, që dimri e kishte huazuar nga pranvera. E ftova të operojmë së bashku, në audiencë ishte dr. Isufi dhe dr. Ll. Gjidede, kirurgu stomatolog i mirënjohur, i cili me aparatin e tij fotografik “Praktica” të modifikuar, fotografonte momente nga operacioni. Dr. Aroni operoi një rast me glaukomë të avancuar, me aplikim trabekulektomine e E. Cairns, ndërsa unë praktikova operacionin e prof. J. Fronimopoulos. Pas interventit, dr. Aroni duke më uruar, më sugjeroi se kjo duhet të jetë ekstrat për disertacion. Ai si vizionar shikonte më larg, shikonte hapin tjetër. Kur dolëm nga salla, ishin grumbulluar mjaft njerëz që kishin dëgjuar për ardhjen e dr. Aronit dhe dëshironin të vizitoheshin. U larguam nga spitali në formë shëtitjeje.

-Do të ulemi për kafe – tha Aroni.

-Kafe me ‘bisht’, – iu përgjigja unë.

-Vlora është një atraksion magjik, – u shpreh Aroni duke soditur peizazhin, mandej biseda kaloi atje ku ishte pasioni.

-Para disa ditësh ndoqa në ‘RAI Uno’, në emisionin ‘Check’-up, intervistën me prof. M. Pannarale – i pëshpërita konfidencialisht. Ai, duke buzëqeshur, mbasi hoqi syzet vazhdoi:

-Me mjeshtrin e retinës Panarale në poliklinikën e tij në Romë, kemi kaluar bashkë dy javë kualifikimi. Ishte me të vërtetë zot i kirurgjisë vitreoretinale. Më dhuroi edhe një komplet kirurgjikal me vitreotomin e tij, por nuk di ku përfundoi…

Maji i vitit 1989 më gjeti pranë dr.Aronit për të konsultuar disa ide nga projektdisertacioni im. Me seriozitet dhe vëmendje e lexoi dhe më bëri sugjerimet e duhura me aftësitë e një mjeshtri. Ai ishte model i perfeksionit dhe disiplinës, skolastik në detaje. Më pas e njoftova se më 25 maj do të shkoja në Athinë me ftesë të prof .J. Fronimopoulos, për të marrë pjesë në Kongresin e 22 Panhelenik dhe Internacional të Oftalmologjisë. Ai shprehu kënaqësinë, duke thënë: “Me të vërtetë surprizë e bukur. Me aftësinë tënde hape një portë të madhe”.

Atë ditë qëndruam gjatë. Dukej i lodhur, por i papërtuar. Nuk e dija që ajo ditë do të ishte finalja e një bashkëpunimi… 5 tetori i vitit 1989, një infarkt miokardi violent e drastik, i vetmi që e përkuli, duke e larguar nga jeta. Vdekja ia preu ëndrrat dhe objektivat, mendjemprehtit dhe duarartit, këtij “mjeshtri artist” okulist…

Dr. A. Aroni do të mbetet në kujtesë jo vetëm si figurë elitare e mjekësisë, por edhe karakterin e tij të lartë njerëzor, që u shpreh me zgjedhjen e “versionit dramatik të vet sakrifikimit, për të ruajtur të pa prekur imazhin romantik të një ‘dashurie që vret’! Nuk do të harroj kurrë frazën domethënëse të këtij oftalmologu të standardeve evropiane, lideri karizmatik dhe personaliteti pluridimensional: “Koha e vendos çdo gjë në vendin e vet, secili herët ose vonë, merr atë që meriton”…

Ky requiem, një homazh, si shprehje mirënjohjeje dhe estimimi, për atë mentor që u konvertua në idhull risjell figurën e tij në aktualitet, në përvjetorin e 35 të largimit të tij nga jeta, për të mbetur mes nesh!

*Konsulent oftalmolog, Athinë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura