Studiuesi i përkushtuar i historisë

Apr 27, 2024 | 8:37
SHPËRNDAJE

RENATO TOTRAKUNGA RENATO TOTRAKU 

Kur shteron pusi, i dihet vlera ujit”, – thoshte ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri. Përse e përmend këtë qysh në fillim? Sigurisht që jeta është e bukur e me plot gjurmë, plot dhimbje e lumturi.

Jeta vërtetë vazhdon, njeriu sikur përtërihet, sa vjen e sikur të ndodhet pranë, sikur të troket me bëmat dhe shpirtin në ato ç’ka lënë pas. Krahas shumë e shumë gjurmëve, shumë mirësive, ajo sikur na troket fort. Janë edhe provat e mençurisë, provat e jetës, të studimeve, të shembullit prej intelektuali të shquar në këtë botë të madhe shpirtërore që la pas Ferit Këputa.

Kam pasur fatin ta njoh shumë thellë, nga afër, t’i njoh shpirtin e vullnetin, maturinë e respektin, thellësinë e mendimit dhe filozofinë e lindur prej natyre, që ia kishte dhuruar zoti.

Ferit Këputa u lind më 24 shtator 1935 në fshatin Laç të rrethit të Matit, në një familje me tradita nacionaliste. I ati i tij, Aliu, ishte ushtarak i përkushtuar ndaj Monarkisë shqiptare dhe shërbeu në oborrin mbretëror në Tiranë deri në vitin 1939, ku pranë mbante gjithmonë familjen e tij. Me pushtimin fashist të Shqipërisë, familja e Ali Këputës u kthye në fshatin e Laçit, ku Feriti i vogël u rrit duke marrë virtytet më të mira prej tyre. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në vitin 1949, ndërsa sistemin 7-vjeçar e përmbylli në Shkodër në vitin 1952, ku gjatë verës së këtij viti kreu një kurs 2-mujor dhe në shtator filloi punë në shkollën e Bruçit. Pas një viti emërohet në Batër, afër Burrelit, ku lë gjurmë te fëmijët dhe komuniteti i atyshëm për punë të përkushtuar, duke u bërë shembull edhe në shtypin e kohës. Kështu në gazetën “Bashkimi” të datës 28 mars 1954 shefi i arsimit të qarkut Dibër, Selim Alliu, do të shkruante: “Kryemësuesi i Batrës, Ferit Këputa, shembull në të gjithë rrethin e Matit”. Po në këtë kohë martohet me Xharie Gjestilën, me të cilën lindën dhe rritën 4 fëmijë: Gëzimin, Florën, Vjollcën dhe Afërditën, duke i arsimuar dhe edukuar me durimin dhe këmbënguljen për të përballuar vështirësitë e jetës.

Krahas mësimdhënies, te mësues Feriti vlonte dëshira për ruajtjen dhe trashëgiminë kulturore të trevës së Matit. Pasi kthehet në shkollën e Bruçit në vitin 1954, merret me ngritjen e grupit të parë të valleve për vajza në Mat dhe merr pjesë në festivalin e qarkut, duke zënë vend nderi.

Sistemi qeverisës i kohës, i cili kishte filluar të aplikonte luftën e klasave, nuk harronte origjinën familjare nacionaliste të Feritit, ndaj vazhdimisht e qarkullonte në fshatra të ndryshëm, duke e pasur atë nën vëzhgim.

Më 1955 dërgohet mësues në Rrethe-Baz, ku punoi për 5 vite. Gjatë kësaj kohe u vjen në ndihmë ekipeve të arkeologëve të drejtuara nga Selim Islami, Frano Prendi e Zhaneta Andrea, që punonin në këtë teritor, duke i çuar ato në shumë pika me vlera historike. Me dëshirën për ta përvetësuar sa më mirë profesionin e mësuesit, regjistrohet me korrespondencë në shkollën pedagogjike të Tiranës, ku mbaroi katër klasë për dy vite dhe në vazhdim më 1965 mbaroi Institutin 3-vjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë, në degën Gjuhë-Histori, gjithnjë pa shkëputje nga puna. Në vitin 1967, kur ishte mësues në fshatrat e Martaneshit, fillon studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë, degën gjuhë dhe letërsi shqipe. Po në këtë kohë ngriti ansamblin me 54 instrumentistë muzikorë, më i madhi në Mat dhe në Shqipëri.

Në vitin 1979 përmbyll shtegtimet nëpër shkollat e fshatrave të Matit dhe emërohet përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës në Bruç. Gjatë kësaj kohe, ai punoi me përkushtim si studiues, krijues dhe organizator i aktiviteteve kulturore, duke dhënë shfaqje në shumë ndërmarrje e kooperativa bujqësore, si në Burrel, Ulëz, Krastë, Kurbnesh, Përlat, Batër, Cerujë, Komsi e tjerë, duke i regjistruar materialet folklorike të Ansamblit të Laç-Bruçit në tri emisione folklorike në Televizionin Shqiptar. Në këtë ansambël folklorik, krahas këngëve dhe valleve, i veçantë ishte dhe formacioni i vajzave, që luanin me instrumentin e çiftelisë.

Krahas punës organizative, Feriti krijoi edhe këngë si, “Drita elektrike”, “Lokemadhja”, “Këngë kurbeti”, “Moj lulja e trëndafilit”, “Syni i zi” e shumë të tjera, të cilat u vlerësuan në festivalet kombëtare në Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Tiranë e në shumë skena të tjera. Me ardhjen e ndryshimeve demokratike në fillim të ’90, bashkë me fëmijët e tij, u rreshtua në frontin e atyre që kërkonin rrëzimin e diktaturës komuniste dhe lejimin e lirisë së të drejtave të njeriut. Me daljen në pension në vitin 1992, merret me sistemimin e shënimeve të bëra ndër vite mbi figura historike që lanë gjurmë dhe ndikuan në jetën e matjanëve e mbarë kombit shqiptar, si dhe me të dhëna që hidhnin dritë dhe saktësonin historinë e shtrembëruar nga historianët e politizuar të monizmit.

Në vitin 1994 lë fshatin e lindjes dhe vendoset bashkë me fëmijët në qytetin e Burrelit, ku intensifikoi kontaktet me bartës të fakteve dhe ngjarjeve të pa thëna historike, duke botuar njëri pas tjetrit libra studimore, monografi e studime historike. Në vitin 2000 botoi “Mati në shekullin XX”, ku ve në dukje veprën historike të matjanëve që nga luftërat për pavarësi dhe çlirimin nga pushtuesit e huaj. Këtë libër do ta ribotojë më 2002, duke e plotësuar me të dhëna e fakte të reja. Po në 2002 boton librin “Ismail Terziu, shqipe mali”. Ky libër monografik i kushtohet jetës dhe veprës së patriotit nga Lisi, Ismail Terziu. Nëvitin 2003 botoi “Arsimi e kultura në Mat”, vështrim historik, ku bëhet fjalë për fillimin e zhvillimin e arsimit dhe kontributin e mësuesve për edukimin arsimor e patriotik të brezave të rinj.

“Shërbimi shëndetësor në Mat, vështrim historik” është botim i vitit 2005, ku përshkruan rrugët e zhvillimit shëndetësor në Mat. Në 2007 botoi librin “Vendorigjina e Kastriotëve është Mati”. Këtu studiuesi Ferit Këputa, bazuar në fakte arkivore, rreshton të dhënat që provojnë se fisi i Kastriotëve është nga Mati. Po më 2007 boton librin “Matjanët në Luftën e Dytë Botërore”, ku na sjell të dhëna mbi ngjarje dhe figura të shfaqura, gjurmët dhe kontributet patriotike të të cilëve ishin mohuar gjatë periudhës moniste. “Mati në kulmet e historisë kombëtare” botuar në vitin 2012, ku përmbledhtas dhe me saktësi historike rreshtohen figura dhe ngjarje që kanë lidhje me Matin dhe historinë e tij. Ndërsa libri që tërhoqi vëmendjen me presence të studiuesve të Qendrës së Studimeve Albanologjike është “Mati dhe Skënderbeu”, botuar në vitin 2010. Në këtë libër gërshetohen në mënyrë shkencore të dhënat arkivore me dëshmitë gojore të popullit të Matit. Promovimi i këtij libri u bë në një vend turistik, pranë Stelushit, në përmbyllje të një ekspedite dyditore të drejtuar nga studiuesi Ferit Këputa me personalitete të fushës akademike, historianë të periudhës së mesjetës, profesor dr. Muharrem Dezhgiu, Beqir Meta, Pëllumb Xhufi, Ferit Duka dhe Dritan Egro, studjues, shkrimtarë e poetë matjanë. Studiuesi Ferit Këputa është autori i dhjetëra artikujve studimorë të botuar në shtypin periodik si në gazetat “Republika”, “Atdheu”, “55”, “Standart”, “Mati”, “Tirana Observer”, revista “Emathia” etj..

Shkrimet e tij ngrenë zërin mbi saktësimin e ngjarjeve historike të shtrembëruara nga pseudo-historianët, që për servilizma dhe qëllime përfitimesh politike hodhën baltë mbi figura nacionaliste dhe krahina siç ishte ajo e Matit. Po në përfaqësimin e studiuesit dhe njohësit të mirë të historisë së krahinës së Matit merr pjesë në debatet televizive të zhvilluara në “Mat Televizion”, “MT + Lezha” etj.. Duke u bërë pjesë e paneleve televizive, ku shtrohen debate historike dhe flitet për figura të shquara. Ndryshimet demokratike bënë që të rikthehet në atdhe familja mbretërore dhe të kërkohet e të vihet në vend dinjiteti dhe kontributet e shquara të mbretit Zogu i Parë në shtetformimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Në vitin 1998, studiuesi Ferit Këputa bashkë me studiues të tjerë e simpatizantë të punës dhe veprës së mbretit Zogu i Parë themeluan Shoqatën Atdhetare “Ahmet Zogu” me qendër në Burrel.

Kjo shoqatë ka luajtur një rol të rëndësishëm në njohjen, popullarizimin e veprave të mbretit Zogu i Parë dhe të figurave të tjera që dhanë jetën nën moton “Atdheu mbi të gjitha”. E drejtuar nga zoti Ferit Këputa, kjo shoqatë ka organizuar aktivitete të shumta përkujtimore. Zoti Ferit dhe zotërinjtë Sulejman Cakoni, Enver Hasa, Murat Basha, Luftar Pepmarku e shumë të tjerë nëpërmjet shkrimeve publicistike e konferencave shkencore kanë sjellë fakte dhe kanë saktësuar të dhëna në shërbim të rishkrimit të historisë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Në këtë kontekst janë bërë propozime dhe janë miratuar nga institucionet përkatëse kërkesa për emërtime sheshesh e rrugësh me emrin e mbretit Zogu I dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes mbretërore.

Me kërkesën e kësaj shoqate, Këshilli i Bashkisë Burrel miratoi emërtimin e Sheshit “Ahmet Zogu” para bashkisë, emërtimin e parkut të qytetit të Burrelit me emrin “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” dhe vendosjen e monumentit Zogu I, në një nga sheshet kryesore të qytetit. Me kërkesë të kësaj shoqate, Bashkia e Tiranës emërtoi bulevardin “Zogu I”, ku në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në krye të bulevardit u vendos monumenti i mbretit Zogu I. Kudo ku ka punuar dhe jetuar zoti Ferit Këputa është dalluar si intelektual, njeri i drejtë, familjar, i përkushtuar e punëtor, që u shkon punëve deri në fund. Për punë të mirë në edukimin mësimor të fëmijëve është vlerësuar me “Mirënjohje” nga Komuna Martanesh.

Për shkrimet e botuara në revistën “Emathia” nga grupi botues është vlerësuar me “Penda Budi 2010”. Në kuadrin e 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Këshilli i Bashkisë Burrel e vlerëson atë me titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në krijimin dhe promovimin e vlerave kulturore si dhe për botimin e shumë librave mbi historinë e Matit dhe matjanëve në tërë fushat”.

Në vitin 2015 në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike dhe Kulturore dhe Institutin e Historisë përgatiti sesionin shkencor me rastin e 610-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ndërsa në vitin 2017 botoi librin “Laçi, Bruçi dhe Uraka”.

Ferit Këputa iu nda gjirit familjes më 29 janar 2024, duke lënë pas vlera të çmuara historike dhe kulturore, që do të shërbejnë për të ndriçuar rrugëtimin historik të trevës së Matit dhe figurave të shquara, që lanë gjurmë në zhvillimet shoqërore e historike të kombit tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura