Zjarri tek “Sarajet”, kryebashkiaku Veliaj zbulon se çfarë do bëhet me monumentin e kulturës: Ja kur përfundon procesi i shpronësimeve

Aug 17, 2021 | 15:25
SHPËRNDAJE

Zjarri që përfshiu Sarajet e Toptanëve në Tiranë mbrëmjen e djeshme, e ka vendosur këtë monument në qendër të vëmendjes lidhur me projektin për ta kthyer atë në një monument kulturor të hapur për publikun.

Kryebashkiaku i Tiranë, Erion Veliaj ka zbuluar projektin që do e transformojë këtë monument kulture. Në një prononcim për News24, ai tha se synimi është për t’i kthyer Sarajet e Toptanëve në një shtëpi muze të hapur për të gjithë qytetarët.

Duke shuar kritikat për shkatërrimin e saj dhe për të ndërtuar pallate, Veliaj thotë se transformimi i Sarajeve në muze do jetë në qendër të punëve të parlamentit me formimin e qeverisë së re në shtator.

“Jam informuar nga policia bashkiake rreth orës 12 pa 10, pak para mesnatës për një zjarr që ishte vendosur tek ndërtesa e Sarajeve që ndodhet ngjitur me godinën e bashkisë AMK. E njëjta patrullë që u konfliktua me Presidentin e vuri re sapo ra zjarri dhe lajmëroi zjarrfikësit që ishin aty për 2 minuta. Zjarri është vendosur nga dritaret e pasme, kemi gjetur 2 dritare të thyera. Fillimisht ka marrë zjarri në katin e parë, pastaj të dytin. Është parë në kamera dhe ekzekutori i urdhrit për djegien. E kam nuhatur që po shkohej drejt një skenari si ai i shkollës ‘Kosova’, ku palët donin të shkonin në gjykatë për të thënë që nuk kishte ndërtesë. Sarajet në dallim nga teatri prej tallashi e kanë statusin. Të gjithë ata që kanë histeri, i ngatërrojnë gjërat me dashje. Sarajet hyn tek kjo kategori, tallashi i teatrit nuk e kishte statusin. Kemi vendosur roje 24 orë. Do jetë në rendin e ditës sapo të formohet qeveria e re Rama.

Sapo kemi përfunduar procedurën finale. Akti i djeshëm ishte akti i fundit i një pale të pashpresë që ka përdorur dhe politikën dhe lobimet dhe shantazhin. Ajo ndërtesë nuk do digjet, nuk do transformohet në ndërtim, do kthehet në një muze të qytetit, do ketë statusin e një shtëpie muze. Çdo gjë tjetër është spekulim. E shuam zjarrin në kohë rekord, në kohë rekord e identifikuam zjarrvënësit, por do na duhet pak më shumë kohë për porositësit. Mënyra si funksion legjislacioni shqiptar, për sa kohë ka një status të veçantë objekti toka nuk mund të konsiderohet truall për ndërtim. U tentua një strategji si ajo e shkollës Kosova, që e zmbrapsëm kur Edi Rama erdhi kryeministër”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj gjithashtu ka folur dhe për procesin e shpronësimeve dhe pse është vonuar. Ai thotë se në fillim të shtatorit do të përfundojë ky proces.

 “Së pari se paratë nuk priten me gërshërë. Janë para që vijnë nga xhepi i publikes. Pra buxheti i shpronësimeve është fiks në një vit dhe secili prej projekteve zë një radhë. Dhe Lungomarja e Vlorës dhe e Sarandës, shkollat, ka një listë të stërgjatë. 10 muaj janë shpronësim i suksesshëm. Çështja tjetër ka të bëjë me çmimin, e bëjmë shpronësimin me vlerën që ka në atë kohë. Për të gjithë ata që njihen me burokracinë e shpronësimeve, hyn tek të suksesshmet. Në ditët e para të shtatorit do ta marrim në pronësinë tonë dhe do ta regjistrojmë në emër të bashkisë së Tiranës. Nuk ka më gjasë të funksionojë plani. Plani i shkollës Kosova dështoi mbrëmë tek Sarajet, kjo punë ka marrë fund”, tha ai.

Në fund, kryebashkiaku deklaroi se sapo prona të kalojë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, do të ketë një rikonstruksion.

“Në fillim të shtatorit e marrim ne. Do të ketë një konkurs për rikonstruksionin. Është e ngushtë gama e atyre që janë të specializuar për këtë rikonstruksion, besoj që zgjat disa muaj puna dhe besoj vitin tjetër do kemi muzeun etnografik të Tiranës dhe muzeun e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura