Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë, si do të llogariten pensionet e ish-ushtarakëve

Apr 15, 2017 | 16:00
SHPËRNDAJE

Me faljen e debive të krijuara nga miratimi i Aktit Normativ të 2010-s u duk se ishte mbyllur edhe plaga e ish-ushtarakëve, që u preken nga rillogaritja e pensioneve.

Por, me sa duket, efektet e ligjit “famëkeq” të 2009-s nuk janë zhbërë plotësisht, pasi ka ende një kategori ushtarakësh, të cilët do t’i nënshtrohen rillogaritjes me të njëjtën formulë që është e përcaktuar në këtë ligj.

PENSION

Nisur nga rastet e paraqitura për shqyrtim dhe amullia e krijuar në shqyrtimin e këtyre rasteve, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të përbëra nga 12 anëtarë dhe të kryesuar nga Xhezair Zaganjori, kanë dalë me një vendim, duke lënë në fuqi skemën e përcaktuar në ligjin e 2009-s.

Në argumentimin që i është bërë këtij vendimi thuhet se reduktimi i masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të njohur dhe caktuar më parë, që vjen nga zbatimi i kësaj formule, bëhet në emër të një interesi më madhor, sikundër është interesi publik. Janë mbi 1 mijë ish-ushtarakë që preken nga ky vendim.

Bëhet fjalë për të gjithë ata, që e drejta për përfitim pensioni të parakohshëm të filluar prej datës 1 janar 1999, deri me hyrjen në fuqi të ligjit nr.1042/2009, por pensioni nuk u është caktuar ende.

SKEMA

Ligji i miratuar në 2009, konkretisht neni 29 i tij, parashikon edhe skemën që do të aplikohet për llogaritjen e pensioneve për këtë kategori ushtarakësh. Sipas këtij neni, përfitojnë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi ushtarakët që plotë- sojnë vjetërsinë e shërbimit, përkatësisht 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat, dhe të kenë mbushur moshën: gratë 42 vjeç dhe burrat 47 vjeç.

Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi llogaritet sipas: 50% e pagës referuese, mbi të cilën është derdhur kontributi dhe për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese.

Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm që qartësohet në vendim, nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Pas indeksimit me 3% që ka hyrë në fuqi nga muaji mars i këtij viti, pensioni maksimal nga 25.270 lekë është bërë 26.028.

NDRYSHIMET LIGJORE

Në këtë çerekshekulli, ligji “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” ka pësuar disa herë ndryshime. Ligji bazë ka qenë ai i miratuar në 1991, nga ku ka marrë zanafillë apo i ka edhe fillesat e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve. Pesë vite më vonë, formula për llogaritjen e masës së përfitimit ndryshoi.

Kjo u reflektua edhe në ndryshimet e miratuara tri vite më vonë, përkatësisht në 1999. Në 2004 do të vinte propozimi i radhës, i cili nuk e përmbysi skemën, por hoqi kufizimin ekzistues asokohe se masa e pensionit të parakohshëm do të ishte jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi.

Një vit më vonë, kufizimi u rivendos sërish. Masës së pensionit të parakohshëm i vihej kufizimi maksimal, që ishte katërfishi i pensionit bazë. Ndryshime u bënë edhe në 2006, të cilat kaluan në sitën e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit kërkoi rishikimin e ligjit.

I radhës ishte ligji i 2009-s, i cili parashikonte edhe rillogaritje të pensioneve. Kjo nismë penalizoi 35% të ushtarakëve që kishin dalë në pension. Këta të fundit u shpallën debitorë dhe duhet t’i kthenin shtetit çdo muaj 20 deri në 25% të pagës së tyre mujore. Sërish çështja kaloi në Kushtetuese, e cila nuk e rrëzoi ligjin, madje as Aktin Normativ të miratuar një vit më pas, me argumentin se ligji unifikon kushtet dhe masën e përfitimeve suplementare të disa kategorive përfituesish dhe është në shërbim të interesit publik.

Ligji i ri qeverisë “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare nga rillogaritja e pensioneve”, miratuar një vit më parë, ka amnistuar të gjitha këto detyrime të akumuluara për rreth 5425 ish-ushtarakë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura