Zbardhet skema e re për sigurimet, si do llogaritet shuma mujore e pensionit

Apr 14, 2017 | 12:27
SHPËRNDAJE

Konfirmohet rritja e pagës minimale me 9%, duke shkuar përkatësisht nga 22 mijë lekë në 24 mijë lekë. Gazeta zbardh sot draftin e ISSH-së “Për disa ndryshime në vendimin për kontributet e detyrueshme e përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, i cili, pasi ka marrë dritën jeshile nga Këshilli Administrativ, do të dërgohet në qeveri për miratim.

pensioniste1

SKEMA

Rritja e pagës minimale me 9% do të reflektohet në masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore që derdhen në arkën e shtetit. Nga ana tjetër, ndryshime do të ketë edhe në skemën që do të aplikohet nga specialistët e ISSH-së për llogaritjen e pensionit. Nga indeksimi 3% i pensioneve, që ka nisur të aplikohet që prej muajit mars të këtij viti, pensioni social u rrit me 210 lekë, duke shkuar në vlerën e 7064 lekëve. Kështu, për çdo pension të lidhur rishtazi pas zyrtarizimit të këtij vendimi bazë për përllogaritjen e masës së përfitimit, do të jetë shuma 7064 lekë, shtuar kësaj edhe 1% të pagës mesatare për çdo vit të siguruar.

“Në këtë projektvendim është parashikuar që shuma bazë për efekt të kalkulimit fillestar të pensioneve, nga 6858 lekë në muaj të bëhet 7064 lekë në muaj, duke u rritur me 3%”, thuhet në relacionin që shoqëron draftin. Ndryshime ka edhe në formulën për lidhjen e pensioneve të parakohshme. Kështu, pensioni minimal për përllogaritjen e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi bëhet 13.014 lekë në muaj, përkundrejt 12.635 lekë që ka qenë përpara datës 01.03.2017, dhe kjo sërish për arsye të indeksimit të pensioneve.

SIGURIMET

Por, paralelisht me rritjen e pagës minimale, do të rriten edhe sigurimet shoqërore e shëndetësore për të gjitha kategoritë. “Me të njëjtin koeficient rritjeje sa rritja e pagës minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, pra me 9%, propozohet të bëhen edhe rritjet e shumave përkatëse aktuale, të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për të gjitha kategoritë e punonjësve, si për: të punë- suarit, të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes, me të cilët ata punojnë e bashkëjetojnë ligjërisht, të vetëpunësuarit në veprimtari si shitës ambulantë, personat që punojnë si punëtorë shtëpie, personat e punësuar në subjekte që zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas Regjimit të Përpunimit Aktiv (fason) për kohën e formimit profesional të tyre, për nxënësit e shkollave, të mesme apo profesionale, dhe studentët, për kohën e programuar të praktikës mësimore etj.”, saktësohet në relacion.

Gjithashtu, në masën 9% është parashikuar të rritet edhe shuma e kontributit të sigurimit shoqëror e shëndetësor për personat e vetëpunë- suar në bujqësi. Aktualisht, paga minimale është 22 mijë lekë. Ndërsa pas zyrtarizimit të këtyre ndryshimeve nuk do të ketë pagë më të ulët se 24 mijë lekë në muaj. Për këtë nivel page, për pagat minimale, shuma e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore do të jetë 6 696 lekë në muaj. Ndërsa të vetëpunësuarve do t’u faturohen 7150 lekë çdo muaj. Bazë për llogaritjen e kontributeve shërben paga bruto, që do të thotë paga e deklaruar.

Pra, një me pagë në kufijtë e minimales nuk paguan njësoj kontribute sikundër një me pagë 300 mijë lekë në muaj, 400 apo edhe më tepër. Në arkën e sigurimeve shoqërore shkon 24.5 për qind e pagës së deklaruar, nga këto 15% e paguan punëdhënësi, ndërsa pjesën tjetër punëmarrësi. Ndërsa për sigurimet shëndetësore shkon 3.4 për qind e pagës së deklaruar. Në tabelën përbëri është e pasqyruar skema për llogaritjen e kontributeve për nivelin minimal të pagave.

skema e pensioneve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura