Zbardhet kontrata/ Koncesioni i Sharrës, si u shtua gjoba e kompanisë

Mar 1, 2019 | 8:24
SHPËRNDAJE

Tarifa e beftë prej 480 lekësh/ton dhera, e aplikuar prej disa muajsh nga kompania koncesionare në Sharrë, është një veprim i pastër abuziv nga ana e kësaj të fundit.

sharre

Kjo, pasi në 54 faqet e kontratës koncesionare të lidhur në gusht të 2017-s midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V”, nuk përmendet në asnjë pikë vlera e mësipërme që kamionët duhet të paguajnë për shkarkimin e dherave në landfill, gjë që deri dje bëhej pa asnjë pagesë. Prej disa ditësh, bizneset kanë ngritur shqetësimin në media, duke kërkuar nga qeveria ndërhyrjen e menjëhershme dhe anulimin e kësaj tarife.

MARRËVESHJA

Në dokumentin e bërë publik nga “News24” citohen vetëm dy tarifa. Ajo prej 29 eurosh për çdo ton mbetje organike të kryeqytetasve, që përfundon në Sharrë përmes kompanive të pastrimit të Bashkisë së Tiranës, si dhe tarifa koncesionare, e cila është 2.1% e sasisë së energjisë së prodhuar nga impianti i përpunimit të mbetjeve. Kaq mjafton për të vërtetuar faktin flagrant se landfilli i Sharrës iu ‘gllabëron’ në mënyrë abuzive dhe të jashtëligjshme firmave ndërtuese një tarifë të panënshkruar në kontratë. Kjo, jo vetëm për dherat e pakontaminuar që janë të detyruar t’i shkarkojnë vetëm aty, por edhe një tjetër tarifë për ta riblerë dheun e tyre, me qëllim për të plotësuar nevojat e tyre në projektin e ndërtimit.

Nuk vonoi shumë për t’u kuptuar se përpos kompanive të ndërtimit, kjo kompani koncesionare abuzon për interes të saj edhe me institucionet shtetërore. Njësoj si biznesin privat, edhe bashkinë e kanë detyruar të paguajë tarifën prej 480 lekësh për çdo ton dherash, që dërgon me mjetet e saj në landfill.

Ky vendim absurd shton të ardhurat e kompanisë “Integrated Energy B.V”, e cila fut thellë duart në xhepat e taksapaguesve kryeqytetas. Tarifat shtesë, që koncesionari vendos në mënyrë të fshehtë t’ua vjelë ndërtuesve dhe Bashkisë së Tiranës, janë cilësuar nga bizneset në vend si korruptive dhe klienteliste.

Në një përgjigje të shkurtër ndaj interesit të “News24”, “Integrated Energy B.V” është shprehur se tarifa në fjalë për kamionët që depozitojnë dhera dhe mënyra e përcaktimit të saj është vendosur nga landfilli me miratimin e Bashkisë së Tiranës.

NDËRTUESIT: TARIFA, PENGESË PËR INVESTITORËT

Firmat e ndërtimit e cilësojnë një vendim të tillë korruptiv, skandaloz e të padrejtë dhe që do të mbajë larg investimeve jo vetëm ata, por edhe investitorët e huaj në vend. Të gjendur pa asnjë alternativë tjetër shkarkimi dherash, apo edhe shitjen e tyre, këta të fundit thonë se sektori i ndërtimit është diskretituar me taksa nga më të rëndat. “Janë taksa të fshehta që shkojnë rreth 60%.

Edhe investitorët e huaj çuditen me gjithë këto taksa që kemi ne dhe sa e marrin vesh, largohen për në Maqedoni apo Mal të Zi. Unë ndërtoj në Romë dhe nuk arrij të kuptoj se si të detyrojnë për dherat t’i çosh atje dhe të paguash taksë për të. Për ndërtimet që bëj në Romë më jepnin lekë për dherat që çoja, sepse iu nevojiteshin privatëve të tjerë për mbushje”, thotë ndërtuesi Hajredin Fratari.

Shoqatat e ndërtimit dhe biznesit kanë paralajmëruar se do ta kërkojnë të drejtën e tyre deri në Gjykatë Kushtetuese. Një vendim i tillë, në fund të fundit do të rëndojë në kurriz të konsumatorëve, të cilët do të ulin fuqinë blerëse për shkak të rritjes së çmimeve në ndërtim

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura