Tha se po konsideronte dorëheqjen pasi bashkëshortja e tij u mor nën hetim, kryeministri i Spanjës zbulon vendimin që ka marrë

Apr 29, 2024 | 11:23
SHPËRNDAJE

Pedro Sanchez, kryeministri i Spanjës, ka njoftuar se do të qëndrojë në detyrë.

sanchez

Vendimi i Sanchez vjen disa ditë pasi njoftoi papritur se po konsideronte dorëheqjen nga detyra, pasi një gjykatë në Madrid hapi një hetim ndaj bashkëshortes së tij, Begona Gomez.

Hetimi pasoi një ankesë nga grupi i presionit Manos Limpias (Duart e Pastra), i cili ka pasur lidhje në të kaluarën me të djathtën ekstreme të Spanjës.

Në një fjalim mëngjesin e sotëm, Sanchez tha se vendosi të vazhdojë si kryeministër dhe bëri thirrje për një reflektim kolektiv, si dhe pastrimin e atyre që ai i përshkroi si praktika toksike në jetën publike.

Ai i bëri thirrje shoqërisë spanjolle që të bëhet shembull dhe frymëzim për botën.

Pedro Sanchez njoftoi të mërkurën se do të anulonte të gjitha angazhimet zyrtare për të reflektuar për të ardhmen e tij. Kryeministri spanjoll mori vendimin pasi një gjykatë hapi një hetim ndaj gruas së tij mbi pretendimet për korrupsion.

Sánchez ka këmbëngulur se akuzat janë orkestruar nga mediat e krahut të djathtë.

Megjithatë, të enjten, prokurori publik i Madridit bëri thirrje që hetimi të mbyllej për mungesë provash dhe Manos Limpias gjithashtu pranoi se akuzat mund të ishin të rreme sepse ato bazoheshin në lajme të publikuara në internet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura