Lidhja mes ekonomive: Roli katalizator i pagesave ndërkufitare me kosto të ulët në Ballkanin Perëndimor

May 14, 2024 | 19:53
SHPËRNDAJE

Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin PerëndimorNGA XIAOQING YU
*Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor

Në një epokë ku transformimi dixhital po dikton progresin ekonomik, rëndësia e transaksioneve ndërkufitare të biznesit në mënyrë të pandërprerë dhe me kosto efektive nuk mund të nënvlerësohet. Veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat aspirojnë të ndërveprojnë më ngushtë me njëri-tjetrin dhe me Bashkimin Evropian, ulja e kostos së transfertave ndërkombëtare të pagesave mes bizneseve është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin në tregjet globale.

Duke patur parasysh gjendjen e vështirë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe që shpesh operojnë me marzhe të ulëta, tarifat e tepruara të transaksioneve nuk përbëjnë vetëm shqetësim, por edhe barriera që mund t’i pengojnë ata të përfshihen në tregtinë ndërkufitare. Ulja e këtyre kostove mund të përmirësojë ndjeshëm ekuilibrin, duke rritur konkurrencën dhe duke nxitur një mjedis të favorshëm ku bizneset mund të fokusohen më shumë në inovacionin dhe zgjerimin në vend që të përballen me pengesat financiare.

Sipas një vlerësimi të fundit të Bankës Botërore, transferimi i 5,000 eurove ndërmjet bizneseve të vogla dhe të mesme brenda Ballkanit Perëndimor është mesatarisht 10 herë më i kushtueshëm sesa kryerja e transaksioneve të ngjashme brenda Zonës së Pagesave Vetëm në Euro, të njohur si SEPA. Nëse shuma e transaksionit rritet në 20,000 euro, pabarazia e kostos rritet dhe kosto e transaksionit bëhet deri 17 herë më e lartë se ajo e transfertave ndërmjet vendeve SEPA.

SEPA është një iniciativë që lehtëson transfertat bankare në euro duke i trajtuar të gjitha pagesat në euro brenda shtrirjes së saj gjeografike në mënyrë të barabartë, pavarësisht nëse ato janë të brendshme apo ndërkufitare. Qëllimi i SEPA-s është të krijojë një zonë pagesash pa probleme për të rritur efikasitetin, për të ulur kostot dhe për të rritur konkurrencën. Nga SEPA përfitojnë veçanërisht ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme duke përafruar praktikat e pagesave dhe kuadrin ligjor në të gjithë vendet pjesëmarrëse, të cilat përfshijnë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe disa nga vendet dhe territore jashtë Bashkimit Evropian.

Njëkohësisht, modernizimi i sistemit të pagesave do të ofronte avantazhe të rëndësishme për bizneset brenda SEPA-s që kërkojnë të angazhohen në tregti me vendet në Ballkanin Perëndimor. Për shembull, nëse një kompani nga vendet SEPA kërkon të transferojë 5000 euro te një homolog në një nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor aktualisht përballet me kosto transaksioni 12 herë më të lartë se dërgimi i së njëjtës pagesë tek një homolog në një vend tjetër SEPA.

Në nivel makro, rëndësia e lehtësimit të transfertave më të ulëta mes bizneseve shtrihet përtej përfitimeve të menjëhershme financiare. Është një dëshmi e angazhimit të Ballkanit Perëndimor për të nxitur një treg sa më të integruar. Kosto më të ulëta të transaksioneve mund të çojnë në një cikël të vlefshëm të rritjes së volumeve tregtare, flukse më të mira monetare për bizneset dhe një rritje të investimeve të huaja direkte. Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë mënyra për të përshpejtuar rritjen e tyre ekonomike, për të kapërcyer hendekun e zhvillimit me Evropën Perëndimore dhe për të përmirësuar standardet e jetesës për popullsitë e tyre.

Duke njohur përfitimet e mundshme, Banka Botërore ka bashkuar forcat me partnerë të ndryshëm, duke përfshirë Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe Sekretariatin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, për të ofruar asistencë teknike, të financuar nga Bashkimi Evropian. Ne jemi po ashtu të gatshëm të angazhojmë financime për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për të përmirësuar sistemet e tyre vendase të pagesave të shpejta, në mënyrë që ato të përfitojnë plotësisht nga mundësitë e ofruara nga SEPA.

Një aspekt kyç i ndihmës sonë është përafrimi me rregulloret e pagesave të Bashkimit Evropian dhe standardet e tjera që do të lehtësonte pjesëmarrjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në SEPA, duke përmirësuar kështu aksesin në treg dhe duke nxitur integrimin ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Evropian.

Një tjetër aspekt thelbësor i kësaj nisme është zhvillimi dhe zbatimi i Sistemeve të Pagesave të Shpejta. Këto sisteme janë inovative, që bëjnë të mundur transferime të menjëhershme të parave 24/7. Këto sisteme janë të përforcuara nga aspekte moderne si teknologjia e kodit QR dhe përdorimi i proxy-ve si numrat e telefonit celular. Progresi drejt dixhitalizimit është i qartë dhe për arsye të mira. Hulumtimet nënvizojnë ndikimin e rëndësishëm të shërbimeve financiare dixhitale: një rritje prej 10% në adoptimin e pagesave dixhitale mund të tkurrë ekonominë informale të një vendi me afërsisht 2%.

Ndërsa përgatitemi për Samitin e ardhshëm Rajonal të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi që do të mbahet këtë javë, është e rëndësishme të pranojmë se ulja e kostove të transaksioneve mund t’i bëjë produktet dhe shërbimet e Ballkanit Perëndimor më konkurrues në tregun e Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ato gjithashtu mund të nxisin bizneset nga Bashkimi Evropian dhe SEPA për të investuar dhe zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.

Si përfundim, ulja e kostos së transfertave të pagesave biznes-biznes ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe SEPA-s nuk është thjesht një nxitje financiare – është një strategji e shumanshme që synon rritjen ekonomike, integrimin dhe stabilitetin. Ajo hap rrugën për një të ardhme ku bizneset, të mëdha dhe të vogla, mund të konkurrojnë në një fushë loje të barabartë, ku inovacioni të lulëzojë dhe ku Ballkani Perëndimor mund të afirmohet me më shumë besim në skenën evropiane dhe globale. Si të tilla, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë për të fituar nga anëtarësimi në SEPA dhe modernizimi i sistemeve të pagesave. Shpërblimi – një rajon më i begatë, i integruar dhe më i qëndrueshëm, ndaj ia vlen përpjekja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura