Fitoret një mirazh, te Juventus edhe Dushan Vlahoviç del kundër trajnerit Alegri

Apr 29, 2024 | 11:29
SHPËRNDAJE

Te Juventusi tani të gjithë shpresojnë që ky sezon të përfundojë sa më shpejt. Ndaj Milanit vjen një tjetër barazim zhgënjyes, ndonëse ndryshe nga ndeshjet e fundit, të shtunën “Zonja e Vjetër” meritonte ndoshta ta fitonte sfidën, duke gjetur përballë një Milan që në pjesën e parë jo vetëm nuk bëri asnjë goditje në portë, por as në të dytën nuk kërkoi kurrë që të fitojë takimin.

alegri vlahovic

Nga ana tjetër, edhe Juventusi nuk shkëlqeu në pjesën e parë, ku të vetmen goditje e bëri Vlahoviç, pas një goditje dënimi të përplasur në mënyrë dhe të ekzekutuar nga ai, por në të dytën ishte thjesht pafat dhe ndoshta edhe shumë nervoz. Ai që mendoi të nxisë ambientin ishte Masimiliano Alegri, i cili në të 62- ën thërret në stol Vlahoviçin dhe duke hedhur në fushë Kiezën e Milik që ndezin pa dyshim ritmet e ndeshjes. Por kur sheh në të 87-ën një top të mbetur mbi vijën fatale pas daljes së gabuar të Sportielos (Menja u dëmtua në nxehje) që Çau e largon në goditje këndi, atëherë kuptohet se ky vit ndoshta ka qenë i mallkuar për Juventusin dhe gjithçka shpresohet që të përfundojë sa më shpejt.

Në fund, të dyja skuadrat ndanë nga një pikë, e cila nuk i ndryshon asgjë renditjes së tyre, ndonëse bardhezinjtë mbeten të rrezikuar deri në fund për të humbur edhe vendin e tretë, ndonëse zona Champions tashmë është vetëm çështje matematike që të zyrtarizohet. Gjithsesi, asgjë nuk mjafton në Torino… Rikthimi në Champions dhe finalja e Kupës së Italisë, madje edhe sikur ta fitojnë këtë trofe, duket se nuk do të shpëtojë Masimiliano Alegrin. Ndërsa ultrasit e duartrokitën, me grupimin “Viking” që kishin bërë edhe një banderolë të personalizuar për livornezin si mbështetje, pjesa tjetër e stadiumit ishte e gjitha kundër “Konti Maks”.

Madje, më e keqja ishte se dje edhe Dushan Vlahoviç doli hapur kundër trajnerit të tij. Në të 62-ën, kur ai e thërriti në stol, Vlahoviç vendosi që të dalë nga vija fundore, i dha një goditje të fortë flamurit të këndit dhe injoroi trajnerin e tij teksa u ul shumë nervoz në stol. Të gjitha kamerat ishin drejtuar nga serbi, i cili shihet si një ndër besnikët e Alegrit, por kur edhe Vlahoviç u revoltua me trajnerin e tij kuptohet qartë se tensioni në Torino ka kapur majat dhe pa dyshim që pjesa më e zjarrtë dhe e frikshme e sezonit do të jetë ajo e vlerësimeve menjëherë pas javës së fundit.

Tani më shumë se kurrë “Konti Maks” rrezikon, ndërkohë që hija e Tiago Motës rreth tij sa vjen e bëhet më e dendur por edhe ndaj shumë prej lojtarëve bardhezi, që tashmë duket se e kanë mbyllur ciklin e tyre me Juven, duke nisur nga Aleks Sandro e deri te Mois Ken e Arkadiuzh Milik. Të gjithë do të kalojnë në sitë dhe revolucioni i radhës te “Zonja e Vjetër” duket i pashmangshëm…

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura