“VATRA”, 112 vjet dritë e shenjtëruar e shqiptarisë!

Apr 29, 2024 | 9:31
SHPËRNDAJE

NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ piroahmetajkk

I privilegjuar për ftesën si dhe mundësinë për t’u mbledhur/bashkëbiseduar rreth “VATRËS” së shenjtë shqiptare me autoritetet, personalitete dhe patriotë mendjehapur në selinë e saj në New York, SHBA. Në pamundësi për të shprehur të gjithë mirënjohjen jo vetëm për mikpritjen fisnike, para se gjithash për “VATRËN”, që në memorien e familjes sime, besoj edhe të mbarë shqiptarëve mbetet si institucion i shenjtëruar për orientimin Euroatlantik jo vetëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në USA, por edhe për lobingun (Shtëpia e Bardhë, Senati, Kongresi dhe DASH), përpjekjet dhe kontributet elitare për zhvillimin e interesave mbarëkombëtare.

Prandaj në këtë datëngjarje të historisë kombëtare (112-vjetori), përulemi ndaj themeluesve, dy ikonave mëndjendritur Noli dhe Konica si dhe të shprehim nderimin më të thellë për kontributorët me peshë, një listë të gjatë patriotësh mendjehapur të mbledhur rreth misionit kombëtar të “VATRËS”.

Me këtë rast përsëris publikisht konsideratat më të larta për vizionin Euroatlantik, përulësinë fisnike, përkushtimin shembullor si dhe përpjekjet gjithëpërfshirëse të kryetarit, zotit Elmi Berisha, sekretarit, dr. Pashko Camaj, kryetari i degës së “VATRËS” në Queens, dr.Skënder Murtezani, si dhe ndaj editorit të gazetës “Dielli”, z. Sokol Paja.

Nga ana tjetër, në “kapacitetin e ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s” në vijim mund/do të gjeni një përmbledhje jo vetëm mbi impresionet personale, por rreth rrethanave historike, misionit, përpjekjeve, vlerave, kontributeve përgjatë 112 viteve si dhe tri rekomandime vëllazërore për ta mbajtur të ndezur në shekuj jo vetëm në SHBA dritën e shenjtëruar të “VATRËS”.

* * *

Siç besoj është e mirënjohur në mbarë shqiptarinë, Federata Panshqiptare “VATRA” është themeluar më 28 prill 1912. Misioni i “VATRËS”: “Garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe lobimi në Uashingtonin zyrtar për njohjen, mbrojtjen, promovimin dhe zhvillimin e interesave mbarë kombëtare”.

Takimi i parë që i bashkoi pothuaj të gjitha shoqatat e shqiptarëve në USA për të themeluar një federatë të vetme (VATRA), u zhvillua pothuaj një vit para pavarësisë (më 24 dhjetor 1911) në Boston, ku mori pjesë edhe shoqata me “Besa-Besën”. Në këtë takim ishin të pranishëm patriotët: Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams, Paskal Aleksi dhe Vait Mira.

Përpjekjet dhe takimet vijuan deri në datën 28 prill 1912, datë kur “VATRA” u regjistrua, pra që shënon edhe datën zyrtare të themelimit të saj. Në procesverbalin e takimit thuhet: “Federata PanShqiptare e Amerikës ‘VATRA’ u themelua prej shoqërive ‘Besa-Besën’, ‘Flamuri i Krujës’, ‘Shoqërisë Kombëtare’, ‘Mirëbërësja’ dhe ‘Skënderbeu’, ndërsa shoqatat ‘Dallëndyshja’ dhe ‘Malli i Mëmëdheut’ nuk ishin të pranishme, por konfirmuan anëtarësinë e tyre në këtë federatë/VATRA”.

Në këtë takim historik u ngrit një bord i përkohshëm me patriotë të shquar që mbeten të skalitur edhe si bashkëthemelues në memorien institucionale të “VATRËS” si Fan S. Noli, Llambi Çikozi, Faik Konica, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere, Kosta Kota. Kostandin Çekrezi si dhe vëllezërit Pani nga Dardha. Ndërsa drejtues të gazetës “Dielli” (nga Fan Noli në 15 shkurt 1909) ishin Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Elia Tromara, Kosta Vasili dhe Paskal Aleksi.

Duke konsideruar konfuzionin dhe vakumin politik në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, “VATRA” funksionoi në formën e një qeverie shqiptare në mërgim. Në këto momente kritike për kombin, “VATRA” delegoi/dërgoi Nolin e madh dhe Konicën mendjendritur në Europë për të avokatuar dhe mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë. Ata qëndruan në Europë derisa lufta përfundoi, ndërsa në këtë periudhë “VATRËN” e drejtoi patrioti i mirënjohur, z. Kol Tromara.

Gjatë këtyre viteve me trazira, “VATRA” shkëlqeu me fushatën lobuese gjatë Konferencës së Paqes në Paris më 1919, duke influencuar vendimin e delegacionit amerikan. Patrioti Kristo Dako iu bashkua delegacionit në vitin 1919, ndërsa Mihal Turtulli dhe Mehmet Konica u aktivizuan në negociatat me italianët për krijimin e qeverisë provizore shqiptare si dhe përgatitën Kongresin e 1918-s. Po ashtu, në dhjetor 1918, “VATRA” mbajti fushatën për mbledhjen e fondeve në mbështetje të delegacionit në Konferencën e Paqes, ku shqiptarët në SHBA mblodhën rreth 150.000 dollarë.

Janë të skalitura në memorien e historisë kombëtare mbështetja kritike në luftën e Vlorës 1920 kundër pushtuesve italianë (rreth 300 patriotë-luftëtarë nga “VATRA” u vunë nën komandën e mikut të Nolit, Baba Ahmet Turanit) si dhe pavarësisht oponencës me mbretërinë apo qasjes së Partisë Komuniste, Vatrabët kontribuuan edhe në luftën për çlirimin nga okupatoret nazifashistë.

Mbas vendosjes së regjimit komunist, “VATRA” e shqiptarëve në USA u kthye në një tempull i shenjtë shprese për mërgimtarët, të afërmit e tyre dhe mbarë shqiptarët. Gjenden të arkivuara në arkivat e DASH/CIA, përpjekjet dhe sakrificat e “VATRËS” dhe shqiptarëve në USA për shkëputjen nga blloku komunist/Stalinist, rrëzimin e regjimit si dhe orientimin e shqiptarisë në kampin e vlerave euroatlantike.

Për këdo të interesuar, mund të gjejë informacione/prova zyrtare (tashmë të deklasifikuara ) dhe të përmbledhura mjeshtërisht në librin e z. Albert Lulushi “Operation Valuable Friend = the CIA’s First Paramilitary Strike against Iron Curtain”, të cilat provojnë përpjekjet e “VATRA”-s në bashkëpunim me SHBA-të për të rrëzuar regjimin komunist si dhe ndryshuar rreshtimin gjeopolitik të kombit shqiptar.

Në vitet 1990, “VATRA” dhe “Zëri Amerikës” u shndërruan në oksigjen shprese të lëvizjes demokratike të vendit, që për 45 vjet ishte vrarë, burgosur, varfëruar dhe rraskapitur nga regjimi komunist. Ndërsa nuk mund të lëmë pa përmendur edhe vitin 1999, kur grumbullimet në Washington, New York etj., pra flamuri kombëtar, zëri dhe kontributet e “VATRËS” për çlirimin nga pushtimi gjakatar i Millosheviçit do të mbeten përjetësisht të skalitura në memorien e ‘CNN’ si dhe historisë së mirënjohjes së kombit shqiptar.

***

Në pamundësi për të përmendur kontributet e jashtëzakonshme në 112 vite, sigurisht mund të themi që në 112 vjet, “VATRA” mbetet organizimi më gjithëpërfshirës (mbarëkombëtar) dhe më jetëgjatë i shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut dhe në mbarë kombin shqiptar. Kështu, kontributi i “VARTËS” në dobi të mbrojtjes, lobimit dhe promovimit të interesave kombëtare e ka kthyer “VATRËN” në një tempull të shenjtëruar të nacionalizmit, patriotizmit dhe shpresës së mbarë shqiptarëve.

Në shtesë, nuk mund të mos e përmendim, (sigurisht me keqardhje) që krahas imazhit, përpjekjeve dhe arritjeve, përgjatë historisë 112-vjeçare, veçanërisht pas viteve 1990, ka pasur problematika, ndasi dhe kundërshti, deri përleshje të padenja (demonstrim i dhunshëm para godinës së shenjtë të ‘VATRËS’ në blv. Bronx, NY) duke transferuar edhe në New York etj. klimën dhe paranojat egocentrike, sekserët si dhe konfliktualitetin politik të Tiranës, Prishtinës etj., për sa orientimin, qasjen dhe drejtimin e “VATRËS”.

Nuk kam kurrsesi dëshirë dhe sigurisht asnjë tagër/status të përfshihen në këtë debat, por vetëm në përulje ndaj imazhit të shenjtëruar të “VATRËS”, iu bëj thirrje vëllazërore arsyes fisnike për t’u ulur në gjunjë para flamurit dhe interesave kombëtare si dhe menaxhuar mosmarrëveshjet, apo qofshin kundërshtitë vetëm me mekanizma demokratike, në krye të së cilave mbetet vota, që siç të gjithë besoj ta dimë, ishte ilaçi që i bashkoi kundërshtitë (në ndonjë rast deri ekstreme) të Nolit të Shenjtë dhe Konicës mendjendritur.

Thënë këtë, besoj edhe më fort se përtej rreshtimeve apo kundërshtive politike (kujtojmë që ‘VATRA’ gjithsesi u krijua si organizatë jopolitike, ndërsa kujtojmë se Noli dhe Konica kishin pothuaj katërcipërisht të kundërt në pikëpamjet politike) që mund edhe të ketë dhe që mundet t’ju ndajnë, mbeten ende 1001 arsye të forta që ju/na bashkojnë rreth interesave të mbarëshqiptarëve si dhe perspektivës Euroatlantike të dy shteteve sovrane (Republika e Shqipërisë dhe Kosovës) si dhe kombit tonë të bekuar. Historia na ka mësuar se nga urrejtja për njëri-tjetrin ose kemi dalë të gjithë të humbur, ose nuk na ka çuar asgjëkund, ndërsa mbetet shumë për të bërë me dashuri për ardhmërinë e kombit tonë të përbashkët.

* * *

Për ta përmbyllur, në kapacitetin e një ndër ekspertëve me eksperiencë besoj më shumë se modeste në procesin e reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare si dhe udhëtimin drejt/pas anëtarësimit në NATO, do të dëshiroja të adresoja edhe tri këshilla vëllazërore për drejtuesit, protagonistët si dhe gjithë ‘VATRA’-nët:

Këshilla nr. 1: Duke ruajtur mesazhin e rilindasit Pashko Vasa, të mishëruar në misionin e “VATRËS”: “Feja (+Partia nga ky kontekst) e shqiptarit është Shqiptaria”, mbetet domosdoshmëri kritike për ta përditësuar, transformuar, ose më mirë modernizuar konceptin, qasjen, statusin zyrtar, strukturën e organizimit, vendimmarrjen, metodologjinë e angazhimeve si dhe cilësinë e përfaqësimit të shqiptarëve dhe të lobimit interesave kombëtare në USA.

Ndërsa për këdo që mendon, që sigurisht ka ambicie dhe mund të ketë edhe një projekt ndryshe, zgjidhjen e gjen në kombin që mbetet model i lirisë (USA) dhe simbol i demokratëve në mbarë botën. Pra, zgjidhjen e gjen vetëm te vota e lirë, me fjalë të tjera të përballen/t me votë për t’u bërë shumicë, pra ose të marrë përgjegjësitë e drejtimit ose integrohet me integritet dhe vlera komplementare në projektet për zhvillimin dhe modernizimin e “VATRËS”. Zgjidhje tjetër më të mirë nuk ka gjetur gjerëzimi, SHBA/BE dhe shoqëritë e demokratike deri më sot për të tejkaluar mosmarrëveshjet në sipërmarrjet me peshë kombëtare.

Këshilla nr. 2: Institucionalizimin e përpjekjeve të “VATRËS” duke nënshkruar marrëveshje Mirëbesimi (MoU) me respektivisht të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë si dhe faktorët shqiptarë në Preshevë dhe Medvegjë.

Këshilla nr. 3: Ngritja e një bordi të urtësh ose të mençurish (Wise Group) me personalitete të spikatura, gjithëpërfshirëse si dhe mundësisht sa më të gjithëpranuar në mbarë kombin, si një mekanizëm që kurrsesi nuk dublikon dhe as rivalizon, por vetëm do të këshillojë dhe komplementojë përpjekjet lobuese të autoriteteve drejtuese të “VATRËS” në Washington si dhe respektivisht kryeqytetet e Shqiptarisë.

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që jetojnë, mirënjohje mbarë kombëtare për “VATREN” e shenjtë si dhe partneritetin strategjik me SHBA dhe NATO-n!

* Ekspert për SK, Rajonin dhe NATOn, Zv.President i Këshillit Atlantikut dhe ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD. Këshilltar i Presidentit, Zv.ShShPFA, Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/ NATO.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura