Fjalnaja absurde mbi Bankën e Shqipërisë

May 15, 2024 | 9:50
SHPËRNDAJE

NGA FATOS ÇOÇOLI fatoscocoli

Në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, ku duam të integrohemi sa më shpejt, imazhi dhe vlerat e një banke qendrore janë gati të shenjta. Kjo ndodh, pasi këtij institucioni i besohet me ligj politika monetare(e monedhes) e vendit, qëndrueshmëria financiare e tij, kontrolli ndaj inflacionit dhe shëndeti i depozitave bankare të qytetarëve,s i dhe i huave bankare që ata marrin.

Prandaj dhe ne duhet t’i kushtojmë rëndësi çdo fjalnaje që sulmon këtë institucion, sado e pabazë qoftë ajo. Dhe fjalnaja e fundit, ajo mbi “gabimet” dhe “fajet” e bankës sonë qendrore, që gjoja nuk e ka mbikqyrur si duhet dhe nuk ka vepruar në kohë, në rastin e një veprimtareje ne tregun e shitblerjes se huave me probleme, si kompania “Micro Credit Albania”, duhet parë me vëmendje, pavarësisht arësyeve të gjobvënies që e prodhuan këtë fjalnajë. Kuptimi i aktivitetit “shitblerje e kredive me probleme” u shfaq në tregun tonë financiar në vitin 2012, pas krizës financiare botërore të viteve 2008-2010.

Si pasojë e kësaj krize të rëndë, në vitet 2013-2014, edhe bankat tona tregtare kishin grumbulluar një sasi të konsiderueshme kredish me probleme(të pashlyera në kohë). Niveli i këtyre lloj huave në atë kohë kishte kaluar 25 përqind, ose një të katërtën e gjithë kredive të sistemit tonë bankar. Në kushtet e rëndimit të pasojave të krizës financiare në Greqi dhe efekteve të saj në sistemin tonë financiar shqiptar, ky nivel përbënte një minë lundruese tejet të rrezikshme.

Mina kishte fuqinë të cënonte drejtpërdrejti parametrat kryesorë të shëndetit bankar të Shqipërisë, duke u kthyer në një kërcënim serioz ndaj miliarda eurove dhe lekëve kursime të qytetarëve, të depozituara pranë bankave të nivelit të dytë. Banka e Shqipërisë, banka jonë qendrore, e vetëdijshme se një nga misionet e e saj kryesore është edhe ruajtja e qëndrueshmërisë financiare të vendit, e pa të domosdoshme marrjen e masave të menjëhershme, për të ulur stokun e kredive me probleme. Ky stok në atë kohë konsiderohej me të drejtë problem i një rëndësie kombëtare. Në shtator të vitit 2015, u miratua “Plani Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme”. Ky plan, i cili u nënshkrua nga kryeministri dhe guvernatori i bankës qendrore, përcaktonte një sërë detyrash për institucionet qeveritare dhe për Bankën e Shqipërisë.

Ndër detyrat e bankës qendrore ishte pikërisht rregullimi dhe licencimi i shoqërive që do të angazhoheshin në blerjen e kredive me probleme. Një nga format e propozuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, për ta futur nën kontroll kënë minë lundruese, ishte aktivizimi i shoqërive që kishin si objekt blerjen e kredive me probleme, një praktikë kjo shumë e njohur ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër, kjo zgjidhje gjente mbështetje edhe në dispozitat e Kodit Civil. Dhe në fakt, në vitet 2014-2015, kur bankat tregtare në Shqipëri e panë veten të ngarkuara fort me hua me probleme, në bazë pikërisht të Kodit Civil, ato nënshkruan kontrata me kompani private, që merrnin përsipër blerjen e kredive të këqija(të pashpresa për t’u kthyer) dhe rekuperimin e një pjese të fondeve të dhëna hua nga bankat, përmes bashkëpunimit me kompani private përmbarimi.

Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë, që në fillim të lidhjes së këtyre kontratave, ka qenë që, në kushtet kur kredia është një produkt financiar, atëherë edhe transferimi i këtij produkti duhet të bëhet drejt kompanive të licencuara, të lejuara nga Banka e Shqipërisë për aktivitet financiar. Ja pse, me vendimin e Këshillit të saj Mbikëqyrës në mars 2016, për njohjen e blerjes së kredive si aktivitet kredidhënës, Banka e Shqipërisë njoftoi bankat tregtare që kishin lidhur këto kontrata, se procesi i mbledhjes së kredive me probleme është pjesë e procesit të kredidhënies dhe si i tillë, nuk mund të kryhet nga kompani të palicencuara nga Banka e Shqipërisë.

Këto kompani duhet të licencoheshin nga Banka e Shqipërisë, si dhe t’i nënshtroheshin të gjitha detyrimeve rregullatore dhe mbikëqyrëse të saj. Këto përfshinin detyrimisht raportimin në Regjistrin e Kredive, raportime periodike pranë Bankës së Shqipërisë, administrimin e riskut nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave nga jashtë, etj. Ja pse edhe kompania “Micro Credit Albania”, e cila ishte një nga këto kompani të kontraktuara nga bankat tregtare, që e ushtronin këtë aktivitet, u pajis me leje nga banka jonë qendrore, si dhe disa kompani të tjera të ngjashme.

Në vitet 2017-2022 që vijuan, zgjerimi i këtij sektori u shoqërua me përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor e rregullativ ekzistues nga Banka e Shqipërisë, ku u përfshinë kërkesa të reja rregullatore, për të normuar më mirë procesin e lejimit dhe provigjionimit të kredive të blera, si dhe rregullime që synonin mbrojtjen e konsumatorit. Vendosja e kufirit 30% mbi penalitetet dhe kufizimet në normën efektive të interesit, ishin vetëm disa nga masat që u ndërmorrën, për tú ardhur në ndihmë kredimarrësve. Në rastin e kompanisë “Micro Credit Albania”, veprimtaria kryesore e saj ka qenë rikuperimi i kredive me probleme të blera nga bankat dhe subjektet e tjera financiare jo-banka(shoqeri mikrokredish, etj.).

Njëkohësisht, kjo kompani ka pasur edhe një portofol kredish të dhena prej saj. Nga momenti i licencimit në vitin 2016, kompania i është nënshtruar në mënyrë të rregullt inspektimeve të Bankës së Shqipërisë, disa ekzaminimeve të plota dhe të pjesshme, si dhe një monitorimi 3- mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë të raportuar prej saj. Pas inspektimeve të kryera, masat e marra ndaj institucionit kanë qenë në përputhje të plotë me kuadrin rregullativ dhe në përpjesëtim me shkeljet e gjetura. Në ekzaminimin e fundit në dhjetor 2023, banka jonë qendrore merr një masë mbikëqyrëse edhe më te rëndë. Kompania “Micro Credit Albania”, pas shkeljeve të njëpasnjëshme të konstatuara dhe mosreagimit për ndreqjen e tyre, nuk mund të ushtrojë asnjë nga veprimtaritë për të cilat është licencuar, si të gjitha format e kredidhënies, blerjen e kredive, procesin e trajtimit dhe të ristrukturimit të kredive, etj.

U lejua vetëm të shiste portofolin që administronte tek kompanite e tjera të licencuara nga Banka e Shqipërisë, për të ushtruar këtë aktivitet. Qëndrimi i bankes sonë qendrore për të mos shkuar deri në revokimin(heqjen) formal të licencës, lidhet me kujdesin për të shmangur problemet sociale që do ta shoqëronin këtë vendimmarrje. Po t’i hiqte lejen, kompania dotë ishte jashtë kontrollit dhe mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë. Pra, “Micro Credit Albania” nuk do të raportonte më në Regjistrin e Kredive dhe nuk do të vijonte komunikimin me Bankën e Shqipërisë, duke krijuar kështu situata më të rënda, në raport me detyrimet e kredimarrësve.

Po ashtu, heqja e licencës do ta bënte të pamundur për Bankën e Shqipërisë, qe të trajtonte ankesat e klientëve të kompanise “Micro Credit Albania”, duke krijuar situata më të rënda për kredimarrësit. Nga ana tjetër, heqja e lejes, revokimi nuk do t’i shpëtonte kredimarrësit nga procedurat përmbarimore. Këto detyrime përbëjnë tituj ekzekutivë dhe, si të tillë, janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor, edhe pasi licensa është revokuar. Dhe mbi të gjitha, heqja e licencës do të krijonte edhe pritshmërinë e gabuar të huamarrësve, se përmes revokimit të licencave të kompanive kredidhënëse mund të shuhet edhe detyrimi i tyre për kredinë e marrë dhe të pakthyer.

Kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila do të risillte rritjen e kredive me probleme në sistemin tonë bankar, duke rivendosur në rrezik kursimet e qytetarëve e rrjedhimisht qëndrueshmërinë financiare të vendit. Dhe kjo nuk mund të ndodhë! Prandaj dhe veproi në këtë mënyre banka jonë qendrore, pa kryer “gabimet” dhe “fajet” që i ngarkohen nga fjalnaja. Gjatë viteve 2015–2024, kanë ardhur dhe janë trajtuar në Bankën e Shqipërisë vetëm 85 ankesa dhe kërkesa të qytetarëve ndaj kompanisë “Micro Credit Albania”.

80 përqind e këtyre 85 ankimeve nga klientët e kësaj shoqërie, lidhen me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm të detyrimit, nga shërbimi përmbarimor. Janë pikërisht këto problematika që rëndojnë sot tek qytetarët. Mirëpo, në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin osepezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i njihet vetëm gjykatës kompetente. Veprimtaria e shërbimit përmbarimor, qoftë ky i organizuar në formë shtetërore apo private, nuk licencohet apo mbikëqyret nga banka jone qendrore. Si rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli i Bankës së Shqipërisë. Mos të harrojmë që ligji e përcakton saktë se autoriteti ligjor i bankës sonë qendrore përfundon, në momentin që gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer.

Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore), është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj. Nuk mund të varim në qafë të bankës sonë qendrore këmborë që nuk i takojnë! Në të kundërt. Duhet ta ruajmë atë nga sulmet gjobvënëse dhe fjalnajat që tentojnë të ulin imazhin e saj, pse na dëmtojnë të gjithë ne si qytetarë në interesa tona jetike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura