Vendimi surprizë, Qeveria ul në 6 për qind TVSH-në për turizmin

Apr 6, 2017 | 14:26
SHPËRNDAJE

Ulet TVSH-ja për turizmin në 6 për qind. Qeveria miratoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave uljen e TVSHsë për strukturat akomoduese në turizëm, nga 20 për qind në 6 për qind.

Projektligji për uljen e TVSH-së përmbush një nga kërkesat e vazhdueshme të sektorit të turizmit, por edhe një premtim të programit elektoral të Partisë Socialiste.

auto_qeveria_mbledhje1475738024

“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në relacionin e projektligjit të miratuar nga qeveria.

Nga ulja e taksës, sipas të dhënave të Shoqatës së Turizmit, do të përfitojnë 4 mijë hotele dhe bujtina me një kapacitet akomodues prej 60 mijë shtretërish. Efekti i pritshëm nga ulja e taksës prej 14 për qind pritet të jetë në uljen e çmimeve të hoteleve të zonave turistike, por edhe në rritjen e cilësisë së shërbimit. Kompanitë e industrisë së turizmit do të paguajnë më pak taksa dhe kjo do t’i lehtësojë ata për t’i kthyer në investime, por edhe në ulje çmimi. Operatorët turistikë prej vitesh kanë ngritur shqetësimin se niveli i lartë i kësaj takse, e ka bërë vendin me çmime më pak konkurruese në rajon, por edhe në rënien e kërkesave për investime.

Sipas të dhënave, 43 për qind e turizmit përbëhet nga eksporti, dhe TVSH-ja nga strukturat akomoduese paguhet për shtretërit ose për paketën e plotë të shërbimit që ofrohet. Por duke qenë se pagesa e paketës totale për akomodim në hotel përbën 20 deri në 30 për qind të shpenzimeve për ushqim dhe argëtim, Bashkimi Europian ka dhënë rekomandimin që nga viti 2007 që TVSH-ja për turizmin të ulet, 7 deri në 15 për qind.

Tatimi mbi vlerën e shtuar në këto nivele aplikohet në të gjitha vendet e Europës, ku mesatarisht aplikohet një taksë prej 10 për qind, ndërsa në rajon mesatarja e taksës është 7 për qind. Konkretisht, në Maqedoni TVSH-ja për turizmin është 5 për qind, në Greqi 6 për qind, në Mali i Zi është 7 për qind, ndërsa në Kosovë është 8 për qind.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura