Universitetet/ Sot fituesit e parë në katër fakultete, ja cilët kanë gati emrat. Si vijon gara, datat dhe afatet e regjistrimit

Aug 27, 2019 | 10:20
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Ndonëse afati zyrtar i shpalljes së listave zyrtare është data 30 gusht, katër fakultete, nga gjashtë që ka Universiteti i Tiranës, kanë gati që sot emrat e fituesve.

Universiteti-Filologjiku

Ashtu siç bënë vitin e kaluar, Fakulteti i Ekonomisë, ai i Gjuhëve të Huaja, ai i Histori-Filologjisë dhe Drejtësia kanë marrë mesditën e djeshme listat me ID e kandidatëve, bashkëngjitur edhe rezultat e tyre, mbi bazën e të cilave edhe formulat përkatëse të pranimit, me anë të të cilave do të kalkulojnë pikët për secilin aplikant për të bërë kështu renditjen e tyre nga më i miri e deri tek ai me më pak pikë.

“Panorama” mëson se rezultatet do të jenë gati mëngjesin e sotëm të firmosura nga dekanët dhe do të bëhen publike përmes një deklarate për mediat. Veç lajmit nëse kanë fituar apo jo, do të mësohen edhe vendet bosh që mbeten me regjistrimin e të rinjve që mund të kenë fituar në të gjitha profilet, duke krijuar kështu mundësi reale për dhjetëra kandidatë në listë.

E pritshme është që lista e parë e fituesve të jetë për ekselentët, të cilët e kanë të qartë zgjedhjen e tyre, por kanë plotësuar gjithsesi dhjetë degë, duke ezauruar mundësinë për nëntë të tjerë në radhë. Por shpresa nuk humbet në nënfazat e raundit të parë e më pas dy raundet e tjera deri në tetor për vendet që mbeten të paplotësuara, si në universitetet publike, ashtu edhe ato private.

regjistrimet-universitet

Mjafton të respektohet nota mesatare e vendosur nga këshilli i ministrave dhe kushtet e fakulteteve për të riaplikuar për kuotat e paplotësuara. Duhet theksuar se këtë vit, kuotat janë thuajse të njëjta, ndërsa mundësitë e kandidatëve më të mëdha. Kjo, për shkak të numrit të ulët të aplikantëve të regjistruar.

Trendi zbritës i të rinjve që kërkojnë të arsimohen vijon, për shkaqe multifaktoriale si rënia e lindshmërisë, braktisjet e maturantëve që kërkojnë të studiojnë jashtë vendit apo edhe notës kufi të qeverisë që ka penalizuar jo pak maturantë. Në tabelën përbri janë afatet e regjistrimeve për këtë raund si dhe vijimi i garës së aplikimeve për dy raundet e tjera.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura