TVSH e turizmit/ Ulja e taksave, ja bizneset dhe hotelet që përfitojnë

Apr 10, 2017 | 7:20
SHPËRNDAJE

Të gjitha hotelet dhe bujtinat në vend do të jenë përfituese të uljes së TVSH-së në turizëm nga 20 për qind, në 6 për qind.

lera

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, në intervistën për “Panorama” shpjegon se janë rreth 4 mijë struktura akomoduese në vend me kapacitetet prej 50 mijë shtretërish, që do të jenë pjesë e skemës për të përfituar nga ulja e taksës.

Ulja e TVSH-së ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e sektorit të turizmit, por kreu i Politikave Fiskale, Lera, shpjegon se kjo do të ndikojë edhe në formalizimin e sektorit dhe rritjen e të ardhurave. Sipas Lerës, për formalizimin e sektorit Ministria e Financave do të nisë edhe një fushatë sensibilizuese.

Cilat janë arsyet që Ministria e Financave i propozoi qeverisë uljen e TVSH-së së turizmit nga 20 për qind në 6 për qind?

Ju e dini që sektori i turizmit ka pasur një zhvillim domethënës këto vitet e fundit, sidomos në vitin 2016 kemi 1.5 miliardë euro të ardhurat, ndërkohë që është rritur edhe pesha specifike në prodhimin e brendshëm bruto. Pra, parë në këtë kontekst dhe perspektiva e këtij sektori dhe mundësitë që ka Shqipëria për të krijuar ekspansion në këtë sektor natyrisht duhet të ketë mbështetje për politika fiskale.

Sipas Ministrisë së Financave, ulja e normës së TVSH-së në shërbimin e akomodimit nuk do të ketë efekte negative, por pozitive. Ne jemi në kushtet kur kemi përfunduar me sukses marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kemi plotësuar të gjitha objektivat dhe targetet me këtë marrëveshje dhe tashmë kemi atë lirinë apo mundësinë për të realizuar edhe politikat që shkojnë në linjë me synimet tona ekonomike, një ndër të cilat është dhe stimulimi i sektorit të turizmit.

Kjo duke pasur në konsideratë edhe rezultatet pozitive në arkëtimin e të ardhurave tatimore, qoftë në vitin 2016, por sidomos në këto tre muajt e parë të vitit 2017, që në fund të fundit reflekton edhe trendin pozitiv të rritjes ekonomike 3.5% e vitit 2016, synojmë 3.8 deri në 4% në vitin 2017, pra sektori i turizmit do të jetë në ekspansion dhe natyrisht ne kemi detyrën për ta mbështetur dhe stimuluar rritjen ekonomike. Njëkohësisht ka qenë një diskutim prej shumë kohësh norma dhe aplikimi i TVSH-së në sektorin e turizmit sepse ne duhet të jemi konkurrues dhe duhet të marrim në konsideratë edhe tarifat që aplikojnë vendet e rajonit.

Të gjitha kanë zbatuar me kohë tarifën e reduktuar, ndërkohë që ne kemi zbatuar vetëm tarifën standarde. Ndaj u pa e arsyeshme që ashtu sikurse Maqedonia, e cila aplikon TVSH-në e turizmit në 5%, apo Serbia me 10%, apo Mali i Zi me 7%, edhe Kosova aplikon tarifën e e reduktuar dhe ishte momenti që edhe Shqipëria ta ndërmarrë një hap të tillë.

Pse në këto moment?

Sepse ne jemi në kushtet kur kemi plotësuar të gjitha angazhimet tona në kuadrin e marrëveshjes me FMN-në, ku kishte edhe ajo kornizat e veta dhe marzhin e lejuar për TVSH-në. Jemi në kushtet e fillimit të sezonit dhe jemi në kushtet kur ekspansioni në turizëm ka qenë prezent. Pra, janë plotësuar të gjitha kondicionet që të ofrohet një stimul i tillë. Ministri Ahmetaj, kur ishte ministër i Ekonomisë, vazhdimisht ka promovuar edhe periudhën dhe kërkesat e kësaj industrie, dhe bëhen një tërësi faktorësh që lejojnë të propozohet një nismë e tillë.

Vendimi parashikon që TVSH-ja ulet për njësitë akomoduese. Cilat përfshihen dhe sa do të përfitojnë nga ulja e taksës?

Flitet për normën e TVSHsë së një shërbimi që ofrohet dhe nuk mund ta ndash apo ta diferencosh normën nisur nga vendndodhja e personit të tatueshëm, i cili jep këtë shërbim. Pra, ne do të taksojmë me tarifë të reduktuar të TVSH-së shërbimin e furnizimin të akomodimit dhe këtu përfshihen të gjitha strukturat akomoduese të parashikuara, apo sipas përcaktimeve në ligjin për turizmin. Ne kemi marrë dhe të dhënat nga institucionet e turizmit dhe janë 3900 njësi akomoduese të strukturës hotele, motele, hostele dhe bujtina, që kanë një tërësi numri prej 50 mijë shtretërish, mbase janë më të mëdha sepse nuk marrin parasysh një pjesë të njësive akomoduese, apo atyre që quhen turizëm familjarë.

Si do të veprohet për formalizimin e tregut, do të lihet në dorën e operatorëve apo do të ndërmerret ndonjë fushatë?

Synohet që nëpërmjet kësaj mase të nxitet formalizimi i sektorit. Do të ketë fushatë sensibilizuese dhe është parim që kur ulet barra tatimore, një nga arsyet e uljes është zgjerimi i bazës veprim-logjikë që do të ndodhë, sepse barra fiskale ulet me rreth 2/3-at dhe numri i njësive akomoduese që paguajnë TVSH do të rritet, natyrisht që do të përcaktojmë edhe procedurat e nevojshme në mënyrë që ky proces të mirë menaxhohet dhe të arrihen rezultatet e synuara nëpërmjet uljes së tarifës tatimore.

A do të ketë rënie të të ardhurave pas uljes së taksës, derisa të arrihet formalizimi i plotë i sektorit?

Patjetër që vetë logjika e uljes së tarifës nga 20% në 6 % të çon në konkluzionin që do të ketë efekt negativ, por nëse do të ketë efekt në 4-5 operatorë që operojnë në Tiranë apo në qytet tjetër, ne synojmë që nëpërmjet miradministrimit të fusim në skemë dhe të zgjerojmë bazën e taksimit të turizmit. Ju mund të shikoni shembullin e Malit të Zi. Pra, nuk mendoj që efektet do të jenë negative dhe problematike në kuptim të reduktimit të të ardhurave nga ky sektor, por një administrim i mirë, një punë e mirë e administratës fiskale dhe e strukturave që ndjekin turizmin për të qartësuar ligjin për çdo njësi akomoduese, të cilat janë në procese administrative, besoj që do të çojë në rritjen e bazës në fushën e akomodimit.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura