Studiuesja Nadin: Buzuku, një frat françeskan në Venecia

Nov 24, 2012 | 14:21
SHPËRNDAJE
Studiuesja Lucia Nadin

Ndërsa në sallën ku është ekspozuar “Meshari” i Gjon Buzukut, kishin ardhur vizitorët e radhës, në katin e dytë të Bibliotekës Kombëtare, studiuesja italiane Lucia Nadin po sillte ca fakte të reja rreth këtij libri dhe autorit të saj. “Meshari i Gjon Buzukut – perspektiva të reja kërkimi” (“Il ‘Messale’ di Gjon Buzuku – nuove prospettive di ricerca”), një parashtrim shumë interesant i studiueses, që hedh dritë mbi vendin se ku është shtypur libri i parë i gjuhës shqipe dhe mbi të gjitha cili ishte autori i tij, Gjon Buzuku. Duke qenë se faqet e para të librit, i cili tashmë është pronë e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, mungojnë, nuk jepen të dhëna mbi vendin e botimit. Mbi këtë çështje studiuesit janë ndarë në dy “kampe”, disa mendonin se është botuar në Shqipëri, të tjerë në Itali. Duke i bërë një analizë mënyrës së shtypshkrimit, llojit të germave, imazheve që shfaqen nëpër të, skenave, ornamenteve e duke i krahasuar me të tjerë libra të së njëjtës periudhë, të cilëve u dihet me saktësi vendi i botimit, Nadin vë në dukje se ka shumë mundësi që “Meshari” të jetë shtypur në Venecia. Duke i marrë germat një për një, ajo vëren se ato janë “tipike” të tipografive dhe kancelarive veneciane. “Për venecianizimin e Mesharit kanë folur edhe albanologë si Rok (Mario Roques) Rrota, Çabej etj., dhe me këto të dhëna nuk mund të ketë qenë shtypur veçse në Venecia”, tha Nadin përpara një auditori të zgjedhur, studiues e njerëz të letrave.

Meshari i Gjon Buzukut ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare

Kush ishte Gjon Buzuku
Dy tema të tjera që trajtohen në studimin e Nadin, janë edhe personaliteti i Gjon Buzukut dhe arsyeja pse libri është shtypur në Venecia. Sipas studiueses, ekziston mundësia që libri të jetë shtypur për shqiptarët e emigruar në Venecia, të cilët janë integruar shumë shpejt në Venecian e kohës. Prej kërkimeve që ajo ka bërë dhe deduksioneve të rastit, del në përfundimin se Gjon Buzuku ka jetuar në Venecia. Asokohe shumë emra shqiptarësh u italianizuan dhe në rajonin e Venecias mund të gjesh variante të tilla, si Bozakio, Buzulku, Buza, Buzio etj. Por ky nuk është argumenti më i fortë për të mbështetur tezën e saj. Ajo i referohet një lutjeje, me të cilën mbyllet “Meshari”. Është një lutje që i drejtohet Shën Jobit. Ka qenë në traditën veneciane të kohës që librat liturgjikë të mbylleshin me lutje drejtuar shenjtorëve të zonës. Në

Sankristia e kishës së Shën Sebastianit në Venecia

rrethinat e Venecias ekziston një kuvend françeskan, fretërish të varfër e të përulur. Arsyen e shtypjes në Venecia të këtij libri Nadin e gjen te periudha. Ishte një vit shqiptarizmi. Shtypjes së “Mesharit” në vitin 1555 i kishin paraprirë libra që lidheshin me figurën e Skënderbeut. “Në këto vite vihet re rishfaqja e figurës së Skënderbeut, të Shqipërisë, të rolit të saj si një tokë e mesit e Ballkanit, si një vend i besimit dhe i krishterimit”, thotë Nadin. Por një nga befasitë e këtij rrugëtimi kërkimor të saj ishte zbulimi në kishën e Shën Sebastianit në Venecia të një cikli afreskesh të realizuara nga një prej artistëve me në zë të kohës, Paolo Veronezi. Në afresket e sankristisë shquhen dy engjëj me libra në duar. Në njërin prej tyre dallohet data 23 nëntor 1555. Të jetë “Meshari”? Sipas Nadinit, e sigurt është që e gjithë kisha u dedikohet shqiptarëve, madje në të ajo ka zbuluar edhe flamurin shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura