Spital i ri i Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan, Manastirliu: Ku qëndron veçantia e tij

Aug 28, 2019 | 15:16
SHPËRNDAJE

Spitali i ri i Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan është nga sot në funksion të plotë për 275 mijë banorët e Qarkut të Elbasanit, me një standard të ri dhe modern shërbimi për urgjencën, kardiologjinë dhe neurologjinë. E ndërtuar në vitin 1976, ngrehina 3-kateshe, e cila qëndronte si gërmadhë brenda ambienteve të kompleksit spitalor të Elbasanit, u rikthye në spital modern, me kapacitet 75 shtretër dhe pajisje të reja të teknologjisë bashkëkohore.

5d667abc0ed2espital elb 1

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot spitalin e Elbasanit, investim i qeverisë me vlerë 1, 7 milion euro.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se falë angazhimit edhe të stafit mjekësor të Spitalit Rajonal të Elbasanit, investimi i ri është realizuar në kohë rekord.

Ai gjithashtu është një nga katër spitalet që janë akredituar gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2019, duke përmbushur kushtet për shërbim shëndetësor sipas kritereve bazë të kërkuara për infrastrukturën, pajisjet teknologjike spitalore, kushtet tekniko-higjienike, kualifikimin e burimeve njerëzore, ofrimin e shërbimit shëndetësor për pacientët.

“Kjo godinë ka qenë e degraduar, simbol i degradimit të sistemit. Investimi për këtë spital, infrastruktura, pajisjet biomjeksore dhe hoteleria ka shkuar në vlerën e 2,7 milionë euro. Është realizuar në kohë rekord, falë gjithë punës që ka bërë ekipi rajonal i Elbasanit. Në kushtet që ka arritur spitali, edhe falë investimit në këtë infrastrukturë, sepse dihet që Urgjenca është porta e parë e shërbimit për qytetarët, tashmë është plotësuar i gjithë standardi i akreditimit, kështu që spitali akreditohet. Urime ekipit të spitalit,” – u shpreh ajo.

Shërbimi i Urgjencës ka një kapacitet prej 25 shtretër dhe përmbush të gjithë standardet e këtij shërbimi, me sistemin e triazhimit dhe aparaturat moderne.

1566997092_spitalelb

Me investimin e ri ndryshon kryekëput Shërbimi i Urgjencës dhe Patologjisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, kjo falë edhe një konceptimi të ri dhe lehtësues të infrastrukturës së brendshme spitalore. Ministrja Manastirliu shpjegoi se:

“Veçantia e këtij spitali është që lidhet direkt me imazherinë. Imazheria ishte një strukturë e ndërtuar më parë, por fakti është që ata që vinin për shërbimet e urgjencës duhet të kalonin rrugë për të ardhur për të bërë një eko, për të bërë një skaner, për të bërë rezonancën e cila është instaluar vjet dhe tashmë është pjesë e interferuar e spitalit me 25 shtretër. Është organizuar që të ketë të gjitha shërbimet e integruara. Është i lidhur me spitalin kirurgjikal nëpërmjet një ure lidhëse. Kanë filluar shtrimet e para në kardiologji. Pra, spitali është funksional nga sot.”

Shërbimi i kardiologjisë dhe reanimacionit të kardiologjisë është pajisur me aparatura moderne të echo-s, elektrokardiogramës, provës ushtrimore, etj.. Po ashtu shërbimi i neurologjisë dhe reanimacionit të neurologjisë plotëson standardet me aparaturat e reja të ezhesë dhe aparaturat moderne në reanimacion.

Stafit mjekësor i janë bashkuar dhe mjekë të rinj specialistë.

“Mjeku neurolog ka mbaruar specializimin këtë vit. Ndihmon shumë gjithë Qarkun e Elbasanit, sepse për neurolog kishim nevojë. Tani nuk kemi pse t’i transformojmë më nga QSUT, sepse nëpërmjet telemjekësisë që është e inkorporuar në këtë spital, lidhja bëhet direkte. Madje nëpërmjet konsultave të telemjekësisë kemi arritur që të sëmurët, të cilët kanë diabet të mos vijnë më në Tiranë, por të konsultohet direkt nga gjithë spitalet rajonale me shërbimin universitar të Endokrinologjisë,” –u shpreh Manastirliu.​

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura