Situata e infektimeve/ 4 poliklinika të Tiranës hapen për vaksinim, Manastirliu: Po përgatiten masat dhe udhëzimet për vitin e ri shkollor

Aug 18, 2021 | 14:46
SHPËRNDAJE

Katër poliklinika të Tiranës tashmë do të hapen dhe do të jenë në dispozicion për qytetarët që të marrin vaksinën kundër koronavirusit.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte në një prej qendrave shëndetësore ku ndër të tjera i bëri apel qytetarëve që të shfrytëzojnë muajin e hapur të vaksinimit.

“Jemi edhe ne poliklinika ku kemi hapur pika vaksinimit. Është e vërtetë që këtë javë kemi një rritje të incidencës me dy herë. Kemi një rritje të numrit të pacientëve të shtuar në Spitalin Infektiv. Kjo tregon dhe një rritje të qarkullimit të variantit Delta. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të vijojmë me procesin e vaksinimit. Ajo çfarë vërehet në këto javë, është rritja e qarkullimit në grupmoshat mbi 55 vjeç, që janë ato që janë më të prekura. Por sigurisht ka edhe grupmosha të më të rinjve”, tha Manastirliu.

Duke folur për fillimin e vitit të ri shkollor, Manastirliu bëri me dije se po punohet për hartimin e udhëzimeve të reja, duke shtuar se masat e thjeshta si mbajtja e maskës, ruajtja e distancës dhe higjinës, duhet të respektohen.

“Ne do të vijojmë që të përqendrojmë të gjithë forcat tona përsa i përket vaksinimit. Por nga ana tjetër pa lënë mënjanë edhe masat e thjeshta, siç janë maska, distanca, higjiena. Të tre këto masa të thjeshta, të cilat janë në mbrojtje të shëndetit publik dhe që për të cilat ne do të vijojmë që të kemi masa shtesë edhe në protokollet të cilat ne jemi duke ndërtuar. Mos harrojmë që shumë shpejt do të fillojë viti i ri shkollor. Më tej do të fillojnë edhe universitetet. Janë të gjitha çështje të cilat janë në diskutim në Komitetin e Ekspertëve, me Institutin e Shëndetit Publik, për të gjitha protokollet të cilat janë duke u rifreskuar nga ekspertët tanë. Qoftë përsa i përket protokollit të fillimit të shkollave, mënyra se si do të jenë masat e thjeshta të vendosura në dispozicion të të gjithë strukturave tona, të mënyrës së kontrollit, mënyrës së verifikimit. Masat e thjeshta ne sërish do t’i quajmë si vendimtare në luftën kundër virusit”, tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, prof. Silva Bino, tha se është rritur vaksinimi me dozat e para, ndërkohë që vaksinimin e mësuesve dhe mjekëve e quajti ‘detyrim moral’.

“Kjo është një javë e cila ka bërë ndryshim në lidhje edhe me përdorimin e vaksinës por edhe me rritjen e dozave të para dyfish. Është e rëndësishme që të rrisim mbulesën vaksinale me të gjitha llojet e mekanizmave. Pra, qoftë për promovimin, qoftë me mekanizma të tjerë. Mësuesit kanë një detyrim moral të vaksinohen. Nuk vaksinohen vetëm për veten, por kanë edhe një detyrim moral me fillimin e shkollës. Ashtu siç e kanë edhe mjekët, personeli shëndetësor”, tha Bino.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura