Si ndalet djegia e monumenteve të kulturës

Aug 18, 2021 | 10:36
SHPËRNDAJE

1528227298_BlendiFevziu

BLENDI FEVZIU

Godina e njohur si Sarajet, në qendër të Tiranës, është një nga 10 godinat më të vjetra dhe pa dyshim ndër më të rëndësishmet në kryeqytet dhe në Shqipëri.

Mendohet se është ndërtuar në vitet 1830 – 1840 nga Abdi bej Toptani (1785-1862), djali i Kapllan Pashë Toptanit, varri i të cilit ndodhet në qendër të qytetit.

Abdi Beu ishte martuar me vajzën e Bushatllinjve të Shkodrës. Sarajet kanë arkitekturë tipike orientale dhe gati 32 dhoma. Aty lindi, u rrit dhe ndërroi jetë Abdi bej Toptani, nipi, luftëtar antiosman, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë, ministri i parë i Financave në historinë e shtetit shqiptar, në qeverinë e Ismail Qemalit dhe anëtar i Këshillit të Naltë në vitet 1920-1922.

Aty u vendos Ambasada e parë e SHBA në vitet 1925-1929. (Më lart dy foto të vitit 1920 për të parë si dukej nga jashtë dhe si ishte e mobiluar nga brenda. Plus dy foto të zjarrit të mbrëmshëm.)

Djegia e saj do ishte një katastrofë për trashëgiminë kulturore dhe historike të Tiranës e gjithë Shqipërisë.

Djegia apo shkatërrimi natën është një nga metodat e zakonshme për të nxjerrë jashtë funksionit monumentet e kulturës. Stambolli i vjetër që e vuajti këtë metodë, e zgjidhi duke ndaluar përjetë ndërtimin aty ku zjarri ose dora e njeriut shkatërron një monument kulture.

Tirana ka pësuar mjaft shkatërrime të monumenteve të kulturës dhe historisë këto 30 vjet, ndaj duhet ndalur urgjent rrënimi i mëtejshëm i tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura