Shtyhet afati i bllokimit të sinjalit analog, AMA thirrje qytetarëve: Pajisuni me dekodera

Aug 29, 2019 | 14:14
SHPËRNDAJE

Mbyllja e transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë, që ishte parashikuar për në datën 1 shtator 2019, është shtyrë edhe me një muaj, deri më 1 tetor 2019.

images

Vendimin e ka marrë sot Bordi drejtues i Autoritetit të Mediave Audiovizive. AMA gjithashtu ka kërkuar informacion nga operatorët ekonomikë në treg lidhur me sasinë e dekoderave që disponojnë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, përcaktimet në Strategjinë për Kalimet në Transmetime Numerike, sipas të cilës transmetimet analoge në një zonë të caktuar mbyllen pasi e gjithë popullsia (ose pjesa më e madhe e saj të jetë paisur me marrës numërikë), dhe referuar rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i RSH, si dhe duke vlerësuar faktin që në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë, banon gjysma e popullsisë së vendit dhe impakti i këtij procesi është i ndjeshëm tek shumë qytetarë, Bordi i AMA-s unanimisht vendosi:

1- Shtyrjen e afatit të mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë me 30 ditë.
2- Operatorët ekonomike në treg, kryesisht platformat audiovizve të cilët tregtojnë dekodera, të vënë në dispozion të AMA-s informacionin e kërkuar në mënyrë të përsëritur, lidhur me sasinë e dekoderave që disponojnë.
3- Operatorët privatë kombëtare të cilët ende nuk mbulojnë me sinjal numerik zonat urbane (Bashkitë Sarande, Himarë), të marrin masat të menjëhershme për shtrimin e infrastrukturës digjitale edhe në këto zona.
4- T’i drejtohet qeverisë me kërkesën për ngritjen e menjëhershme të Komitetit Ndërinstitucional të punës për ndjekjen e procesit të digjitalizimit, i cili nuk është funksional që prej shtatorit 2017.
Bordi i AMA-s vlerësoi se shtyrja e afatit me 4 javë nga njëra anë do t’u krijojë mundësi qytetarëve të marrin masat e nevojshme në mënyrë që të përfitojnë shërbimin audioviziv dhe nga ana tjetër operatorëve u jepet mundësia të realizojnë një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve.
Informojmë qytetarët të cilët janë të pajisur me dekoder, se pavarësisht këtij vendimi do të vijojnë të shikojnë programet televizivve në teknologjine numerike, me buqete më të madhe programore falas.
Së fundmi, AMA kërkon mirëkuptimin e qytetarëve tashmë të pajisur me dekodera si dhe të operatorëve audivizivë të cilët kanë përfunduar implementimin e infrastrukturës digjitale dhe kanë dalë me oferta për qytetarët, dhe në veçanti Operatorit Publik Shqiptar, lidhur me këtë vendim.

Gjithashtu i bëjmë thirrje qytetarëve të paisen me dekodera në mënyrë që të përfitojnë shërbimet audiovizive digjitale”, thuhet ne njoftimin e AMA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura