Shkeljet në ministrinë e Punës, KLSH depoziton 4 kallëzime penale

Jun 27, 2013 | 16:49
SHPËRNDAJE

TIRANE- Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi sot se ka depozituar katër kallëzime penale në Prokurori ndaj zyrtarëve të ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Nga auditi i ushtruar janë konstatuar shumë parregullsi,  shkelje ligjore dhe procedurale në menaxhimin e aseteve të ministrisë dhe në drejtim të menaxhimit të fondeve buxhetore.  Auditi i cili është realizuar për periudhën, 01/04/2011 deri më 30/09/2012, sipas KLSH-së vlera e shkeljeve të ligjshmërisë ka shkaktuar një dëm ekonomik prej  23,728,976 lekë.

Lidhur me këtë, KLSH tha se të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve”, “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Shkeljes së Barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” janë kallëzuar penalisht Drejtori i Kabinetit të Ministrit K. B., Këshilltari i Kabinetit të Ministrit Th. K. dhe Drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse F. B.

Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka propozuar 2 rekomandime për ndryshim në legjislacionin në fuqi; 40 masa organizative; 25 masa për shpërblim dëmi në vlerën 23,728,976 lekë dhe 10,613 Euro; 4 masa administrative,  3 masa “Zgjidhje e kontratës së punësimit” për Drejtorin e Kabinetit, Këshilltarin e Ministrit dhe Përgjegjësin e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse;  3 masa “Largim nga shërbimi civil” për Drejtoren e Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse, Drejtorin e Përgjithshëm të Politikave, 1 masë “Kalim në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët për një periudhë deri në një vit” për Drejtorin e Politikave të Inspektimit në Punë dhe Drejtorin e Shërbimeve të Brendshme;; 4 masa “Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë për një periudhë deri në 2 vjet” për ish Sekretarin e Përgjithshëm, Përgjegjësin e Sektorit të Shërbimeve të Financës dhe Përgjegjësen e Sektorit të Drejtorisë së Integrimit.       

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura