Shkarkoi nga detyra dhe komandoi prokurorët pa motivacion, raporti i Helsinkit kritika Arta Markut

Apr 26, 2019 | 14:59
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Mungesë transparence dhe vendime pa motivacion, ishin këto disa nga problematikat e konstatuara nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për Prokurorinë e Përgjithshme nga monitorimi i ushtrimit të kompetencave tranzitore.

arta marku sherri3

Në tryezën e zhvilluar mbi institucionet e reja të drejtësisë, KSHH relatoi një sërë gjetjesh nga monitorimet e kryera, ndër to edhe për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme, e konkretisht për 17 vendime të marra gjatë vitit 2018.

“Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion në rrugë zyrtare, rezulton se për vitin 2018, Prokurori i Përgjithshëm ka marrë 17 vendime/urdhra. Përkatësisht për pezullimin nga detyra të dy prokurorëve, ndërprerjen e komandimit për tre prokurorë dhe rikthimin e tyre pranë prokurorive ku kanë qenë emëruar më parë. Caktimin e përkohshëm të 8 prokurorëve si drejtues të Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, duke përfshirë këtu edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Caktimin e përkohshëm të tre prokurorëve nga Prokuroria për Krime të Rënda në prokuroritë e rretheve gjyqësore, largimin nga funksioni i drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda”, bëhet e ditur nga Komiteti.

VENDIMET

Sipas monitorimit të kryer, rezulton se me përjashtim të dy vendimeve për pezullimin e dy prokurorëve, 15 vendime të tjera janë marrë pa dhënë motivacion për kushtet dhe rrethanat në të cilat janë marrë.

“Në rastin e caktimit të përkohshëm të prokurorëve si drejtues të prokurorive, duke përfshirë këtu edhe ndryshimet në drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, në vendimmarrje mungon informacioni nëse është bërë një vlerësim paraprak i performancës së drejtuesve pararendës dhe drejtuesve që caktohen përkohësisht në këto pozicione”, shkruhet në raportin e KSHH-së. Ndërkohë, të diskutueshëm ligjërisht, e konsideron KSHH, vendimin e Arta Markut për të ndryshuar drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Urdhri nr.136, dt.09.05.2018 “Për largimin nga funksioni” si drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, i prokurorit Hajdarmataj është i diskutueshëm sa i takon ligjshmërisë, pasi në këtë urdhër, referuar si bazë ligjore neni 160/4 e ligjit nr. 96/2016, i cili nuk parashikon si kompetencë tranzitore largimin nga funksioni të drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por parashikon vetëm caktimin në pozicione të përkohshme të magjistratëve”, argumenton KSHH.

GJYKATA KUNDËR MARKUT

Në raport, Komiteti vë në dukje se 4 vendime të marra nga Marku gjatë 2018-s, Gjykata Administrative i ka prishur, duke u dhënë të drejtë prokurorëve të pezulluar apo të transferuar. “Nga informacionet që kemi mundur të marrim, rezulton se katër prokurorë i janë drejtuar Gjykatës Administrative për të kundërshtuar vendimmarrjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Ndaj dy prokurorëve të pezulluar, Gjykata e Apelit Administrativ shfuqizoi urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm me arsyetimin se krimi për të cilin prokuroria kishte ngritur hetim për prokurorët nuk ishte i rëndë. Ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda të transferuar në rrethe, Gjykata Administrative ka shfuqizuar urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm me arsyetimin se Prokuroria e Përgjithshme dështoi të provonte qëllimin për të cilin kishte nxjerrë këto urdhra, duke mos qenë në përputhje me ligjin”, shkruan KSHH.

Ndërkohë, në raport, Komiteti vë në dukje se edhe gjatë kërkesave të tij për informacion, Prokuroria e Përgjithshme sërish nuk ishte treguar e gatshme për transparencë. “Pavarësisht nga kërkesa e KSHHsë, ky institucion nuk vendosi në dispozicionin tonë procesverbalet dhe opinionet këshillimore të dhëna nga Këshilli i Prokurorisë. Nuk përcaktoi, nëse përveç urdhrave të kërkuara në mënyrë specifike, ishin marrë ose jo urdhra të tjerë në ushtrim të kompetencave tranzitore”, shkruan KSHH.

Vonesat në ngritjen e organeve të reja sollën pasoja në sistem

Në raportin e monitorimit të organeve të reja të drejtësisë, KSHH vë në dukje se vonesat e krijuara në ngritjen e këtyre organeve krijuan disa problematika në pushtetin gjyqësor. Ndërkohë që Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të ishte ngritur jo më larg se 11 prilli i 2017-s. Konstituimi i tij ka ndodhur rreth dy vite më vonë. Gjatë kësaj kohe, shkruan Komiteti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ushtroi disa kompetenca tranzitore, ndërsa është e diskutueshme legjitimiteti i funksionimit të KLD-së gjatë kësaj kohe.

“E diskutueshme është edhe çështja e legjitimitetit të funksionimit të KLD-së, pasi neni 277, pika 1 e ligjit 115/2016 parashikon se anëtarët e KLD-së qëndrojnë në detyrë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe se mandati i anëtarëve përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i KLGJ-së, por në çdo rast jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese”, argumenton KSHH. Në lidhje me vakancat në Gjykatën e Lartë, por tashmë edhe në gjykata të tjera, KSHH argumenton se duhet të ishin menduar këto pasoja nga shkarkimet nga vetingu në mënyrë që të ishte krijuar një zgjidhje ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura