SHBA-të vlerësojnë zgjedhjet, Kelly: Palët të punojnë bashkë për të ardhmen e Shqipërisë

Jun 27, 2013 | 19:39
SHPËRNDAJE

Ambasadori i SHBA në OSBE, Ian Kelly
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgëzuar shqiptarët për pjesëmarrjen e tyre masive në zgjedhjet e 23 qershorit, duke nxitur autoritetet që të finalizojnë numërimin dhe të trajtojnë çdo ankimim në mënyrë transparente, të shpejtë dhe në përputhje me shtetin ligjor.

 

Ambasadori i SHBA në OSBE, Ian Kelly ka mbajtur një fjalë Përpara Këshillit të Përhershëm  në Vienë, në të cilën thekson se tashmë që zëri i shqiptarëve është dëgjuar, palët duhet të punojnë sëbashku në mënyrë konstruktive për të çuar përpara zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë.

 “Puna e vështirë e ndërtimit të demokracisë nuk mbaron pasi numërohen votat dhe shpallen fituesit. Udhëheqësit politikë do të gjykohen jo nga ajo që thonë, por nga ajo që bëjnë. Pas formimit, nxisim qeverinë e re që të vazhdojë të forcojë shtetin ligjor, të rrisë standardet e të drejtave të njeriut, të promovojë qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të punojë drejt reformash të qëndrueshme demokratike në rrugën konsensuale të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky është një proces i cili, ashtu si përpara këtyre zgjedhjeve, do të kërkojë që edhe ata në opozitë të luajnë një rol konstruktiv, dhe ne kërkojmë angazhimin e tyre edhe në të ardhmen e Shqipërisë.”- thuhet në deklaratë.

Deklarata mbështet po ashtu edhe misionin e vëzhgimit zgjedhor të OSBE/ODIHR si dhe vlerësimin e përbashkët nga ODIHR, Asambleja parlamentare e OSBE-së, dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, të cilët vlerësuan se qytetarët shqiptarë kanë shprehur lirisht vullnetin e tyre në kutinë  e votimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura