Rishikimi i historisë nga antikiteti te vitet e para të demokracisë, faktet e studiuesve kundër manipulimit

Nov 29, 2023 | 10:42
SHPËRNDAJE

Debati për rishikimin e historisë është një çështje e ngritur së fundmi mes studiuesve dhe historianëve, të cilët e shikojnë me rëndësi një vendim të tillë.

neritan ceka paskal milo

Por historia e popullit shqiptar po rishkruhet duke iu përshtatur brezit të ri të lexuesve që kërkojnë.

“Duke u nisur nga fakti që kemi të bëjmë me një tekst normativ, janë grupuar katër njësi. Për antikitetin që e drejtoj unë, për mesjetën që e drejton Pëllumb Xhufi, për mesjetën osmane deri në 1912, Ferit Duka dhe Paskal Milo ka periudhën nga 1912 deri në 1990. Besoj se nga mesi i vitit që vjen do të kemi gati vëllimin e parë që nga prehistoria e deri kur shfaqen arbrit”, – shprehet Neritan Ceka. Studiuesit vërejnë se tekstet shkollore duhet të trajtohen me seriozitet, të jenë akademike e të miratuara në kuptimin e diskutimit shkencor.

“Sipas llojit të ministrit, njëherë hiqet letërsia, bëhet fakultative, pastaj historia, bëhet me tekste alternative, pastaj me tekste të një shtëpie botuese që ftohet me tender, autorë që nuk kanë grada shkencore, nuk janë të sprovuar për dijet dhe vizionin e tyre historik. Me daljen e vëllimeve të reja besoj se Ministria e Arsimit dhe Kulturës do kenë tekste shumë të mira orientuese”, – u shpreh Neritan Ceka për “Vizion Plus”.

Ky projekt do të ndalet në vitin 1990 duke gjykuar se historia e tri dekadave më pas është subjektive.

“Mendimi i përgjithshëm është që të ndalojmë historinë e shkruar pas ’90- s, ta lëmë në dorë të studiuesve, sepse nuk janë pak 30 vjet, deri në vitin 2020 dhe historia vazhdon. Çdo ditë është histori, të mos futemi në gjykime që ndërrojnë herë pas here. Duhet lënë një distancë për të gjykuar qartë. Një kohë kur këto personazhe të mos jenë më”, – theksoi Neritan Ceka.

Ndryshe nga praktika e deritanishme, pesë vëllimet e historisë së popullit shqiptar për të cilat vijon puna, do të përkthehen edhe në gjuhë të huaja.

MANIPULIMI

Prej vitesh në Shqipëri është hapur debati nëse duhet rishkruar historia e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar. Mbështetësit e kësaj teze shprehen se nën ndikimin dhe vazhdën e historiografisë së periudhës komuniste, jo pak momente të historisë së Shqipërisë janë të fshehura apo të shtrembëruara. Ky debati ndonëse nuk është i ri, herë pas here dendësohet dhe merr karakter të ashpër polemik dhe jo çdo herë shkencor. Veçanërisht tani në prag të përvjetorëve të pavarësisë ai merr ngarkesë të re, pasi është momenti për rivlerësimin e disa figurave historike për shkak të politizimit që u është bërë në diktaturë. Sikur kjo zhurmë të bëhej thjeshtë për objektivitet shkencor, do të ishte një gjë ë mirëpritur dhe e dobishme.

Por kjo është dhe gracka ku mund të bjerë një rishkrim i saj, kësaj here politizuar nga ana e kundërt. Dhe sinjalet nuk mungojnë. Që prej largimit të pushtuesve nazifashist historia e Shqipërisë ose ka qenë e manipuluar, ose e mbushur me propagandë. Madje duke fshehur të vërteta, apo veshur me mantelin e së keqes për palën kundërshtare. Debate mbi të vërtetën pasojë edhe vitet e pas rënies së komunizmit.

Tashmë kur kanë kaluar 33 vite nga rënia e diktaturës 46 historianë nga të gjithë trojet para pak ditësh u bënë bashkë për të arritur në një botim. Për këtë janë shqyrtuar 1 milion materiale arkivore për të arritur në këtë vëllim të pestë. Presidenti Bajram Begaj në prezantimin e studimit kërkoi që në shkrimin e historisë të mos përsëriten gabimet e së shkuarës. “Marrëdhënia jonë më të kaluarën nuk ka qenë e lehtë, prandaj shkrimi i drejtë i historisë ka rëndësi”, – tha Begaj. Në të 5 vëllimet e publikuara nga Akademia e Studimeve Albanologjike janë marrë 11 mijë e 200 referenca.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura