Qeveria i shpall luftë euros, strategjia e re

Apr 20, 2017 | 14:20
SHPËRNDAJE

Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë do të nisin zbatimin e strategjisë për uljen e përdorimit të euros në vend.

download

Në mbledhjen e djeshme të grupit këshillimor të stabilitetit financiar, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe kryetari i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit, i cili përcakton zbatimin e planit të masave. Marrëveshja për uljen e përdorimit të euros angazhon Ministrinë e Financave të vazhdojë të ndjekë një politikë fiskale që synon ruajtjen e qëndrueshmërisë së borxhit publik.

Po ashtu, synohet që Ministria e Financave të rrisë preferencën për huamarrje në lekë. Për sa i përket politikës fiskale, nga ana e Ministrisë së Financave do të synohet përmirësimi i ligjit me qëllim shtimin e formalizimit të ekonomisë. Për Bankën e Shqipërisë, marrëveshja përcakton forcimin e rregullave në funksion të transparencës nga bankat e nivelit të dytë, për të orientuar qytetarët me vlerësime përkatëse për rreziqet që shoqëron kredia në euro.

Në kontratat e kredive që japin në euro bankat, do të jenë të detyruara të ilustrojnë me shembuj konkretë se si rriten këstet që duhet të paguajë një qytetar, nëse leku zhvlerësohet në një nivel të caktuar të euros. Një masë tjetër që pritet të merret është detyrimi për bankat e nivelit të dytë, që të rrisin rezervën në valutë, me qëllim shmangien e situatave emergjente. Për sa i përket politikës monetare, ajo do të vazhdojë të mbetet në ruajtjen e kontrollit të inflacionit dhe kursit të lirë të valutës.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare parashikohet të përmirësojë kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës, me qëllim zbutjen e rreziqeve të likuiditetit dhe të aftësisë paguese që burojnë nga veprimtaria në valutë e institucioneve që mbikëqyr. Në mbledhje, grupi këshillimor i stabilitetit financiar vlerësoi se veprimtaria e sektorit bankar u përshpejtua në vitin 2016, veçanërisht në drejtim të zgjerimit të investimeve në tituj, në produkte bankare dhe në kredi në lekë, duke u mbështetur kryesisht nga rritja e mirë e depozitave dhe e kapitalit. Në terma vjetorë, raporti i kredive me probleme ishte i pandryshueshëm, por gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit ai u përmirësua.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura