Pse shumica e shqiptarëve e shohin me dylbi drejtësinë!

Aug 12, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

ARTAN FUGA

artan-fuga-1

Padyshim që qytetarët janë të interesuar për një drejtësi “të drejtë”, sikurse shkruante Xhon Rawls, filozofi amerikan i së drejtës dhe ligjit, që për herë të parë e kam futur në Shqipëri shumë vite më parë, kur shkruaja librin tim : “Majtas JO Djathtas”.

Punimet e tij më kanë hapur sytë sidomos kur punoja për të dhënë leksione mbi filozofinë e ligjit në një degë drejtësie të një universiteti shqiptar.

Do ta them se përse e nisa duke përmendur Xhon Rawls.

Që të ketë drejtësi “të drejtë” (sepse Rawls shpjegon se ka edhe drejtësi “të padrejtë”) duhen plotësuar disa kushte dhe në radhë të parë barazia e qytetarëve para ligjit, para gjykimit, para hetimit të çështjeve.

Drejtësia për ne kërkon padyshim gjyqtarë dhe prokurorë të pakorruptuar, të pavarur nga politika, që ta hetojnë lirshëm edhe politikën. Më parë duhen ligje të drejta, që ne nuk i kemi, sepse Kuvendi ynë ka qenë si mos o Zot në këto vite edhe për shkak të shumicës dhe për shkak të opozitës që braktisi Kuvendin dhe i la krejt hapësirën e lirë shumicës të bënte çfarë donte. Duhen procedura të drejta, duhet kjo e duhet ajo.

Vetingu i gjykatësve dhe i prokurorëve mirë të bëhet, por nuk mjafton aspak për të pasur një drejtësi “të drejtë” sikurse shkruan Rawls.

Çfarë duhet?

Po marr një shembull që të shpjegohem më qartë.

Sot në një gjyq të thjeshtë civil, fare të thjeshtë, mos u çudit që vetëm një ekspertizë, se mund të ketë edhe dy, duhet të paguhesh ta zëmë 4 milionë lekë të vjetër. Kush nuk beson, po deshi, ta verë me bast dhe i jap provën.

Edhe nja 1 milion e gjysmë i do avokati, se normalisht edhe ai do të paguhet për punën e tij. Ja vajtën tak-fak 5 milionë e gjysmë lekë. Por, ja po jap edhe nja gjysmë milioni për nxjerrje dokumentesh, fotokopje, karburant, vajtje-ardhje në sallën e gjyqit. Po i rrumbullakos në 6 milionë lekë të vjetër.

Po nëse çështja shkon ne Apel? Ja po shtoj edhe një gjysmë milioni, por mos kujto se ke shpëtuar. Ke për të paguar edhe përmbaruesin privat apo shtetëror nja 1 milion për shembull, ja po e rrumbullakosim me kursim nja 7 milionë lekë.

Thjesht për një çështje banale që Nastradini e zgjidhte për dy minuta, kadiu osman pra, tak-fak. Për një çështje jo e lagu apo s’e lagu, thjesht histori budallallëqesh.

Lëre sikur të ketë varg gjyqesh, pronash a gjërash serioze.

Tani supozoni një familje shqiptare që ta zëmë në 60 për qind të tyre mesatarisht kanë jo më shumë se 400,000 lekë të vjetër të ardhura mujore. Për një gjyq thjesht për çështje banale i duhen të ardhurat po themi të një viti e gjysmë vetëm për gjyqin e ngritur.

Por, me kusht, as të mos hajë, as të mos pijë, as të mos blejë cigare, të mos çojë kalamajtë në shkollë, thjesht të ngrohet në diell.

Ka burrë nëne në këto familje të ketë guximin në këto kushte të hapë një çështje gjyqësore?

Ja hapi një me shpirt në dhëmbë, po dy i hap dot? Nëse një pareli i bën karshillëk, i bën padrejtësira.

Unë e hap, po ai a e hap? Jo nuk e hap dot. Edhe sikur gjyqtari, avokati, prokurori, a nuk e di kush tjetër, kryetari i bashkisë, operativi i lagjes, kryetari i frontit të lagjes, patronazhisti të jenë burrat dhe gratë më engjëj në botë.

Pra, për shtresat e gjëra të shqiptarëve nuk ka akses në drejtësi. Sepse nuk përballojnë dot shpenzime gjyqi. Çfarë bën atëherë shqiptari i varfër ose me të ardhura sa mesatarja e shoqërisë?

Ose shtrëngon dhëmbët para padrejtësive që u bën pareliu, shpeshherë trafikant, apo i ndershëm, nuk e paragjykoj.

Ose ul kokën si gomar i rrahur më hu, para kapriçove që i bën pareliu zevzek a i ndershëm, sepse nuk e çon dot çështjen në gjyq.

Ose bërtet dhe bën vetëgjyqësi duke rrezikuar pastaj të shkojë në birucë, a në dreq, para maskarallëqeve që i bën i babëzituri për lekë, trafikant, mashtrues, maskara apo i ndershëm, çfarë rëndësie ka?

Ose ushtron dhunë sepse e di që për të nuk ka drejtësi, polici, ligje, deputetë, nuk ka veçse arinj në pyll.

Dhe ku arrijmë? Reforma, bie fjala, mund të na japë sa të duam gjyqtarë a prokurorë të mirë, a avokatë të mirë, a noterë të mirë, por puna është se kjo nuk vlen nëse shqiptari nuk shkon dot para tyre, sepse thjeeeeeeeeesht:

Nuk ka pareeeeeeee!

Prandaj për të nuk ka drejtësi.

Prandaj drejtësia sikundër argumentonte John Rawls është drejtësi “e padrejtë”.

Prandaj, ka pa fund sherre, vrasje, dhunë, vetëgjyqësi, sepse shqiptari thjesht nuk përballon dot shpenzimet e gjyqit, lëre pastaj të tjerat, që i flasim një herë tjetër, pra nuk ka akses në drejtësi. E sheh drejtësinë me dylbi.

Ja përse drejtësi ka për parelinjtë, të pasurit, por jo për hallexhinjtë.

Ja pse ca garipa që nuk dihet si bëjnë pare shkojnë gjyqeve, kurse për varfanjakët gjyqi është akoma si një gjë e largët dhe u kujton jo një procedurë të zakonshme në shoqërinë e së drejtës, por ta zëmë gjyqin e Hamit Matjanit, a të dikujt tjetër, ta zëmë të Kadriut, a tjetër.

Ja pse pa një studim lidhur me këtë çështje, le të bëhen reformat më të mira në gjyqësor, për shqiptarët e drejta do të jetë gjithmonë një show televiziv, një rrenë e madhe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura