Pranimet e reja te “Luarasi”, rektori Ruka: Rritje befasuese e regjistrimeve

Sep 3, 2019 | 8:29
SHPËRNDAJE

Dita e parë e regjistrimeve në universitete e ka gjetur “Luarasin” plot me studentë, të cilët kanë vendosur t’i besojnë të ardhmen, duke u formuar në një nga tri fakultetet: Drejtësi, Ekonomi dhe Teknologji informacioni dhe inovacioni.

Rektori, prof. dr. Et'hem Ruka
Rektori, prof. dr. Et’hem Ruka

Interesimi në rritje dhe mesatarja e lartë e maturantëve, tashmë studentë të Universitetit “Luarasi”, përbëjnë vlerësim për universitetin dhe stafin akademik, që prej ditësh mirëpret çdo të ri për t’u orientuar drejt me informacionet që i nevojiten, për të bërë zgjedhjen e duhur.

Rektori, prof. dr. Et’hem Ruka, ndan jo pa entuziazëm të dhënat e para të regjistrimeve, të cilat faktojnë më së miri cilësinë në rritje të kësaj IAL-je, në tregun e gjerë të universiteteve.

“Ecuria e regjistrimeve ka qenë e shkëlqyer për ‘Lurasin’. Krahasuar me një vit më parë, ‘Luarasi’ ka një rritje, që është befasuese për mua. Deri tani kemi më shumë se 110% regjistrime në raport më vitin e kaluar. Ky është fryt i besimit që kanë shqiptarët dhe maturantët te ‘Luarasi’. Holli i universitetit është kthyer në një mjedis pritës për të rinjtë, të cilët asistohen nga pedagogët mbi hapat që duhet të ndjekin për t’u regjistruar. Por jo vetëm kaq.

Në ditën e parë të regjistrimeve te “Luarasi”
Në ditën e parë të regjistrimeve te “Luarasi”

Pedagogët janë kujdesuar që kalimi i tyre nga gjimnazi në universitet të bëhet sa më i lehtë, duke iu servirur një paketë informacioni paraprak mbi atë se çfarë i pret. Bashkë me regjistrimin do t’u japim dhe një set informacionesh mbi fillimin e leksioneve, mbi e-mail-et që vetë universiteti do t’ua japë, për të garantuar një komunikim të vazhdueshëm midis stafit akademik dhe studentit. Një broshurë e organizuar, e përgatitur për vitin e ri akademik, si dhe një javë fillestare parapërgatitore, në të cilën studentët do të njihen me ‘Luarasin’ dhe se si funksionon ai, me qëllim që inserimi dhe futja e tyre në këtë universitet të jetë sa më e thjeshtëzuar dhe studentët të jenë sa më gati, që të jenë të suksesshëm qysh me provimet e para”, bën me dije dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. asoc. Mateo Spaho.

Për ata që janë në dilemë për zgjedhjen e tyre, rektori i “Luarasit” ka një apel. “Sigurisht që kanë mundësi zgjedhjeje, se ka shumë shkolla të larta, por ‘Luarasi’ është një ndër katër universitet më të mira të Shqipërisë, me besueshmëri shumë të lartë. E them me bindje se ne dimë t’i përzgjedhim maturantët ashtu siç duhet. Tregu sot është shumë konkurrues, ka një mënyrë për të ecur përpara, ajo është cilësia. Fjala cilësi është sinonim i Universitetit ‘Luarasi’.

Ata që nuk kanë vendosur ende të bëjnë zgjedhjen e tyre, të mos hezitojnë, mund të shikojnë edhe universitetet e tjera, por jam i bindur se në fund ata do të regjistrohen te ‘Luarasi'”. Në mesin e të rinjve që interesohen për të ndjekur studimet pranë “Luarasit”, një 18-vjeçare nga Gjirokastra, që e ka bërë zgjedhjen e saj, tregon përse “Luarasi” është ambienti përmes të cilit do të realizojë ëndrrën që ka. “Para disa kohësh, në gjimnazin tonë erdhën disa profesorë duke na folur në përgjithësi për universitetin dhe po ashtu kisha dëgjuar fjalë shumë të mira mbi mënyrën se si mësohet këtu, veçanërisht për Drejtësinë. Ndaj zgjodha ‘Luarasin’. Që e vogël kam dashur të bëhem prokurore dhe shpresoj t’ia arrijë”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura