“Për 1 muaj e gjysmë, 100 mijë turistë më shumë se në 2019”, Drejtori i Migracionit: Arsyet pse vijnë shqiptarët në atdhe gjatë verës

Aug 19, 2021 | 11:00
SHPËRNDAJE

Sezoni turistik ka sjellë një fluks të shtuar të qytetarëve që mbërrijnë në Shqipëri. Nga data 1 korrik deri më sot, nga aeroporti i Rinasit kanë mbërritur mbi 100 mijë turistë më shumë se në vitin 2019.

Këtë e ka konfirmuar Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj.

Në një prononcim për mediat, ai shprehet se gjatë periudhës së verës ka fluks të shtuar të turistëve dhe shqiptarëve që kthehen në atdhe.

Sipas tij, arsyet kryesore që shqiptarët kthehen në atdhe janë për arsye turizmi ose pune apo edhe për qëllime të tjera.

“Që me lehtësimin e kushteve për të hyrë në vendet e BE-së, fluksi ka qenë në rritje, krahasimisht edhe me 2019 që ka qenë një vit relativisht me shumë fluks. Vetëm në Komisariatin e Rinasit, nga data 1 korrik deri sot, ka një rritje prej 100 mijë personash. Kjo rritje nuk është parë vetëm në Rinas, por në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka një fluks të shtuar. Kryesisht hyrja është për arsye turizmi, ndërsa pjesa tjetër e personave që duan të hyjnë në Shqipëri janë për arsye pune ose për arsye të tjera të ndryshme” tha Merkaj.

Forcat e shtuara të policisë në aeroportin e Rinasit kanë dhënë fryt edhe për arrestimin e personave të shpallur në kërkim.

Sipas Policisë së Shtetit, përgjatë sezonit turistik, në Rinas janë arrestuar 13 persona të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.

“Duhet të jemi bashkë që të marrim përsipër dhe të drejtat dhe detyrimet e gjithësecilit për një sezon turistik shumë të qetë dhe sa më frytdhënës për Shqipërinë”. Përgjatë sezonit turistik, nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas janë kapur 13 persona të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si dhe jane proceduar gjithsej  40 shtetas, 11 prej tyre për falsifikim dokumentesh” – thuhet në njoftimin e policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura