“Nuk dorëzohemi”/ Studentët rinisin protestën, gozhdohet dera e fakultetit

Jan 7, 2019 | 9:46
SHPËRNDAJE

UPDATE/ 09:30/ Studentët e fakulteteve të Tiranës nuk janë të kënaqur me Vendimet e Këshillit të Ministrave dhe kanë rinisur ditën e sotme protestat para Kryeministrisë.

Klajdi Bello, një nga studentët protestues, ka postuar një video në faqen e tij ne Facebook, teksa nje student eshte duke gozhduar derën e një prej Fakulteteve.

“Mirëmëngjesi!Përgatitjet kanë filluar. Meqenëse disa dekanë dhe rektorë kanë kërkuar të fillojë mësimi, studentët po ja kthejnë përgjigjen në mënyrën e tyre”- shkruan ai.

56

protesta

Përfaqësues të këshillave studentorë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur në Qytetin Studenti te godina “Liria” për të listuar të gjithë kundërshtitë që kanë në lidhje me draftin e “Paktit për Universitetin” të hartuar nga qeveria.

Sipas studentëve, drafti për universitetin nuk është i plotë dhe i saktë, ndaj edhe protestat do të vazhdojnë. Përmes një drafti të ri, studentët kanë listuar kundërshtitë që kanë për çdo vendimmarrje të qeverisë në lidhje me 8 kërkesat e tyre.

Në krye të kërkesave të studentëve qëndron thirrja që çdo vendimmarrje të kalojë me amendamente në ligjin e arsimit të lartë dhe jo me VKM. Studentët kujtuan se çdo VKM e miratuar nga qeveria në dhjetor 2018 mund të rrëzohet me një vendim, ndërkohë që amendamentet në ligjin e arsimit të lartë do të kërkojnë votë në Parlament.

Në diskutimet e bëra në sallën “Liria” u soll në vëmendja VKM nr.288, për të cilën studentët nisën edhe protestën e tyre dhe që lidhej me tarifën mbi kreditet për provimet e mbartura për studentët. Duke kujtuar se ajo VKM u anulua brenda ditës, studentët kërkuan që çdo kërkesë e tyre të shkojë si amendament në Parlament.

Studentët i qëndruan kërkesës së tyre për përgjysmimin e tarifave, por kërkuan që për këtë pikë qeveria të shtojë buxhetin për arsimin e lartë dhe jo të marrë nga zëra të tjerë të përcaktuar për universitetet. Këshillat studentore përcaktuan një afat dyvjeçar për qeverinë, lidhur me kërkesën e tyre për rritjen e buxhetit për arsimin nga 3.4 në 5 për qind.

Sa i takon kartës së studentit, këshillat studentore kërkuan që të gjendet një përgjegjës për vonesat e pajustifikuara të realizimit të saj. Ata kërkuan që brenda muajit mars, karta e studentit të jetë e aksesueshme dhe studentët të fillojnë të kenë akses në spitale, urbane dhe institucione publike.

Në lidhje me kërkesën e studentëve për transparencën e buxhetin e arsimit është kërkuar që në portalin që do të hapet nga qeveria të mos menaxhohet vetëm nga Ministria dhe rektorët, por edhe nga vetë këshillat studentore.

Sipas studentëve, në portalin që do ta hapet duhet të publikohet buxheti afatmesëm, buxheti vjetor, vendimet e bordeve, senateve, kuotat e parashikuara për çdo vit akademik dhe të dhënat për bursat që do ofrohen për studentët.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura