Nishani përshëndet përzgjedhjen e TAP-it: Qeveria bëri më të mirën, duke lobuar fuqishëm

Jun 28, 2013 | 18:02
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani përshëndeti sot përzgjedhjen e projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik nga Konsorciumi i Shah Denis 2 për transportimin e gazit nga Azerbajxhani në Evropë.

Nishani e ka cilësuar një lajm shumë të mirë dhe të gëzueshëm pa masë për Shqipërinë, e cila sipas tij, tashmë bëhet pjesë e një Projekti tejet të rëndësishëm nga pikëpamja gjeostrategjike, me një efekt të madh për ekonominë dhe energjinë e rajonit dhe, veçanërisht, të vetë Shqipërisë.

Nishani ka vlerësuar maksimalisht dhe ka përgëzuar Qeverinë Shqiptare, për çfarë ka bërë në mbështetje të këtij Projekti.

“Qeveria ka bërë më të mirën, duke lobuar fuqishëm në mbështetje të TAP, nëpërmjet një negocimi me profesionalizëm, duke realizuar marrëveshje me konsorciumin, partnerët dhe palët e përfshira, si dhe duke përmbushur çdo detyrim që rrjedh prej tyre.”- thuhet në deklaratë.

Sipas Nishanit, zbatimi i Projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik do të shënojë padyshim një kthesë të rëndësishme dhe një hop cilësor në zhvillimin ekonomik dhe energjetik të Shqipërisë dhe për rolin e saj në gjeopolitikën e rajonit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura