Nga muaji prill pensionistët marrin 400 deri në 1 mijë lekë të rinj më shumë. Ja kategoritë që përfitojnë nga shtesa

Mar 15, 2022 | 15:34
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ S’ka më dyshime. Prej muajit prill, pensionet do të rriten me 3.3 për qind.

Pensionistet

Kjo shtesë sipas ligjit, do të duhej të bëhej bazuar në normën e inflacionit, por nuk ka ndodhur kështu. Në muajin shkurt, norma e inflacionit sipas INSTAT-it rezultoi të ishte 3.9 për qind, ndërsa edhe më e lartë parashikohet të jetë këtë muaj, kjo si pasojë e rritjes së mëtejshme që kanë njohur çmimet, veçanërisht për produktet e shportës. Por pavarësisht kësaj, qeveria nuk ka reflektuar vlerën reale, duke u mjaftuar edhe këtë vit me një rritje modeste.

IBRAHIMAJ

Gjatë një takimi me pensionistët dje, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ndërsa konfirmoi rritjen me 3.3 për qind, tha se përmes kësaj skeme shtesa që do të përfitojnë pensionistët do të jetë nga 400 deri në 1 mijë lekë në muaj.

Por pa përfunduar fjalinë, iu desh ta korrigjonte, pasi Kryeministri i tërhoqi vëmendjen duke bërë që ministrja ta specifikonte që bëhej fjalë për lekë të rinj.

“Duke nisur nga muaji prill, ne do të indeksojmë pensionet me 3.3 për qind. Sipas ligjit, indeksimi i pensioneve bëhet me mesataren e një viti më parë, e cila është 2.4 për qind. Ne e ndryshuam këtë dhe vendosëm të marrin mesataren e shkurtit, pasi gjatë këtij muaji ka pasur rritje të çmimeve që ka prekur edhe produktet e shportës.

Janë 1 miliard lekë më shumë nga çfarë kishim parashikuar, të cilat do të shkojnë për indeksimin e pensioneve dhe rritjen me 3.3 për qind. Rritja do të jetë nga 400 deri në 1 mijë lekë të reja në muaj”, tha Ibrahimaj.

Të hënën është botuar në Fletoren Zyrtare edhe akti normativ për rritjen e fondit, përkatësisht nga 2.6 miliardë lekë ose 26 milionë dollarë që ishte parashikuar, në 3.3 miliardë lekë ose rreth 33 milionë dollarë.

KATEGORITË

Shtesa me 3.3 për qind do të aplikohet për pensionet e plota, ato të pjesshme dhe të reduktuara, pensionet familjare, të posaçme, të invaliditetit, pensionet e ishushtarakëve, profesorëve etj.

Janë mbi 673 mijë pensionistë në skemë, që do të përfitojnë. Sakaq, rritja do të aplikohet edhe për ata që dalin rishtazi në pension me kushtin që data e fillimit të pensionit të jetë deri në fund të këtij muaji.

Por, si do të reflektohet kjo shtesë në masën e përfitimit? Konkretisht pas datës 1 prill, pensioni bazë minimal për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe ato familjare nga 14 448 lekë që është do të bëhet 14 924, pra do të rritet me rreth 467 lekë në muaj. Ndërsa ai maksimal nga 28 898 lekë do të bëhet 29 851 pra rritet me 953 lekë në muaj.

Shtesë do të kenë edhe ata të cilët nuk kanë mbushur vitet kontributeve dhe iu është lidhur pension social.

Në total vlera e përfitimit për këta pensionistë do të rritet me 258 lekë duke shkuar 8101 lekë në muaj. Fondi i vënë në dispozicion për të përballuar këtë indeksim është 3.3 miliardë lekë ose rreth 33 milionë dollarë. Vendimi pritet të miratohet në fund të këtij muaji dhe i nis efektet në muajin prill. Çka do të thotë se bashkë me pensionin për muajin prill pensionistët do të mund të tërheqin edhe shtesën.

KOMPENSIMI

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur dje edhe kategoritë që do të përfitojnë nga skema e kompensimit, duke përfituar 3 mijë lekë të reja në muaj për 3 muaj.

“Ne do të mbështesim rreth 576 mijë me 3 mijë lekë të reja në muajpërgjatë 3 muajve. Ne do të mbështesim personat që trajtohen me pension invaliditeti, janë 66 500 persona të cilët do të mbështetën më këtë paketë. Janë pensionet familjare që janë 43351 persona; pensionistët që marrin më pak se paga minimale, që janë 202 453 pensionistë; pensionistët e vetmuar, vetëm apo në çift, që janë rreth 130 mijë në këtë kategori; mbështesim familjet me ndihmë ekonomike që janë rreth 64 mijë familje; personat me aftësi të kufizuara, që janë 52 mijë persona; të verbrit, që janë rreth 12 mijë dhe 6110 persona në kategorinë e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve. Në total mbështesim 442 253 ose 66 % të të gjithë pensionistëve”, tha ministrja.

Për të përfituar pensionistët nuk kanë nevojë të dorëzojnë kërkesë apo të aplikojnë. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ata do ta përfitojnë kompensimin ditën kur të tërheqin pensionin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura