Ndarja e tokës me “7501”, ja procedurat e reja për tapitë

Mar 14, 2017 | 12:44
SHPËRNDAJE

Reforma e re territoriale e ka shkurtuar shumë procesin e marrjes së titujve të pronësisë për tokat që janë ndarë sipas ligjit 7501. Ata që përfitojnë janë të gjithë banorët e fshatit, të cilët nuk kanë mundur ta hipotekojnë pronën e tyre që nga 1991 kur është miratuar ligji 7501 për ndarjen e tokës bujqësore, raporton “Panorama”. 

cuci

Nëse më parë një banori të fshatit i duhej të sorollatej nëpër dhjetëra institucione, të priste në radhë e të shpenzonte kohë e para, tashmë gjithçka mbyllet në njësinë e tij administrative dhe brenda një kohe shumë të shkurtër.

Bledi Çuçi, ministër në detyrë për Çështjet Vendore, gjatë një takimi që u mbajt këtë fundjavë në Gjirokastër me përfaqësues të medias, për zbatimin e reformës administrative-territoriale nga projekti “Star2”, tha se përveç rezultateve të tjera, kjo reformë ka dhënë frytet e veta edhe në këtë drejtim.

“Banori i fshatit bën vetëm kërkesën dhe gjithë pjesën e dokumentacionit e përfundon Bashkia. Në fund ata lajmërohen me një telefonatë kur dokumenti të jetë gati. Dhe duhet paguar vetëm pjesë e hipotekës, asgjë tjetër”, tha ministri Çuçi.

PROCEDURA

Ndërsa Artan Shkëmbi, drejtor i AZRT-së, sqaroi më në detaje procedurën e re të marrjes së titujve të pronësisë. Shkëmbi tha se bashkitë nuk e kanë pasur këtë funksion më parë, por me reformën e re territoriale kjo kompetencë është transferuar nga ish-komunat te bashkitë e reja.

“Aktet e marrjes së tokës në pronësi kanë qenë të vështira si procedurë, pasi një banori të fshatit, për të marrë këtë dokument do t’i duhej të shkonte në qytet ta noterizonte, të kontaktonte me një topograf të licencuar që të vinte t’i maste tokën, pastaj t’i bënte planvendosjen; duhet të paguante shumë lekë, të shkonte disa herë në qytet deri sa të arrinte të shkonte te hipoteka, të priste në radhë, të aplikonte, deri kur t’i vinte radha për ta marrë.

Pra i gjithë ky proces është parë gjatë kësaj periudhe, dhe për 6 muaj u arrit të krijohen procedurat e reja, duke e bërë këtë proces shumë të thjeshtë”, tha Shkëmbi. Ai sqaroi më tej të gjithë hapat që duhet të ndjekë një fermer për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë së tokës.

“Tani një banor i fshatit, kudo që të jetë, vetëm me aktin e marrjes së tokës në pronësi, shkon te njësia administrative, bashkë me certifikatën e familjes, e dorëzon atje dhe puna e tij mbaron me kaq. Shmang noterin, studion private të topografit të licencuar, të gjitha këto detyra i janë ngarkuar bashkisë për t’u zgjidhur, që të ndjekë të gjithë procesin falas për qytetarin. Qytetari do të shkojë vetëm te zyra e regjistrimit kur dokumenti të jetë gati për t’u tërhequr”, sqaroi Shkëmbi mbi procedurën.

“STAR 2”

Projektit “STAR 2” asiston 61 bashkitë që u krijuan nga reforma territoriale. Ky projekt ka mbështetjen e një numri të lartë partnerësh ndërkombëtarë, përmes një mekanizmi të financimit të përbashkët. Partnerët ndërkombëtarë përfshijnë: Bashkimin Europian, Qeverinë e Suedisë, Qeverinë e Italisë, Qeverinë e Zvicrës, Shtetet e Bashkuara përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar dhe PNUD. Mbështetja totale financiare e projektit është 8.168.668 dollarë.

FATION BINJAKU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura