Thuajse është ndalur koha

Apr 30, 2024 | 8:41
SHPËRNDAJE

NGA FLAKA SURROI FLAKA SURROI

Procesi i dështuar i shkarkimit të kryetarëve në veri tregoi në formën më të prekshme të mundshme se cila palë është ajo që vendos pengesa në “procesin e normalizimit”: është përherë Beogradi me diskursin e kohës së para rrënimit të autonomisë, sipas të cilit serbët janë të rrezikuar dhe se do të zhduken nga Kosova. Këtë diskurs e dëgjoj nga 1987-a, pra që 37 vjet. E serbët janë ende në Kosovë, janë kryesisht nëpër shtëpitë e tyre. Dhe jo, nuk janë zhdukur e as nuk ka pasur tentativë për t’i zhdukur, siç ka qenë rasti me shqiptarët më 1998/ 1999.

Javën e shkuar u mbajt votimi në veri për shkarkimin ose jo të kryetarëve, legalë, por jo edhe legjitimë, të katër komunave në veri. Paraprakisht, Lista Serbe ftoi qytetarët serbë që ta bojkotonin votimin, që e cila edhe ndodhi. Votues gjithsej qenë 253, e madje në Zveçan, nuk votoi asnjë njeri. Kjo do të thotë se të katër shqiptarët që u shpallën fitues me pak vota, për shkak të, edhe një herë, bojkotit të votuesve serbë, mbesin në detyrë deri në fund të mandatit. Saga e kryetarëve nisi vjet, kur Beogradi nëpërmjet Listës Serbe urdhëroi që serbët t’i braktisnin institucionet në çastin kur Qeveria e Kosovës mbajti në fuqi vendimin për konvertimin e targave ilegale në ato RKS. Tërheqja e kryetarëve serbë të komunave solli shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Beogradi sërish insistoi që në zgjedhje të mos merrej pjesë. Pra, nuk pati votues serbë, porse ligjërisht, kjo nuk mund ta ndalte zgjedhjen e cilitdo prej kandidatëve që do të mblidhte vota nga votuesit, sado të ishin ata, ngase sistemi ynë zgjedhor nuk parasheh ndonjë përqindje votuesish që do të duhej të arrihej për t’i shpallur ato të ligjshme.

Fakti se fitues dolën katër shqiptarë në zgjedhjet që u shtynë një kohë me kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë, solli një situatë të re. Dhe solli trazira të orkestruara nga Beogradi nëpërmjet njerëzve të Radoiçiçit, që në fund mbaruan me plagosjen dhe lëndimin e madje mbi 80 ushtarëve të KFOR-it. Insistimi i Qeverisë që këta kryetarë të hynin në ndërtesat e kuvendeve komunale dhe ta merrnin pushtetin faktik, u shpall mosbashkëpunim i Kosovës dhe kjo e fundit iu nënshtrua sanksioneve imponuar nga BE-ja, për shkak se po e zbatonte Kushtetutën e vet.

* * *

Ndërkombëtarët kërkonin që Kosova t’i tërhiqte trupat e policisë speciale nga veriu, në atë që e quajtën “depërshkallëzim” dhe Kosova refuzoi. Dhe bëri shumë mirë, sepse pas pranverës e verës, erdhi shtatori dhe sulmi terrorist në Banjskë.

Janë bërë tashmë shtatë muaj dhe ende nuk ka raport zyrtar mbi atë që ndodhi as nga elementet ndërkombëtare e as nga Prokuroria e Shtetit që do të duhej të përndiqte ata që deshën me dhunë ta prishnin rendin kushtetues të Kosovës dhe që e vranë një polic të Kosovës në detyrë. Dhe me gjithë agresionin që po i bëhej Kosovës, ndërkombëtarët insistonin që kryetarët shqiptarë të tërhiqeshin, mundësisht me dorëheqje, që të mos zvarritej procedura. Porse qeveria insistoi që të shkohej rrugës së peticionit, sipas të cilit do të organizohej rundi i votimit për shkarkimin eventual të tyre.

Peticioni funksionoi. U mblodhën nënshkrimet dhe u caktua data e mbajtjes së votimit. Pra, në fund të janarit 2024 u mblodhën diçka më shumë se 9 mijë vota (3.640 në Mitrovicë, 2.689 në Leposaviq, 1.411 në Zveçan dhe 1347 në Zubin Potok) për ta mbajtur votimin për shkarkimin e kryetarëve, por kur erdhi koha për ta qitur votën, askush s’u bë i gjallë mes serbësh.

Kush fitoi, e kush humbi? Kjo qe tema e diskutimit menjëherë pasi përfundoi procesi. Humbësit më të mëdhenj, pa dyshim, janë serbët e veriut. Ka qenë në dorën e tyre t’i shkarkojnë të katërtit dhe të zgjidhnin këdo që do të donin në rundin e ardhshëm të votimit, që do të mbahej brenda muajit e radhës. Nuk dolën të votonin dhe tash do të mbeten me këta kryetarë deri në fund të mandatit, nëse nuk ndodh diçka ndërkohë.

Humbës jemi edhe ne qytetarët e tjerë të këtij vendi: humbim jashtëzakonisht shumë kohë duke u marrë me këtë temë dhe harxhojmë shumë para për procese, që thuajse nisen për të dështuar. Por, vetë ky proces, që në thelb është krejtësisht demokratik, tregoi në formën më të prekshme të mundshme se cila palë është ajo që vendos pengesa në “procesin e normalizimit”: përherë Beogradi dhe me argumente që nuk qëndrojnë dhe me diskurs të kohës së para rrënimit të autonomisë, sipas të cilit serbët janë të rrezikuar dhe se do të zhduken nga Kosova.

Këtë diskurs e dëgjoj nga 1987-a, pra qe 37 vjet. E serbët janë ende në Kosovë, janë kryesisht nëpër shtëpitë e tyre. Dhe jo, nuk janë zhdukur e as nuk ka pasur tentativë për t’i zhdukur, siç ka qenë rasti me shqiptarët më 1998/1999. Për fat të keq, si atëherë, si këtë herë, serbët e Kosovës janë thjesht figura shahu në duart e Millosheviçit atëherë dhe të Vuçiçit këtë herë (nuk është se dallojnë fort këto dy figura politike). E votimi i fundit, i dështuari, e tregoi më së miri sa janë ose të manipuluar, ose të frikësuar.

* * *

Disa ditë pas këtij rezultati, ndodhi mbledhja në KS të OKB-së. Kësaj radhe Kosovën e përfaqësoi kryetarja Osmani, e cila mori me vete katër të mbijetuara të masakrave apo të dhunës seksuale nga lufta e fundit. Vasfije Krasniqi-Goodman, Fahrije Hoti, Elhame Muçolli dhe Shyhrete Tahiri Sulimani, ishin ulur pas saj në sallën e KS të OKB-së.

Serbia dhe Rusia e kishin kundërshtuar praninë e tyre, por Osmani deklaroi se ato kishin ardhur në cilësinë e anëtareve të kabinetit të saj. Qëndruan aty dhe e dëgjuan një fjalim të fuqishëm të Osmanit, e cila u mor edhe me Vuçiçin, duke ia numëruar “qëndrimet parimore” që e arsyetonin dhunën, shkatërrimin dhe vrasjet masive gjatë luftërave të ish-Jugosllavisë. Dhe, në fund, ia përplasi fytyrës këtë fjali: “Viktimat e atij regjimi, zoti Vuçiç, po qëndrojnë mu këtu. Ndajeni një çast dhe kërkojuni falje. Tregojuni të gjithëve nëse ju ka mbetur bile një grimë njerëzie”.

Ishte evidente se kjo e bëri Vuçiçin shumë nervoz, sepse zor se do të kishte argumente të thoshte se serbët në Kosovë po përballeshin me përpjekje zhdukjeje, kur vetë ai kishte qenë pjesë e regjimit që këto katër gra i kishte shndërruar në viktima të luftës, nga e cila mbijetuan, por me çfarë pasojash.

* * *

E pasojat e kësaj lufte, e më pas edhe pasojat e keqqeverisjes sonë që nga fundi i saj, u reflektuan sërish në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për gjendjen në Kosovë. Në raport thuhej se nuk ka pasur ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ndër raportimet më të rëndësishme ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediumeve, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.

Në raport, megjithatë, thuhej se Qeveria e Kosovës kishte ndërmarrë hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm, për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut.

Opozita u kap për një fjali të vetme: “Korrupsioni serioz i qeverisë” dhe në një varg konferencash për shtyp e akuzoi këtë qeveri për korrupsion. Pra, një formulim që në raportet për Kosovën përsëritet për çdo vit, nuk i referohet vetëm ekzekutivit, por edhe legjislativit dhe gjyqësorit, që sipas sistemit politik amerikan, e përkufizojnë “qeverinë” (apo pushtetin, i cili ndahet në tri degë, pra).

Ta dëgjoje opozitën që në dy dekadat e fundit ka qenë prodhuese dhe ushqyese e këtij korrupsioni, shpesh të quajtur “endemik” në këto raporte, qe sikur ta shikoje një film të keq. Pra, edhe gjatë mandatit të kësaj qeverie ka pasur raportime për afera korruptive, por jemi dëshmitarë se vëllimi i tyre ka qenë shumëfish më i vogël sesa në të gjitha qeveritë e shkuara. Por, problemi kryesor, i përsëritur prej vitesh, përfundimisht është gjyqësori dhe efikasiteti i tij i ulët dhe i pamjaftueshëm. Dhe kështu do të vazhdojë të figurojë me vite, derisa nuk të nisë procesi i vetingut dhe i pastrimit të gjyqeve dhe prokurorive nga ata, që veç drejtësi nuk duan.

* * *

Përmbledhja e kësaj jave nuk tregon se punët e politikës dhe gjërave që lidhen me të nuk kanë ndryshuar shumë në jetën tonë. Qe sa e sa vjet flasim për serbët dhe veriun; qe sa e sa herë shkohet në KS të OKB-së, është këmbimi thuajse i njëjtë i akuzave. Qe sa vjet dalin raportet e DASH-it për Kosovën, demokracinë e brishtë të saj dhe “korrupsionin endemik”. Duket se i vetmi send që ndryshon substancialisht është moti. Nuk mbaj mend prill që t’i ketë ngjarë më shumë vjeshtës sesa ky që po mbaron/Koha.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura