Meta: Nuk bën sens që Rama të lëshojë mandatin e deputetit

Jun 29, 2013 | 10:40
SHPËRNDAJE

Meta dje në konferencë për shtyp
Kreu i LSI: S’kemi ndarë asgjë në përqindje.

“Ndarja e mandatave të ministrave, hap përpara për të rritur rolin e qeverisë”

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i ftuar mbrëmë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në A1 Report, tha se e ka këshilluar Edi Ramën të mos heqë dorë nga mandati i deputetit që të bëhet Kryeministër. I pyetur nëse Rama do ta lërë mandatin e deputetit, Meta tha: “Ai ka qenë i prirë për këtë gjë.

Por unë mendoj se nuk është diçka që bën sens, po të kemi parasysh se do të jetë jo vetëm Kryeministër, por normalisht edhe kryetar i maxhorancës parlamentare, që ka njëkohësisht përgjegjësi për vendimet e Grupit Parlamentar. Në këtë rast, sipas mendimit tim, kjo nuk ka sens”. Gjatë një konference për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së LSI-së, Meta tha se ndarja e mandatit të deputetit nga ajo e ministrit rrit rolin e qeverisë dhe të Parlamentit. Me 84 mandate në Kuvend, Meta tha se me 84 vota dhe konsensus të opozitës mund të shkohet në ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Mbledhja e Kryesisë së LSI-së ka zgjatur fare pak. A keni pasur kohë për t’i sqaruar të gjithë anëtarët e Kryesisë për pikat që keni diskutuar gjatë takimit me z. Rama dhe kush ka qenë pritshmëria e tyre?
Ju të gjithë jeni njohur sot me një komunikatë të bërë publike lidhur me takimin që unë kam pasur me z. Rama paradite, ku kemi rënë dakord për të gjithë vijimësinë e punës dhe të përgatitjeve lidhur me realizimin e tranzicionit drejt institucioneve të reja, pra Kuvendit të ri dhe njëkohësisht qeverisë së re. Dhe nuk mund të shtoj ndonjë pikë më shumë se sa ato që janë bërë publike, jo për arsye sepse dua të ruaj ndonjë sekret ndaj medias dhe qytetarëve, por sepse ato janë të vetmet çështje që ne kemi diskutuar dhe për të cilat ne kemi rënë dakord. Gjithçka tjetër është burim i kreativitetit dhe fantazisë, që është njëkohësisht mjaft e respektuar në demokraci.
Zgjedhja juaj në krye të Kuvendit ka qenë një zgjedhja e juaj, apo ishte si pasojë e marrëveshjes me z. Rama? Në këtë pikë, ju thatë bashkë me z. Rama që do ketë një ndarje të Ekzekutivit me Legjislativin, që do të thotë në postet e ministrave z. Meta nuk do të ketë deputetë nga të zgjedhurit e 23 qershorit?
Lidhur me çështjen e mandatave, natyrisht që ndarja e mandatave është një hap përpara, nuk është një hap prapa për të rritur rolin e qeverisë dhe maksimizuar energjitë e të gjithë atyre që angazhohen në Ekzekutiv, pra të gjithë ministrave të ardhshëm, por njëkohësisht një kontribut për të rritur më tej rolin e Parlamentit dhe të gjithë deputetëve në përmbushjen e angazhimeve që Parlamenti ka njëkohësisht, dhe absolutisht që kjo besoj do të ndihmojë në efikasitetin edhe të Legjislativit, edhe të Ekzekutivit, aq më tepër po të kemi parasysh sistemin tonë zgjedhor, i cili nuk është maxhoritar, pra është një sistem proporcional, është plotësisht një element i tillë. Është quajtur novator, por besoj shumë që do të jetë edhe rezultativ, edhe efikas. Të përmirësohet puna e të dyja institucioneve.
Do jenë në axhendën e LSI-së ndryshimet në Kodin Zgjedhor?
Qëndrimet tona kanë qenë dhe mbeten konstante në këtë drejtim. Pavarësisht se ne kemi një maxhorancë tashmë e mjaftueshme për të bërë ndryshime edhe në elementë të tillë, duhet të kemi parasysh që ndryshimet në Kod apo edhe ndryshime të tjera kaq të rëndësishme, nuk kërkojnë vetëm një maxhorancë numerike, por kërkojnë edhe një konsensus me opozitën. Kështu që unë mendoj se do të punohet në të gjitha drejtimet për të arritur konsensusin për të bërë çdo përmirësim që i shërben demokracisë akoma më shumë në të ardhmen.
Besoni se do ta arrini këtë konsensus me kryetarin e ri të PD-së?
Mënyra se si do të sillet PD është një e drejtë ekskluzive e saj. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë për një bashkëpunim sa më të gjerë në interes të vendit me opozitën dhe PD-në në mënyrë të veçantë dhe nuk kemi asnjë arsye se pse të paragjykojmë mënyrën se si ajo do të sillet në të ardhmen. Integrimi europian është objektivi i të gjithëve ne, dhe natyrisht që duhet të punojmë në këtë drejtim të gjithë së bashku.
Disa burime konfirmojnë se LSI do të kërkojë së paku 5 poste ministrore. A ju jep të drejtë rezultati të kërkoni këto poste? A u diskutua kjo çështje në Kryesi dhe a është e vërtetë që do të kërkoni poste ministrore që LSI nuk i ka mbajtur më parë?
Nuk është diskutuar asnjë çështje e kësaj natyre, sepse këto nuk janë shqetësimet tona as si “Aleancë për Shqipërinë Europiane” dhe as si Lëvizje Socialiste për Integrim, në mënyrë specifike. Çështje e bashkëqeverisjes nuk është një çështje e përqindjes, përkundrazi. Është një çështje vullneti të përbashkët për të nisur në Shqipëri një politikë vërtet të re mbi bazën e bashkëpunimit dhe në funksion të interesit të përgjithshëm të vendit, të publikut dhe të qytetarëve. Ndaj besoj se ne do t’i qëndrojmë fort kësaj fryme, dhe kjo do të jetë ajo që do të sjellë rezultatet që priten dhe kërkohen nga qytetarët tanë nga maxhoranca dhe nga qeverisja e ardhshme.
Sa të pavarur ju bëjnë 16 mandatet nga “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe a keni ndonjë koment për zërat kritikë që thonë se nuk do ta keni të mundur të përfundoni 4 vite bashkëpunim me z. Rama?
Unë kam besim se kemi hyrë në një situatë të re dhe bashkëpunimi me PS-në dhe me forcat e tjera progresiste për LSI-në është strategjik, afatgjatë dhe është e do të jetë gjithmonë në interes të vendit, të qytetarëve dhe të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si rruga që do të sjellë standarde europiane në Shqipëri për të gjithë qytetarët tanë.
A do të jetë e hapur LSI nga individë ose parti të djathta që do të duan të bëhen pjesë e partisë suaj?
Ne kemi arritur të kemi një maxhorancë tepër domethënëse, jashtëzakonisht legjitime, por besoj se qytetarët shqiptarë e ndiejnë në këto pak ditë pasi kanë votuar për “Aleancën për Shqipërinë Europiane” që nga kutitë e votimit ka dalë një maxhorancë tepër e përgjegjshme, me një frymë të gjerë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirje. Kjo frymë, sikurse e kemi thënë edhe para zgjedhjeve të 23 qershorit, do të jetë e pandalshme.

Kreu i LSI mbledh Kryesinë, falënderim për 180 mijë votuesit
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mblodhi dje Kryesinë e LSI-së për herë të parë pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit. Pas prezantimit në publik të ndarjes së posteve kryesore me Partinë Socialiste, kreu i LSI-së ka zhvilluar dje një mbledhje të shkurtër me krerët e LSI-së. Gjatë takimit të zhvilluar më dyer të mbyllura, Ilir Meta ka informuar anëtarët e Kryesisë për detyrën e re si kryetari i Parlamentit të ri, ndërkohë që Kryeministri i ardhshëm do të jetë kreu i PS-së, Edi Rama. Gjatë takimit është miratuar dhe grupi i punës që do të diskutojë me Partinë Socialiste për realizimin e programit për 300 ditët e para të qeverisjes së majtë. Lëvizja Socialiste për Integrim ka mandatuar Edmond Haxhinaston për të bashkëpunuar me socialistin Ilir Beqja në hartimin e programit të përbashkët mes LSI-së dhe PS-së. Mbledhja e Kryesisë nuk ka zgjatur shumë dhe kryetari i LSI, Meta falënderoi 180 mijë votuesit, të cilët i besuan LSI-së 16 mandate në Parlament. “Mesazhet e qytetarëve tanë kanë qenë tepër të qarta, kanë qenë tepër kuptimplota dhe ne jemi votuar sepse ditëm të përcjellim mesazhin e stabilitetit të vendit, mesazhin e domosdoshmërisë së bashkëpunimit në jetën politike dhe në gjithë shoqërinë tonë, në mënyrë që vendi të ecë më shpejt drejt forcimit të shtetit ligjor dhe rendit juridik, drejt zhvillimit dhe drejt integrimit. Dhe nuk është koha për t’u sjellë as me eufori, as me mendjemadhësi, sepse mendoj se kjo ka qenë një votë e qartë kundër arrogancës dhe kundër vetëkënaqësisë. Përkundrazi, tani është koha për përulësi ndaj qytetarëve dhe për një shërbim të përkushtuar për forcimin dhe lartësimin e institucioneve dhe për të përmirësuar në thelb qeverisjen e vendit, e cila duhet të jetë një qeverisje gjithëpërfshirëse. Dhe dua të ndaj me ju kënaqësinë që në këtë mënyrë i ka lexuar dhe kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, Kryeministri i ardhshëm i vendit, dhe besoj se kështu i kanë lexuar dhe gjithë kolegët e tjerë të Aleancës për Shqipërinë Europiane”, tha dje Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura