Meta në Kryesi: Qeveria e re, gjithëpërfshirëse. Integrimi, presim bashkëpunim me opozitën e re

Jun 28, 2013 | 20:45
SHPËRNDAJE

TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi sot Kryesinë e saj, për të diskutuar lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, i cili për të ishte pertej pritshmërive.

Në fjalën hapëse, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se pavarësisht rezultatit nuk është koha për tu sjellë me mendjemadhësi dhe eufori, por është koha të përulemi ndaj qytetarëve dhe tu shërbejmë atyre me përkushtim.

“Është koha për më shumë përkushtim dhe një angazhim të pandalshëm për tu qëndruar të gjitha angazhimeve tona gjatë fushatës, dhe për të rritur besimin  e qytetarëve tek alternativa e maxhorancës së re, e LSI, dhe njëkohësisht për të zgjeruar akoma më tej konsensusin mjaft të gjerë që solli vetë vota e 23 qershorit.”- tha Meta.

Meta theksoi se LSI është votuar në këto zgjedhje, pasi diti të përcillte mesazhe stabiliteti, domosdoshmërinë e bashkëpunimit në jetën politike, në mënyrë që vendi të ecë më shpejt drejt shetit ligjor, rendit juridik, zhvillimit dhe integrimit.

Vota vijoi ai, në këtë mënyrë është lexuar edhe nga kreu i PS, Edi Rama, kryeministri i ardhshëm i vendit, si edhe nga të gjithë kolegët e tjerë të koalicionit, prandaj theksoi ai, tani është koha për ndryshim të rëndësishëm dhe për një qeveri gjithëpërfshirëse, ku “mbreti” do të jetë ligji.

Kreu i LSI-së tha se beson shumë edhe në bashkëpunimin me opozitën e re, në interes të integrimit te vendit, si dhe në pjesëmarrjen më aktive ne vendimarrje të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura